Pas samitit të Vienës, Ballkanit Perëndimor iu premtuan 200 milionë euro bashkëfinancime për 10 projekte transporti dhe energjie me synimin për të përmirësuar rritjen ekonomike dhe sigurinë energjetike.
Pas samitit mbi Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Vienë më 27 gusht, institucionet Europiane njoftuan se do të japin rreth 200 milionë euro për 10 projekte të transportit dhe energjisë në gjashtë vende të rajonit.
Vlera totale e projekteve është rreth 600 milionë euro dhe ato do të zbatohen në Serbi, Malin e Zi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë.
Projektet do të bashkëfinancohen në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit të vitit 2015, (IPA) dhe Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor të institucioneve financiare Europiane si Banka Europiane për Investime dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH si dhe banka gjermane e zhvillimit KfË.
Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor u zhvillua bashkarisht me Komisionin Europian, BERZH dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës si dhe nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet përfituese në Ballkanin Perëndimor.
Mes projekteve që pritet të zhvillohen me ndihmën e BE-së janë lidhja e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni dhe seksioni mes Malit të Zi dhe Serbisë për Korridorin Trans-Ballkanik të Elektricitetit.
Njëzet e katër projekte të tjera infrastrukturore janë konfirmuar si projekte me rëndësi të lartë për rajonin. Mes projekteve më të përfolura janë lidhja me autostradë nga Nishi në Prishtinë me destinacion final Durrësin si dhe autostrada adriatiko-joniane që duhet të lidhë Kroacinë me Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me destinacion final Greqinë.
Oferta financiare për vendet e Ballkanit nuk qe aspak bindëse për kryeministrat e rajonit të cilët shprehën pakënaqësitë e tyre. Milo Gjukanovic, kryeministri i Malit të Zi, tha se të 45 milionët që do të marrë vendi i tij për përmirësimin e transportit hekurudhor dhe energjisë elektrike nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar jetët e banorëve të këtij vendi.
Mijat Lakicevic, një ekonomist në Beograd i tha BIRN se financimet janë të mirëpritura por se 200 milionë eurot nuk janë të mjaftueshme për të gjithë rajonin.
Një vit më parë, Bashkimi Europian nisi Procesin e Berlinit, një instrument që synon të vijojë proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor pavarësisht se BE nuk do të pranojë vende të reja anëtare për së paku pesë vjet. Samiti i ardhshëm pritet të zhvillohet në Francë më 2016.