Prokurori i Apelit të Durrësit Ludovik Doda, pas seancës së vendimit në KPK. Foto:BIRN
Artikull kryesor Lajme KP Lajme Në Fokus

Ankimohet konfirmimi në detyrë i prokurorit Ludovik Dodaj

Prokurori i Apelit Durrës Ludovik Dodaj arriti të kalojë me lehtësi vetingin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Florian Ballhysa apeloi vendimin duke argumentuar se Dodaj nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij të tundshme si dhe kursimet cash me një diferencë negative prej 3.1 milionë lekësh.

Prokurori i Apelit të Durrësit Ludovik Doda, pas seancës së vendimit në KPK. Foto:BIRN

Komisioneri Publik Florian Ballhysa ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të apelit Durrës Ludovik Dodaj të enjten duke argumentuar se subjekti i rivlerësimit “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.

Dodaj ka filluar punë si prokuror në Kukës në vitin 1983 dhe më vonë në Shkodër para se të fillonte punë në prokurorinë pranë gjykatës së Apelit Durrës në vitin 2002. Dodaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 8 qershor pa shumë probleme pasi komisioni gjeti vetëm probleme të vogla në burimet për gjetjen e parave për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2006 si dhe të kursimeve cash në sasi të konsiderueshme.

Komisioneri ngre pikëpyetje mbi paratë e deklaruara në vitin 2003 të Dodajt prej 2.2 milionë lekësh të mbajtura në shtëpi si para të thata dhe të krijuara me burim nga shitja e një shtëpie në Shkodër në masën 1.9 milionë lekë dhe shitjes së mobiljeve në masën 300 mijë lekë.

Komisioneri ngre gjithashtu pikëpyetje nëse subjekti kishte apo jo në dispozicion 25 mijë euro të paguara në vitin 2006 për blerjen e apartamentit në Durrës.

Komisioneri argumenton gjithashtu se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka shkuar përtej pretendimeve të subjektit për të justifikuar shpenzimet që nuk mbulohen dot nga të ardhurat e ligjshme të subjektit.

Komisioneri llogarit se prokurorit Dodaj i rezulton një diferencë negative e akumuluar në vite prej 3.1 milionë lekësh shpenzime dhe kursime të cilat duket se nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme.

Komisioneri thotë gjithashtu se Dodaj duket se ka probleme edhe me kriterin e pastërtisë së figurës, pasi ka deklaruar se nga viti 2002 deri në vitin 2006 ka banuar pa kundërshpërblim te banesat e dy të njohurve të tij, të cilët, vite më vonë, janë hetuar, njëri për trafik droge dhe tjetri për abuzim me detyrën dhe shkelje të barazisë në tenderë.

“Komisioneri Publik konstaton se Komisioni e ka kufizuar vlerësimin

e rezultateve të hetimit administrativ, të paktën për njërin nga këta shtetas, duke i vlerësuar vetëm brenda përcaktimeve të kontrollit te figurës, ndërkohë që ka pasur elemente të mjaftueshme për të vërtetuar ekzistencën e përmbushjes së kritereve të vlerësimit të etikës profesionale nga ana e subjektit të rivlerësimit,” shkruhet në dokumentin e ankimimit. [Link]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *