Në seancën parlamentare të së enjtes, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi paraqiti për votim kërkesën e qeverisë “Rama” për futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit të Teatrit mes akuzave për hajdutëri të hedhura nga opozita.
Në fund tëseancës parlamentare të mbushur me sherret e zakonshme këtë të enjte, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi papritur se do të hidhte në votim kërkesën e qeverisë për “procedurë të përshpejtuar parlamentare” për projektligjin që synon t'i transferojë tokën e Teatrit Kombëtar kompanisë “Fusha” sh.p.k.
Pas protestave të opozitës, kryetari Gramoz Ruçi i dha fjalën deputetes Albana Vokshi dhe deputetët socialistë duruan pa u lëkundur disa minuta fjalim, ku fjalët “vjedhje” dhe “hajdutëri” ishin më të përdorurat.
“Kur shqiptarët prisnin hapjen e negociatave, kryeministri bënte llogaritë e fitimeve marramendëse nga kjo aferë e madhe korruptive. Minimumi i fitimeve në xhepin e kryeministrit është 205 milionë euro. A ekuptoni pra kush është urgjenca? A e kuptoni se pse ne kemi në tavolinë një akt kriminal, një akt korruptiv, një akt barbar?”, tha Vokshi.
Qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin që i jep pa garëkompanisë “Fusha” tokën publike të zënë aktualisht nga Teatri Kombëtar të mërkurën në darkë, shoqëruar me një kërkesë që projektligji të shqyrtohej me “procedurë të përshpejtuar”. Procedura e përshpejtuar shkurton debatet parlamentare dhe mundëson miratimin e një projektligji pas vetëm një jave, ndërsa procedurat normale parlamentare kërkojnë disa javë kohë.
Ndonëse qeveria ka të drejtë të kërkojë procedura të përshpejtuara parlamentare, kjo është një hapësirë e krijuar nga Kushtetuta për efekt situatash të jashtëzakonshme. Vokshi, e cila ishte deputetja e vetme e opozitës që u lejua të debatojë procedurën, e konsideroi projektligjin antikushtetues.
“Ky është një ligj që është i personalizuar, një ligj që bëhet për një kompani të vetme. Kjo është vjedhje e pastër,” tha Vokshi, e cila i bëri thirrje një më një disa deputetëve socialistë, përfshirë ministrin e Diasporës Pandeli Majko qëtë mos e votonin atë. Pas fjalimit të Vokshit, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla mbajti një fjalim të shkurtër ku u përpoq ta kthejë akuzën për vjedhje pas te kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Deputetët socialistë votuan menjëherë pas kësaj dhe të 74 votat e tyre ishin në favor të projektligjit.
“Sot është diskutimi për procedurën dhe jo për thelbin. Thelbin e kemi të planifikuar në seancën e rradhës,” tha Taulant Balla. Ai pretendoi se projektligji mbështetet edhe nga disa aktorë.
“Aktorët na kanë dërguar një kërkesë ku thonë se jemi dakord,” tha ai duke iu referuar një peticioni të prezantuar nga Ministria e Kulturës ku paraqiten emrat e një liste me aktorë. Por së paku dy prej “firmëtarëve” duket se e kanë pasur emrin në listë gabimisht. Aktori dhe regjisori i mirënjohur Pirro Mani rezultoi se nuk gjendej në Shqipëri, por në Shtetet e Bashkuara.
Pyetur nga gazeta Shekulli, bashkëshortja e tij, Pavlina Mani mohoi që i shoqi të ketë firmosur një dokument për shembjen e teatrit.
“Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s'ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë,” citohet të ketë thënë ajo.
Projektligji për teatrin pritet të miratohet javës tjetër. Ai i kërkon kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj të përgatisë një kontratë me kompaninë Fusha për t'i transferuar tokën e teatrit “brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit”. Kontrata do të duhet të miratohet gjithashtu në Kuvend.
Vokshi argumentoi në fjalën e saj se arsyeja e përfshirjes së Kuvendit është shmangia e përgjegjësisë penale nga ana e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.