Ndryshimet e njëanshme të ndërmarra nga parlamenti i kontrolluar nga socialistët tetorin e kaluar në Kodin Zgjedhor, kërkojnë që kandidatët e pavarur të marrin 1% të votave në rang kombëtar për t'u përfshirë në llogaritjen e ndarjes së mandateve, në atë që ekspertët e konsiderojnë shkelje të barazisë në garë.
Kandidati i pavarur për deputet Elton Debreshi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të martën për të kërkuar shfuqizimin e kriterit të pragut kombëtar 1% për kandidatët e pavarur, një kërkesë që ekspertët zgjedhorë e konsiderojnë të drejtë dhe të mbështetur.
Avokati Gentian Sejrani thotë në argumentin e shtruar para Gjykatës Kushtetuese se ligji aktual kërkon që kandidatët e pavarur të fitojnë 36 deri në 223% më shumë vota se sa kandidatët e partive dhe si e tillë, klauzola që nuk bën bën dallim mes partisë politike dhe kandidatit të pavarur shkel barazinë e kandidatëve në garë.
“Vlera e votës nuk është njësoj e barabartë për kandidatin e propozuar nga zgjedhësit me kandidatin e propozuar nga partitë politike, ndaj ne vlerësojmë se pragu prej 1% është në kundërshtim me Kushtetutën pasi shkel parimin e barazisë së votave dhe mundësive të barabarta,” shkruan Sejrani në kërkesën e tij.
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, të cilaat u miratuan në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste dhe parlamenti i kontrolluar prej saj tetorin e kaluar, subjektet zgjedhore duhet të marrin 1% të votave në rang kombëtar para se të fitojnë të drejtën të përfshihen në llogaritjen e mandateve. Në rast se pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë e barabartë me atë të vitit 2017, Elton Debreshit, i cili garon si i pavarur në qarkun Dibër, do t'i duhet të marrë afro 17 mijë vota, në një kohë kur kandidatëve të partive politike do t'u mjaftojnë rreth 12 mijë vota secilit për të hyrë në parlament.
Premto Gogo, ekspert zgjedhor nga shoqata e vëzhguesve KRIIK Albania, i tha BIRN se e sheh padinë të mbështetur dhe të vlefshme ndërsa konsideroi trajtimin që Kodi Zgjedhor i bën kandidatëve të pavarur si absurd.
“Absolutisht po, ka merita,” tha Gogo i pyetur mbi padinë. “Është absurde se [Kodi Zgjedhor] i kërkon [kandidatëve të pavarur] të marrë vota në të gjitha qarqet kur ai kandidon vetëm në një.”
Kandidatët e pavarur në Shqipëri janë fenomene të rralla dhe janë rralluar akoma më shumë që nga viti 2008, kur Edi Rama, në atë kohë kryetar i opozitës dhe Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, ranë dakord me njëri-tjetrin në negociata të fshehta të krijojnë sistemin aktual zgjedhor që ka dobësuar deputetët dhe ka bërë të plotfuqishëm udhëheqësit partiakë. Por në zgjedhjet e 25 prillit janë katër kandidatë të pavarur, tre të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një, minatori Elton Debreshi, i mbështetur nga disa aktivistë të majtë të njohur si Organizata Politike.
Shanset e tyre për t'u zgjedhur me sistemin aktual janë jo shumë premtuese, veçanërisht për kandidatët që garojnë në qarqe të vogla, si Gjirokastra, Dibra apo Lezha, ku plotësimi i pragut kombëtar në masën 1% kërkon marrjen e një pjese të konsiderueshme të votave. P.sh., nëse pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit është e njëjtë me atë të vitit 2017, Debreshit do t'i nevojitet të marrë afro 25 për qind të votave të qarkut nga 20% që nevojiten për të zgjedhur një deputet. Në rast se ai dështon të arrijë pragun, votat e tij përfitohen në ndarjen e mandateve nga partia që arrin të dalë e para.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë filloi të funksionojë vetëm së fundmi pas disa vitesh paralize të shkaktuar nga Reforma në Drejtësi. Është e paqartë nëse kjo gjykatë do ta shqyrtojë kërkesën e Debreshit në kohë për zgjedhjet e 25 prillit. Për Gogon nga KRIIK Albania, është mirë që ajo të veprojë shpejt.
“Do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese të investohej për ta shqyrtuar në kohë sepse prek një të drejtë themelore të kandidatëve për të cilët ne kemi më shumë nevojë në parlament për të fuqizuar demokracinë direkte dhe sidomos përfaqësues të grupimeve të vogla qytetare” tha ai.