![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/Shorti-per-anetaret-scaled.jpeg)
Sipas shortit, avokatët Artan Reçi dhe Albens Tabaku do të votohen si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Samir Kola dhe Erind Mërkuri për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Anëtarët e opozitës në nënkomision, Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi, e kontestuan procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit si të deformuar dhe të politizuar.
“Procesi i deformuar na e pamundëson çdo mundësi për të zgjedhur në mënyrë konsensuale emrat e anëtarëve të rinj,” tha Bardhi, duke aluduar se Sekretari i Përgjithshëm, Genci Gjonçaj kishte bërë një përzgjedhje antiligjore dhe politike të kandidatëve nga lista e parë që u dorëzua në Kuvend nga Avokati i Popullit.
Bardhi dhe Çupi nuk morën pjesë në procesin e votimit të emrave nga lista e të kualifikuarve, duke bërë që procesi të ishte formal dhe asnjëri prej tyre të mos merrte 4 votat e nevojshme për të kaluar në seancë.
Por kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i quajti paragjykime të procesit deklaratat e Bardhit. “Procesi është i normuar me ligj dhe Sekretari i Përgjithshëm ka kryer detyrën që i cakton Kushtetuta,” tha ajo.
Anëtari socialist i nënkomisionit, Damian Gjiknuri i kërkoi Bardhit që të mos e bojkonte votimin duke bërë që procesi të kalonte tek googlat.
“Ne ishim të gatshëm që ju të zgjidhnit një individ nga lista e të kualifikuarve…,” iu drejtua ai i Bardhit, deklaratë që nga deputeti demokrat u interpretua si “ofertë për pazar”.
Sipas Bardhit, konsensusi duhej të ishte treguar kur u votua për futjen në listë të kandidatëve të skualifikuar nga Gjonçaj. Ndërsa deputetja Çupi tha se nuk mund të kishte tashmë konsesus me një listë ku ishin emrat që donte PS-ja.
Kandidatët e skualifikuar nga Gjonçaj janë Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Albana Tushe, kryesisht me argumentet se nuk plotësonin një kriter ligjor që lidhej me ushtrimin e profesionit të avokatisë pa ndërprerje në 10 vite rresht.
Ndërkohë, kandidatët e kualifikuar u dëgjuan nga komisioni dhe u përgjigjen pyetjeve të tyre në lidhje me platformat e tyre për këshillat, qëndrimin për hartën gjyqësore dhe mendimin për punën e anëtarëve të këshillave që janë avokatia.
Avokatja Eris Hysi, kandidate për KLGJ-në u përball dhe me pyetje në lidhje me lidhjet e saj familjare apo miqësore me sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Ajo u përgjigj prerë “jo” pyetjes së Bardhit, ndërsa shtoi se mund t’a kishte lidhur puna me të në kohën kur Agaçi ka ushtruar profesionin e avokatit, por se nuk kishte as lidhje miqësore, as familjare me të.
Por gjithsesi gjatë mbledhjes, Bardhi pretendoi se avokatja Hysi kishte lidhje me Agaçin dhe se ajo ishte “projektuar” nga mazhoranca për t’u bërë kryetare e KLGJ-së.
Hysi ishte renditur e para në listën e kandidatëve për KLGJ, e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.
Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP listën e kryesonte Erind Mërkuri, i ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.
Gjatë shortit, emrat e Tabakut dhe Reçit u hoqën nga goglat për KLP-në edhe pse Bardhi e kundërshtoi praktikën, e cila sipas Bushkës bazohej në një rregullore të miratuar nga vetë nënkomisioni.
Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatët e zgjedhur me short i nënshtrohen votimit në seancë plenare dhe nëse Kuvendi dështon në 3 votime radhazi që të zgjedhë me 84 vota anëtarët e rinj të KLGJ-së e KLP-së, do të quhen automatikisht të emëruar ata që shorti i ka zgjedhur në raundin e tretë.
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka tejkaluar me 6 muaj afatet ligjore, pasi mandati i anëtarëve të KLGJ dhe KLP ka përfunduar që në dhjetor.
Ndërkohë mbetet pezull procesi për përzgjedhjen e anëtarit të tretë për vakancat në dy këshillat nga radhët e shoqërisë civile.
Procesi është në pritje të dorëzimit të raportit të verifikimit nga Sekretari i Përgjithshëm për listën e kandidatëve që kanë kaluar vlerësimin e kritereve formale dhe vlerësimin paraprak nga një komision i pavaruar i ngritur nga Avokati i Popullit.