Anëtarja e KED, Margarita Buhali përballet pa probleme me vetingun
Lajme

Anëtarja e KED, Margarita Buhali përballet pa probleme me vetingun

Veç akuzave ndaj ish-bashkëshortit ende në hetim, me të cilin gjyqtarja dhe anëtarja e KED Margarita Buhali tha sa ishte distancuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk vuri në dukje probleme të tjera të gjyqtares.

Gjatë seancës në KPK ndaj gjyqtares së Apelit të Vlorës, Margarita Buhali. Foto:BIRN

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës Margarita Buhali, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të bëjë renditjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, u përball me vetingun në dukje pa probleme serioze.

Gjatë seancës së zhvilluar paraditen e të hënës Buhalit iu vu në dukje se nuk ishin gjetur probleme të pasurisë, profesionalizmit apo pastërtisë së figurës. Megjithatë relatorja e çështjes Valbona Sanxhaktari theksoi se pas plotësimit të deklaratës për veting, deri atëherë bashkëshorti i gjyqtares Gertmond Koroveshi ishte denoncuar në emisionin Fiks Fare, si i përfshirë në një aferë korruptive.

Buhali i tha Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjatë seancës që zgjati vetëm pak minuta, se ajo ishte distancuar nga ish-bashkëshortit, duke patur parasysh divorcin, ndërsa po ashtu tha se pavarësisht kësaj rrethane duhej të mbahej parasysh prezumimi i “pafajësisë së tij”, duke pretenduar se ai nuk mund të konsiderohej si “kontakt i papërshtatshëm” pa pasur ndaj tij një vendim gjykate.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Buhalin përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.

Margarita Buhali ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2013, me dekret të Presidentit të Republikës, Buhali është emëruar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku punon aktualisht. Margarita Buhali u zgjodh përmes shortit elektronik anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019.

Seanca ndaj Buhalit zgjati rreth 25 minuta. Relatorja Sanxhaktari vuri në dukje se gjyqtarja kishte pasuri për të justifikuar një apartament në Berat, i cili pas divorcit i kishte kaluar bashkëshortit dhe llogaritë bankare, kishte dhënë shpjegime të arsyeshme në lidhje me shpenzimet e saj përfshi transportin.

Një denoncim ndaj gjyqtares u gjet i pabazuar prej KPK, pasi në këtë rast ajo kishte qenë në pakicë brenda trupës gjykuese dhe nuk mund të ishte përgjegjëse përsa pretendohej në denoncim.

Gjatë relacionit u theksua fillimi i hetimeve ndaj ish-bashkëshortit, por Sanxhaktari vuri ne dukje se trupa gjykuese do të mbante parasysh aplikimin për divorc dhe faktin që edhe më herët gjyqtarja kishte bërë një kërkesë divorci që ishte mbyllur me pajtim.

Vetë Buhali tha se ishte dakordësuar me rezultatet e hetimit dhe falenderoi trupën gjykuese për këtë. Ajo vuri në dukje se ishte distancuar nga ish-bashkëshorti dhe se kishte dhënë shpjegime të detajuara për këtë çështje, por u rezervua të fliste në seancë. Ajo këmbënguli megjithatë që ndaj ish-bashkëshortit të saj duhej të mbahej parasysh “e drejta e prezumimit të pafajësisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *