Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Apeli konfirmon shkarkimin e prokurorit Luan Kaloçi

Trupa gjykuese e KPA vendosi në dhomë këshillimi të linte në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili shkarkoi në korrik të këtij viti prokurorin e Apelit Luan Kaloçi, për kontrata fiktive, e deklarime kontradiktore.

Prokurori i Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi dhe avokati Ardian Visha përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Besar Likmeta.

Shkarkimi i ish-prokurorit të Apelit të Tiranës Luan Kaloçi mori formë të prerë pas shqytimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ashtu si në rastet e tjera KPA ka vendosur të mos e kalojë dosjen në seancë, por të vendosë vetëm mbi provat e mbledhura nga KPK.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Rezarta Schuetz, relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Luan Daci, vendosi këtë të martë që çështja ndaj Kaloçit ishte e plotë dhe se vendimi i KPK-së ishte i drejtë. “Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht: Lënien në fuqi të vendimit nr. 33, datë 05.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Luan Kaloçi”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga KPA.

Lexo edhe:

Kaloçi u shkarkua në 5 korrik nga KPK pasi u gjet me probleme në kriterin e pasurisë. KPK arsyetoi se ai “kishte bërë deklarim të rremë” dhe nuk justifikonte pasuritë. Kaloçi, i cili u përfshi me prioritet në rivlerësim për shkak të kandidimit në KPK, apeloi vendimin në KPA. Ai pati pretenduar gjatë seancës dëgjimore se pasaktësitë ishin për shkak të informalitetit të ekonomisë shqiptare.

Konfirmimi i shkarkimit të Luan Kaloçit të martën, pas shqyrtimit të dosjes në dhomë këshillimi është i pesti i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Deri tani KPA ka konfirmuar të gjitha vendimet e KPK-së për shkarkim subjektesh. Më herët ishte konfirmuar shkarkimi i ish-anëtarëve të Kushtetueses Fatos Lulo dhe Fatmir Hoxha. Po ashtu u konfirmua shkarkimi i gjykatësit Besim Trezhnjeva dhe prokurores Besa Nikëhasani.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *