Në një intervistë për BIRN, aktivistja Deni Sanxhaku shpjegon si lindi lëvizja Për Universitetin dhe kush janë kundërshtitë e saj për reformën në arsimin e lartë.
Me syrin e njërës prej aktivisteve më aktive, a e shikoni disi reformën e re, të dështuar që pa nisur?
Si një prej aktivistëve të Lëvizjes “Për Universitetin”, reformën në arsimin e lartë e shoh njëjtë si shoqet e shokët e mi të lëvizjes me të cilët jemi angazhuar të bëjmë rezistencë, si krejt të gabuar. Por për të kuptuar dëmin e madh që reforma do i sjellë arsimit të lartë publik, nevojitet më shume së syri, aq më tepër kur dimë sa merak e ka qeveria aktuale meremetimin e fasadave dhe kurimin e imazhit, ama përmbajtja është ajo që na intereson vërtet. Krijimi i lëvizjes përkon me propozimin e ngritjes së komisionit për hartimin e draft reformës së arsimit të lartë, një proces të cilin e konsideruam ilegjitim sa kohë përbëhej nga anëtarë në konflikt të dukshëm interesi, në një kohë ku shumë pak ishin në dijeni për procesin vetë e akoma më pak ishin të përfshirë.
Komisioni u krijua para diskutimit publik e nuk përfaqësonte studentët dhe pedagogët e Universiteteve Publike dhe as shqetësimet e tyre. Sipas nesh një komision legjitim për reformimin e arsimit të lartë do të duhej të ishte produkt i një diskutimi të gjerë dhe intensiv publik i pikërisht këtyre dy aktorëve themelues të Universitetit. Në ketë mënyrë, komisioni do të përfaqësonte studentët dhe pedagogët, e do të reflektonte shqetësimet dhe zgjidhjet e tyre në formulimin e një drafti paraprak për reformimin e Arsimit të Lartë.
Drafti i prodhuar prej këtij komisioni ishte po aq joserioz. Formalisht as nuk respektonte kërkesat minimale të shkrimit akademik, ndërkohë që përmbjatësisht dokumenti dështoi në mbulimin e problematikave reale të arsimit të lartë. Kushtet e jetesës dhe kushtet e studimeve të studentëve në Universitetet publike do duhej të ishin baza e shqetësimit të një reforme të thellë në arsimin e lartë. Ndërkohë, drafti (si i pari ashtu edhe i dyti, i cili ishte njëjtë me parin përpos disa ndryshimeve kryesisht në drejtshkrim dhe në përbërjen e bordit të propozuar administrativ) fliste qartë për rritje tarifash duke e konsideruar të papërfillshme rritjen e përvitshme aktuale dhe si zgjidhje jepte zhytjen në borxhe përmes kredisë studentore. Nuk ka fare dallim reforma e propozuar tani nga ajo e tri viteve më parë nga Qeveria Berisha. Ndërsa e para fliste për tregje studentore, kjo tani flet qartë për tregëzimin dhe komodifikimin e arsimit të lartë; e para i referohej Kilit të Pinochetit, ndërsa kjo e dyta parapëlqen të marrë modele perëndimore si ai anglo-sakson; ndërsa e para fliste në emër të suksesit ekonomik, kjo e dyta flet në emër të mundësive të barabarta e gjithëpërfshirjes, ndërkohë që e vendos studentin përballë një sistemi arsimor që e diskriminon ekonomikisht dhe e përjashton nga strukturat e tij vendimmarrëse. Të dyja njëlloj fajtore, njëlloj populiste e hipokrite.
Në këtë Reformë ndahet aspekti financiar nga ai akademik dhe kjo mund të quhet pozitive. Po a ka një farë kontradikte në ndarjen e këtyre dy njësive?
Nuk ka asgje pozitive nga një ndarje e tillë, kur kemi parasysh financat e pakta të cilat vihen në dispozicion të arsimit të lartë nga buxheti i shtetit, barrë e cila ndahet thuajse përgjysëm me studentët në formë tarifash regjistrimi, pagesa vjetore, tarifa vërtetimesh etj. Reforma merret pak me anën akademike-studimore dhe rolin emancipues të universitetit në shoqëri, apo të shumë përfolurin kërkim shkencor, dhe gjithë vëmendja i takon mekanizmave të financimit dhe riorganizimit administrativ. Në kushtet kur fakultetet duhet të konkurrojnë midis tyre në performancë për të përfituar financim për mbarëvajtjen e tyre, ndërkohë që prej vitesh janë rrudhur investimet në infrastrukturë e kurrikula, financat dhe bordet burokrate administrative do vihen në kontroll të anës akademike. Vështirë të flitet për dije kur vendoset një raport tregtar midis studentit dhe pedagogut, kur akademiku duhet t'i bindet direktivave të bordeve satelitorë të shkëputur nga jeta universitare, e këta të fundit t'i binden mekanizmave tregtarë për hir të mbijetesës së ngrehinave të universiteteve publike. Duhet të kërkojmë arsim publik falas, konvikte falas, mensa publike dhe bursa jetese, kushte dinjitoze studimi dhe të drejtën për qytetin. Gjithashtu, të kërkojmë që Universiteti të jetë autonom në organizim të brendshëm dhe në vendimmarrje, të menaxhohet nga Universitarët, pra studentët dhe pedagogët, të pavarur nga problemet e qeverive periodike dhe interesi ‘kaotik' i tregtarëve.
Për ti arritur këto na duhet të organizohemi në nivel fakultetesh duke çliruar dhe krijuar hapësira të lira studentore ku të mundemi të mendojmë dhe diskutojmë kolektivisht. Detyra e Universitetit është të zhvillojë fakultetet e mendimit dhe arsyen njerëzore. Vetëm kështu Universiteti do t'i shërbejë shoqërisë, pa iu nënshtruar asaj, dhe vetëm kështu mund ta kuptojmë se arsimi është një e mirë publike, një investime shoqëror, dhe jo një sakrificë individuale.
Si e perceptojnë studentët këtë reformë, të nevojshme apo të qepur me nxitim?
Për dy muaj me radhë aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin” realizuan një maratonë tryezash të hapura nëpër fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik dhe atij të Durrësit për informimin mbi draft reformën e propozuar nga komisioni i arsimit të lartë si dhe artikulimin e qëndrimeve kundër tij. Studentët qenë të interesuar të përfshiheshin në diskutime pasi më në fund ishte krijuar një hapësirë e përbashkët ku ata mund të shpreheshin lirisht. Reforma financiare është ende çështja më e ndjeshme, pasi kuptohet që implementimi i reformës do përjashtojë shumë nga e drejta për të vazhduar arsimin e lartë. Studentët nuk janë kundër reformimit përparimtar, përkundrazi gjatë gjithë këtyre muajve po përpiqemi ta rikushtetojmë universitetin siç e lyp e mira e universitarëve dhe e mbarë shoqërisë. Ne jemi kundër kësaj reforme të propozuar dhe procesit që e prodhoi atë. Sipas nesh, reforma duhet të plotësoje dy parime bazë:
- E drejta e vendimmarrjes mbi Universitetin Publik nuk është as e kryeministrit, as e një komisioni të dyshimtë dhe as e një strukture të lodhur burokratike si ajo aktuale e Universiteteve. E drejta e vendimmarrjes për Universitetin i përket vetë Universitarëve (pra studentëve dhe pedagogëve).
- Një reformë e thellë në arsimin e lartë duhet të nisë nga një analizë serioze e kushteve të jetesës dhe të studimit të vetë studentëve të Universiteteve Publike.
Për rrjedhojë ne sugjerojmë:
Formimin e një komisioni Universitarësh, pra studentësh dhe pedagogësh, i zgjedhur demokratikisht nga trupa e universitarëve, i cili do të funksionojë si një sekretariat që organizon procedurën e diskutimeve mbi reformën e arsimit të lartë duke u bazuar mbi dy parimet e sipërpërmendura. Detyrë e komisionit do të jetë çelja e hapësirave të diskutimit brenda Universiteteve e hapësirave studentore mbi kushtet e studimit dhe të jetesës së Universitarëve, mbledhja e të dhënave dhe qasjeve mbi problematikat dhe alternativat e reformimit të arsimit të lartë duke ndjekur procedura publike dhe sintetizimi i pjesshëm i tyre duke përdorur metoda serioze shkencore të klasifikimit dhe përpunimit të të dhënave. Sinteza e pjesshme dhe disaplanëshe do të kthehet në trupën e universitarëve për t'u ridiskutuar dhe tentuar një sintezë përfundimtare të reformimit të arsimit të lartë. Detyra e qeverive është të mbështesin reformën e Universitarëve!
A nuk duket se fabrika e diplomave të stisura nuk do reshtë edhe me këtë reformë?
Ne nuk kemi mbajtur ndonjë qëndrim publik në lidhje me iniciativën e ndërmarrë nga Qeveria për mbylljen e diplomoreve private, por ështe fort shqetësuse fakti që dëmin finaciar dhe arsimor për ligjërimin e padrejtë të këtyre fabrikave private, duhet ta paguanin si gjithmonë të vetëm studentët. Shumë prej shoqeve të tyre, më të sukseshme në kurimin e imazhit dhe lobimin pranë administrative qeveritare, ia dolën të jenë ende në lojë, një lojë jo fort e pastër dhe në kurriz të universiteteve publike. Në këtë formë, ajo që mund të perceptohet lehtë, është jo lufta kundër diplomoreve private, por dominimi i biznesmenit më të fuqishëm në treg e kanalazimi i kapitalit në sa më pak duar. Aksioni i furishëm qeveritar nuk la pa prekur as fakultete publike, me mbylljen e programeve të cilat për tregun janë pak të rëndësishme, degë të caktuara nga shkencat humanitare, ato politike, degë të shkencës e të mendimit kërkesat e të cilave janë gjithmonë në ulje pasi “tregu” nuk siguron vende pune – njësia matëse e performancës universitare. Por institucionet publike nuk duhet të mbyllen, as të shpërbëhen, por të riformësohen, sidomos duke sjellë përpara përgjegjësisë drejtuesit e tyre.
Përgjigjet e ministres Nikolla ndaj shqetësimeve tuaja për uljen e shpenzimeve universitare tregojnë se hendeku është ende i madh. Ku do të shkoj lëvizja juaj nëse qeveria vazhdon me punën e saj?
Ministrja Nikolla kur merr përsipër të bëjë analiza, duhet të ketë parasysh që si referncë të ketë xhepat e studentëve të një familje me të ardhura të mesme dhe të ulta, dhe jo xhepin e saj privat. Nga një studim i bërë nga Open Data në lidhje me trendin e rritjes së tarifave vitet e fundit për nivelin e studimeve bachelor, master shkencor dhe profesional, vetëm për këtë vit pagesat vjetore janë rritur me 11.5% deri 39.5 % në krahasim me vitin e kaluar. Kësaj barre financiare iu shtua dhe një vendim i Këshillit të Ministrave më datë 15 Tetor i cili vendoste tarifimin dyfish të provimeve të mbartura dhe parapagesën e 30% të tarifës së masterit si kusht regjistrimi. Rritja e përvitshme e tarifave, privatizimi i konvikteve, mungesa e mensave publike, dhe një sërë vendimesh të marra nga Këshilli i Ministrave, si VKM e datës 15 tetorit, e kanë bërë Universitetin ekonomikisht të papërballueshëm për studentët. Universiteti është e drejtë dhe studentët nuk janë konsumatorë! Për rrjedhojë, Lëvizja do jete konsistentë në qëndrimet dhe rezistencën e saj deri sa arsimi publik të jetë për të gjithë, të krijoje kushte dinjitoze studimi dhe hapësira për kultivimin e arsyes, ku zëri kritik i pedagogëve dhe studentëve nuk shtypet e as persekutohet nga strukturat klienteliste shtetërore-biznesore, të cilat ekzistojnë vetëm për të fryrë e riprodhuar veten. Universiteti duhet të kthehet në një banesë ku jetohet përmes të menduarit kolektiv. Të çelen e të çlirohen hapësira të zaptuara dhe të pavarësohen brenda fakulteteve. Hapësira të tilla janë të domosdoshme për leximet kolektive, leksionet e hapura, tryezat publike, konferencat studentore dhe organizimet e protestave. Vetëm përmes zotërimit të një hapësire të lirë brenda universiteteve mund të arrihet solidariteti dhe organizimi midis studentëve. Besnikëria ndaj Universitetit arrihet me bashkëpunim barazimtar me pedagogët dhe me rezistencë nga sulmet e aktorëve të jashtëm, qofshin këto aktorë shtetarë apo tregtarë.