Analiza e ONM për aksidentet në minierë fundosi prokurorin Hysni Vata
Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Analiza e ONM për aksidentet në minierë fundosi prokurorin Hysni Vata

Vëzhguesit ndërkombëtarë analizuan 6 dosje hetimore për aksidentet në minierë dhe arritën në përfundimin se hetimet e cekëta favorizonin subjektet dhe ngarkonin me faj viktimat. Drejtuesi i Prokurorisë së Matit u shkarkua edhe për problemet me pasurinë.

Ish-kreu i Prokurorisë së Matit duke dalë nga seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi prokurorin Hysni Vata, pasi gjeti shkelje në dy prej kritereve të rivlerësimit. Vendimi i arsyetuar i KPK-së zbardh një skemë të përsëritur në hetimet për aksidente në punë, pas të cilave faji u mbetet viktimave.

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit Hysni Vata hedh dritë mbi një procedurë gati rutinë të mbylljes së hetimeve për aksidentet në punë, në kohën që ai punonte në Prokurorinë e Dibrës. Gjashtë dosje të studiuara prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit tregojnë se hetimet pushoheshin pa verifikime të plota, pa pyetur të plagosurit dhe gjithmonë duke ia lënë fajin viktimave.

Hysni Vata ka qenë oficer në Policinë e Shtetit, përpara se të emërohej prokuror. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2008 nga Tropoja, për t’u transferuar më pas në prokuroritë e Dibrës. Në vitin 2017, Vata u emërua drejtues i Prokurorisë së Matit.

Dosjet tregojnë po ashtu se prokurori shpesh kishte për referencë vetëm dëshmitë e punëdhënësve, që njëkohësisht ishin edhe të dyshuarit për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë”. Në vendimin e zbadhur të KPK-së vihet në dukje se hetimet në këto raste ishin të cekëta dhe viktimat bëheshin me faj se kishin shkelur urdhra të eprorëve, edhe pse këto urdhra nuk gjendeshin.

“Vdekja e punonjësit erdhi prej fajit të viktimës, sepse ai dhe kolegët e tij, sipas urdhrit të administratorëve të kompanisë, nuk duhet të kishin punuar të shtunave dhe të dielave, por ata dolën në punë me iniciativën e tyre,” citohet prej KPK-së vendimi i pushimit të hetimeve për vdekjen në minierë më 17 dhjetor 2011.

Një nga rastet e hetuar nga ONM përkon me atë të Bajram Pjetrit. E intervistuar nga BIRN në një investigim të janarit 2018 (Vdekje “të papritura”, Autoriteti fajëson viktimat e aksidenteve në minierën e Bulqizës) bashkëshortja e tij, Drita Pjetri tregonte se si ishte lënë në errësirë për rrethanat e vdekjes së bashkëshortit dhe kishte humbur shpresën se do mund t’i mësonte ato. “Nuk dimë si ndodhi as nuk ka ardhur ndonjë nga shteti që të na tregojë se si qëndronte puna,” tha atëherë Pjetri.

Komisioni, i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare dhe me vëzhgues ndërkombëtar Elka Ermenkova, shprehet në vendimin për shkarkimin e Vatës në shtator 2019, se veç një bilanci negativ në analizën financiare dhe pamjaftueshmërisë së deklarimeve, ai kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, duke marrë vendime me “arsyetim të dobët dhe të pambështetur në prova”, për të cilat kishte “dyshime për favorizim të personave nën hetim”.

Vata i kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai pretendoi në fjalën e tij se ishte bazuar në ekspertizë për të vendosur pushimin e çështjeve. “Në çdo rast janë kryer gjitha veprimet e duhura verifikuese dhe hetimore, përfshirë këtu edhe akt-ekspertimet tekniko-minerare, me grup ekspertësh”, citohet ai në vendimin e KPK-së.

Vata është prokurori i dytë që shkarkohet nga KPK se ndër të tjera kishte neglizhuar vdekjet dhe plagosjet gjatë aksidenteve në punë. Më herët, prokurori Ramadan Troci po ashtu u shkarkua me një motivim të ngjashëm. BIRN në shkrime të mëparshme ka gjetur se prokuroria dhe autoritetet përgjegjëse për sigurinë në punë, i mbyllnin hetimet duke ua lënë fajin viktimave dhe punëmarrësve.

Lexo edhe:

Kantieret e ndërtimit kthehen në ‘kurthe vdekjeje’

Aksidentet me vdekje në miniera, faji i mbetet gjithmonë viktimave

 

Dosjet e aksidenteve në miniera dhe mangësitë profesionale

Për vite me rradhë, Prokuroria e Përgjithshme e kishte vlerësuar prokurorin Hysni Vata “shumë mirë”. Edhe në raportin për aftësitë profesionale për llogari të vetingut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk duket se gjeti probleme. “Lidhur me disa dosje është konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka mangësi në përshkrimin e saktë të bazës ligjore. Por gjithsesi, sipas KLP-së, mospërputhja e bazave ligjore në këto akte, nuk ka prekur unitetin e pjesëve përbërëse të tyre dhe nuk ka ndikuar në zgjidhjen e çështjeve nga gjykata”, citohet raporti nga KPK.

Raportet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe raporti i fundit i KLP-së u rrëzuan nga hetimet e KPK-së  dhe një raport i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Komisioni nisur nga 9 denoncime studioi disa prej dosjeve të hetuara nga Vata dhe për dy prej tyre doli në përfundimin se ai “nuk ka kryer hetimeve të plota dhe gjithëpërfshirëse”. Sipas KPK-së, bëhej fjalë për pushimin e hetimeve të një kallëzimi për falsifkim dokumentesh dhe miratimin e pushimit të hetimeve në një rast aksidenti.

KPK shprehet se hetimet në rastin e parë ishin të paplota dhe ishin kryer prej vetë Vatës, ndërsa në rastin e dytë ai kishte miratuar pushimin e hetimit në një dosje me probleme. “Ka munguar të evidentojë mangësitë hetimore, në cilësinë e drejtuesit dhe ka miratuar një vendim pushimi të pabazuar në fakte”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjetjet që rrëzuan Vatën në kriterin e profesionalizmit janë ato të paraqitura prej ONM-së. Komisioni vë në dukje se vëzhguesit ndërkombëtarë kishin paraqitur më vete gjetje nga studimi i dosjeve të hetuara prej Hysni Vatës, të cilat ishin bërë më pas pjesë e çështjes ndaj tij.

Në vendimin e zbardhur rezulton se bëhet fjalë për 6 dosje hetimore të cilat kanë të bëjnë me aksidente në miniera, me tre viktima dhe disa të plagosur. Dosja e parë është ajo e një hetimi të pushuar për vdekjen e Bajram Pjetrit.

Faji për aksidentin e ndodhur në fund të vitit 2011 i është lënë viktimës dhe Vata si prokuror i çështjes ka arsyetuar se  “në ditën që ka ndodhur aksidenti vdekjeprurës, viktima nuk duhej që kishte shkuar në punë”. Ai ka marrë të mirëqenë pretendimin e administratorëve të kompanisë se kishte pasur urdhër për të mos dalë në punë në fundjavë dhe pretendimin se punonjësit kishin dalë me iniciativën e tyre.

Madje në vendimin e pushimit citohet një roje e galerisë, që u ka thënë punëtorëve se nuk lejohej të punonin atë ditë, por po sipas tij ata kishin këmbëngulur dhe kishin firmosur një procesverbal. Kolegët e të ndjerit po ashtu kanë dhënë këtë version të ngjarjes duke përmendur ndër të tjera se ishin “nevojtarë”.

Por ky arsyetim gjendet i çalë në materialin që ONM i vu në dispozicion Komisionit. Aty arsyetohet se prokurori duhej të kishte pasur të qartë se derisa sa kishin dalë në punë si “nevojtarë” minatorët prisnin të paguheshin dhe nuk ishin duke punuar për qejf me iniciativë të tyre.

Po ashtu në vendim thuhet se ky skenar nuk ishte vërtetuar, pasi deklaratat nuk ishin verifikuar, nuk ishin marrë tabulatët telefonikë për të vërtetuar dëshminë e rojes, nuk ishte administruar dhe verifikuar procesverbali që supozohej se ishte firmosur nga viktima dhe kolegët. Në vend të tij është marrë parasysh një letër e thjeshtë vetëm me emrat e punëtorëve përfshi viktimën, pa firma, pa përmbajtje se përse bëhej fjalë dhe me datë një ditë para aksidentit.

Në vendim thuhet se “kjo është një letër e thjeshtë që mund të jetë përpiluar në çdo kohë” dhe se “Prokurori e bazoi vendimin e tij vetëm në fjalë, në vend të provave”. Dy akte ekspertize të ish-Repartit të Inspektim Shpëtimit (RISHM) po ashtu janë cilësuar si të cekëta dhe që nuk bënin lidhje shkak- pasojë.

KPK arsyeton ndër të tjera se aktet ekspertimit nuk ishin detyruese për prokurorin dhe ai duhej të kishte hetuar përtej tyre, përfshi edhe nëse punonjësi në fjalë ishte i siguruar apo jo.

KPK në vendim thotë se justifikimet e Vatës se ndaj vendimit të pushimit nuk ishin ankuar trashëgimtarët e viktimave, nuk qëndronte. “Ky arsyetim nuk rezulton të ketë forcë argumentuese, sepse duke pasur parasysh rrethanat dhe kushtet socio-ekonomike, demotivituese dhe privuese në të cilat ndodhen familjet e minatorëve, është e qartë vështirësia dhe pamundësia e tyre (intelektuale dhe financiare), për të pasur një akses (të suksesshëm) në sistemin aktual të drejtësisë – me qëllim mposhtjen dhe dënimin e punëdhënësit e tyre, nëpërmjet rrëzimit të vendimeve të tilla, qofshin ato pushimi apo mosfillimi”, thuhet në arsyetim.

Një rast i dytë i përcjellë prej ONM-së duket se ka rënduar edhe më shumë pozitat e Vatës. Ky i fundit ka pushuar hetimet për një aksident me dy të vrarë në një galeri në vitin 2012, por vendimi i pushimit është kundërshtuar prej djalit të një prej viktimave i cili pretendoi se “prokuroria e mbylli çështjen duke u mbështetur në akte të fabrikuara nga shoqëria me qëllim që t’i shmangej ndjekjes penale”.

Pas ankimit të tij, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të rihapeshin hetimet dhe i la Vatës detyra. Por ky i fundit pasi mbajti për disa muaj çështjen vendosi sërish pushimin e saj. Këmbëngulja e djalit të viktimës në gjykatë dëshmon sipas KPK-së se disa prej detyrave të lëna nga Prokuroria e Përgjithshme nuk ishin kryer. Dy gjykata – ajo e faktit në Dibër dhe ajo e Apelit në Tiranë rikthyen çështjen për hetim nga një prokuror tjetër, duke e cilësuar hetimin e prokurorisë të paplotë.

Duke iu referuar këtyre rasteve, KPK thotë se kishte dyshime për favorizim të sipërmarrësve dhe administratorëve të minierave. “Trupa gjykuese ka parë informacione konfidenciale pranë organeve ligjzatuese që i referohen favorizimit që subjekti i rivlerësimit ka kryer për personat nën hetim,” thuhet në vendim.

Ngjashmërisht konsiderohen edhe pushimet e katër hetimeve me plagosje po në miniera. KPK shprehet në vendim se në disa raste të plagosurit nuk ishin pyetur, por ishin marrë në konsideratë vetëm të dhënat e ofruara nga pronarët e kompanive. Në një rast thuhet se “ekspertët nuk u thirrën kurrë” dhe në disa raste nuk janë parë as raportet mjeko-ligjore për të plagosurit.

KPK në këtë pikë e akuzon Vatën deri për ndryshim të dëshmive. “Ndryshe nga sa shprehet prokuroria në vendimin e saj për mosfillimin e procedimit, punonjësit e marrë në pyetje nga policia nuk kanë deklaruar se aksidenti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së personit të dëmtuar”, thuhet në vendim.

Në të gjitha rastet thuhet se hetimet nuk kishin qenë të plota dhe se nuk ishin kryer veprimet e duhura hetimore qoftë edhe verifikime të licesave të kompanive dhe nëse ato kishin leje për të punuar në atë galeri. Në të gjitha rastet faji për aksidentin i është lënë viktimave dhe të plagosurve.

Vata u mbrojt duke pretenduar se “në çdo rast janë kryer gjitha veprimet e duhura verifikuese dhe hetimore, përfshirë këtu edhe aktekspertimet tekniko-minerare”. Pretenbdimet e tij u gjetën të pabazuara.

Hetimi i pasurisë dhe figurës

Nga vendimi i zbardhur i KPK-së rezulton se Vata ishte gjetur fillimisht me disa probleme të pasurisë. Komisioni shprehet në vendim se kishte pasur deklarim të pamjaftueshëm sa i përket një apartamenti 70,9 m2, me vlerë 1.5 milion lekë  në Burrel.

Komisioni shprehet se një shkëmbim i apartamentit me prindërit e subjektit nuk ishte deklaruar në vite dhe se kishte disa pasaktësi në deklarimin e vlerës së këtij apartamenti. Por në tërësi, KPK shprehet se shkeljet e gjetura në këtë rast nuk ishin penalizuese.

“Mospërputhjet midis deklarimeve të ndryshme lidhur me vlerën e apartamentit dhe mosdeklarimi nga ana e subjektit të shkëmbimit të apartamentit me prindërit e vet përbëjnë pasaktësi në deklarimet vjetore, të cilat do të çmohen për peshën e tyre specifike, në një vlerësim tërësor të çështjes në fjalë,” thuhet në vendim.

Edhe për apartamentin tjetër 91,34 metra i blerë në Tiranë, KPK gjeti një sërë problemesh. Apartamenti sipas deklarimit ishte financuar pjesërisht nga një shumë prej 3.6 milionë lekësh prej vëllait të subjektit. Sipas KPK-së, edhe pse ishte deklaruar në vitin 2006, kjo huamarrje nuk provohej me dokumente.

Vata kundërshtoi këtë gjetje duke pretenduar se kishte qenë një marrëdhënie besimi mes dy vëllezërve. Por sipas Komisionit, ai nuk mundi të provonte edhe që i vëllai i kishte fituar këto para në emigracion.

Në përgjigje për KPK, Vata pranon se i vëllai kishte punuar në të zezë pasi kishte qenë emigrant i paligjshëm. “Nuk kishte leje qëndrimi dhe rrjedhimisht nuk mund të punonte i siguruar, kësisoj, nuk janë paguar tatimet dhe as nuk janë derdhur kontributet për sigurimet shoqërore, lidhur me punën e ndershme që ka gjeneruar shumat në fjalë,” perifrazohet ai në vendimin e KPK-së.

Por Komisioni nuk i ka marrë për bazë këto pretendime. “Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur mjaftueshëm burime financiare të ligjshme për të kryer pagesën për blerjen kësaj pasurie. Gjithashtu, subjekti në deklaratat periodike për vitet 2007 dhe 2008 ka kryer deklarime të pamjaftueshme pasi nuk ka deklaruar në rubrikën përkatëse ekzistencën e detyrimit të mbartur ndaj të tretëve (në rastin konkret shumën prej 3,6 milionë lekësh ndaj vëllait të tij, z. M. V.)”, thuhet në vendim.

KPK thotë se nuk kishte asnjë provë që të tregonte lëvizjen e poarave nga Greqia në Shqipëri dhe as për kthimin pas të borxhit në vitin 2009, për të cilin Vata pretendoi se kishte përdorur një kredi.

Po ashtu, Vata doli me probleme edhe nga analiza financiare. Në vendimin e zbardhur thuhet se  për vitet 2006-2016 “ka një diferencë të pajustifikuar me të ardhura të ligjshme”. Sipas Komisionit Vata nuk provoi me burime të ligjshme 3.4 milion lekë.

Negativ për Vatën ishte edhe raporti nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK. Sipas raportit, kishte të dhëna “në bazë të të cilave për subjektin Hysni Vata, ngrihen dyshime për përfshirje në veprime korruptive, gjatë procesit të hetimeve në disa çështje penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër”.

Vata i kundërshtoi gjetjet e DSIK-së dhe në këtë pikë edhe Komisioni doli në përfundimin se të dhënat nuk ishin të mjaftueshme. “Nuk i konsideron të mjaftueshme informacionet, të dhënat dhe dyshimet e ngritura për të konkluduar për papërshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit për vijueshmërinë e funksionit të tij,” thuhet në vendim.

KPK në fund vendosi se Vata kishte shkelur tre nga pesë pikat e nenit 61 të ligjit për vetingun. Ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, rezultonte i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *