Ankesat për shkelje procedurale nuk e shpëtuan ish-gjyqtarin Alaudin Malaj

Lajme Skeda
Kolegji i Apelimit pranoi se në vendimmarrjet e ndërmjetme të KPK-së në çështjen ndaj Alaudin Malajt kishte disa shkelje procedurale, po i konsideroi ato të korrigjuara me dëgjimin e tij në Kolegj dhe vuri në dukje se ato nuk cënonin thelbin e çështjes, që kishte të bënte me dorëheqjen e Malajt.

Alaudin Malaj gjatë seancës dëgjimore në KPA | Foto : Vladimir Karaj

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj u përpoq të sfidonte në tërësi procesin e rivlerësimit ndaj tij, edhe pse kishte dhënë dorëheqjen.  Malaj pretendoi prishje të vendimit të KPK-së, që e kishte përjashtuar për 15 vjet nga sistemi pas dorëheqjes dhe rishqyrtim të çështjes po në KPK.

Por Kolegji, i cili gjeti disa shkelje procedurale nga KPK, përfshi mosthirrjen e Malajt për t’u dëgjuar, i cilësoi pretendimet të padrejta, ndërsa arsyetoi se ato nuk ndikonin vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sipas KPA-së, shkeljet procedurale nuk ndikonin “vendimmarrjen përfundimtare të trupit gjykues të Komisionit të materializuar në vendimin nr. 294, datë 15.09.2020, lidhur me deklarimin e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit për subjektin Alaudin Malaj, për rrjedhojë, sa më sipër konstatuar në shqyrtim të pretendimit të subjektit të rivlerësimit, nuk mund të vlerësohet si shkak i drejtë dhe i bazuar për cenimin e vendimit të Komisionit”.

Malaj, siç del nga vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pretendoi parregullsi procedurale dhe shkelje të drejtash, ndërsa u ankua për 7 nga 12 anëtarët e KPK dhe për vëzhguesin ndërkombëtar.  Gjatë procesit në Kolegj, Malaj po ashtu kërkoi përjashtimin e trupës së kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama që po shqyrtonte rastin e tij. Ai po ashtu sulmoi si të njëanshëm edhe vëzhguesit ndërkombëtar.

Çështja ndaj Malajt ishte pjesë e një grupi çështjesh me ish-gjyqtarë të rangjeve të larta, që në një formë apo një tjetër iu larguan procesit të rivlerësimit dhe më pas ankimuan vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përjashtonte ata për 15 vjet. Të gjitha çështjet, përfshi ato për tre ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë u dëgjuan në KPA, pasi Komisioni u kishte shkelur gjyqtarëve “të drejtën për tu dëgjuar”, por në të gjitha rastet vendimin i përjashtimit mbeti në fuqi.

Në rastin e Malajt, KPA zhvilloi disa seanca të gjata dhe shqyrtoi siç del nga vendimi një mori kërkesash, shumica e të cilave u rrëzuan njëra pas tjetrës pasi nuk kishin lidhje me procesin.

Kolegji gjeti ndërkohë të pabazuara në fakte pretendimet e Malajt ndaj anëtares së KPK-së, Suela Zhegu. Malaj kishte pretenduar se ai po gjykonte një çështje ndaj bashkëshortit të komisioneres Zhegu. Por në vendim vihet në dukje se bashkëshorti i saj kishte kërkuar përjashtimin e Malajt nga trupa që do të gjykonte rastin e tij, pikërisht për shkak të faktit se ai ishte në proces rivlerësimi. Zhegu po ashtu kishte kërkuar të përjashtohej nga trupa që po hetonte Malajn. KPA thotë se Gjykata e Apelit kishte pranuar kërkesën për përjashtimin e Malajt në çështjen penale dhe më pas KPK kishte rrëzuar kërkesën e Zhegut, pasi konflikti i interesit nuk ekzistonte më.

Ngjashëm KPA rrëzoi pretendimet për komisionerët Lulzim Hamitaj, Olsi Komici, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli. Këtë të fundit Malaj e akuzonte se ishte e afërme e bashkëshortes së tij, por Kolegji arsyetoi se ajo kishte shqyrtuar çështje të përjashtimit ose jo të trupave dhe nuk përfshihej në rrethin e personave në konflikt interesi.

Një pjesë e mirë e kërkesave të Malajt sipas Kolegjit nuk kishin lidhje me çështjen. Malaj ankohej për procedurën e hetimit administrativ, mosmarrjen e disa provave të pretenduara prej tij apo mos shtyrjen e afateve të hetimit, por Kolegji arsyeton se këto nuk kishin ndonjë vlerë sa kohë Malaj kishte dhënë dorëheqjen.

“Nuk mund të përbëjë shkak për cenimin e thelbit të vendimmarrjes së kundërshtuar të Komisionit, e cila lidhet me ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, si pasojë e humbjes së statusit të subjektit të rivlerësimit ex officio, në kuptim të përcaktimeve të nenit 179/b, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra”, thuhet në vendim në lidhje me pretendimin e Malajt se ishte diskriminuar nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.




Ankesat për shkelje procedurale nuk e shpëtuan ish-gjyqtarin Alaudin Malaj

Lajme Skeda
Kolegji i Apelimit pranoi se në vendimmarrjet e ndërmjetme të KPK-së në çështjen ndaj Alaudin Malajt kishte disa shkelje procedurale, po i konsideroi ato të korrigjuara me dëgjimin e tij në Kolegj dhe vuri në dukje se ato nuk cënonin thelbin e çështjes, që kishte të bënte me dorëheqjen e Malajt.

Kolegji i Apelimit pranoi se në vendimmarrjet e ndërmjetme të KPK-së në çështjen ndaj Alaudin Malajt kishte disa shkelje procedurale, po i konsideroi ato të korrigjuara me dëgjimin e tij në Kolegj dhe vuri në dukje se ato nuk cënonin thelbin e çështjes, që kishte të bënte me dorëheqjen e Malajt.