Anëtari i KLP-së, Arben Dollapaj dhe avokati i tij, Viktor Gumi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Arben Dollapaj rikthehet në veting: Pro çeljes së hetimit në Kolegj

Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi ri֛çeljen e shqyrtimit gjyqësor për pasurinë e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj. Kërkesa u miratua nga Dollapaj, i cili kërkoi verifikimin e plotë të pasurive të tij.  

Anëtari i KLP-së, Arben Dollapaj dhe avokati i tij, Viktor Gumi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Prokurori Arben Dollapaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u rikthye të mërkurën sërish përballë vetingut, pas një ankimi të Komisionerit Publik që e konsideron të paplotë hetimin e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbi kriterin e pasurisë.

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, komisioneri Florian Ballhysa kërkoi riçeljen e shqyrtimit gjyqësor për Dollapajn. I shoqëruar nga avokati Viktor Gumi, edhe prokurori Dollapaj kërkoi riçeljen e hetimit, duke u shprehur i hapur për çdo lloj verifikimi.

Vetingu në shkallën e dytë për prokurorin Arben Dollapaj po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relator Luan Daci dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo anëtarë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Komisioneri Ballhysa tha se nuk do të relatonte lidhur me kundër-ankimin, pasi vetë prokurori Dollapaj ishte shprehur se do të dorëzonte prova të reja dhe për këtë arsye u përqendrua tek shkaqet e ankimit. Komisioneri sqaroi se në këto parashtrime do të identifikonte nevojat për hetim të ri gjyqësor.

Sipas Ballhysës, është e nevojshme të hetohet lidhur me dy pasuri të prokurorit Dollapaj, të një shtëpie në Valbonë ku ai është bashkë-investitor me vëllanë, motrën dhe nënën si dhe një shtëpi private në Selitë të Tiranës. Ballhysa u ndal edhe te dy denoncime të kryera pas dhënies së vendimit nga KPK lidhur me këto dy pasuri, duke pohuar se është e nevojshme që të kryhet një hetim i mëtejshëm gjyqësor.

“Denoncuesit pretendojnë se shtëpia në Tiranë është me katër kate dhe jo me tre sa është deklaruar, ndërsa shtëpia në Valbonë të Tropojës, ku prokurori Dollapaj ka në pronësi ¼ përdoret për shërbime hotelerie,” tha komisioneri në seancë. Ai i kërkoi KPA-së që të mundësojë verifikimin e këtyre pretendimeve të denoncuesve.

Komisioneri deklaroi gjithashtu se një hua prej 25 mijë USD e marrë nga kunati në Shtetet e Bashkuara është e nevojshme të provohet me dokumentacion. Huaja është deklaruar si burim për blerjen e shtëpisë në Tiranë nga vëllai i tij. Ballhysa kërkoi edhe verifikimin e një kredie të butë në vlerën 5 milionë lekë, duke theksuar se nga KPK duhej të ishte verifikuar nëse prokurori i plotësonte kushtet për kredinë e butë dhe nëse kishte apo jo në këtë rast fiktivitet për qëllim përfitimi kredie.

Hetim gjyqësor u kërkua edhe për blerjen e shtëpisë nga vëllai i prokurorit Dollapaj si dhe për faktin nëse çmimi ka qenë favorizues. “Vëllai i subjektit e ka blerë shtëpinë dhe truallin nga një shtetas kosovar në shumën 3.9 milionë lekë dhe vlera e punimeve ka qenë 5.6 milionë lekë. Është e nevojshme që të verifikohet nëse shtetasi kosovar ka qenë i proceduar gjatë kohës kur prokurori Dollapaj shërbente në Prokurorinë e Tiranës,” shtoi Ballhysa.

Pjesë e ankimit është edhe verifikimi i ligjshmërisë së burimeve të dhurimit të vlerës 10 mijë USD nga motrat dhe 200 euro nga vjehrri. Ai shtoi se është e nevojshme që motrat, kunati, vëllai dhe nëna të konsiderohen si persona të tjerë të lidhur me prokurorin Dollapaj dhe të verifikohet ligjshmëria e burimit të shumave të dhuruara, të huasë  dhe atyre të investuara.

Duke e konsideruar hetimin administrativ të KPK-së joshterues, Ballhysa i kërkoi Kolegjit që në fund të vendosë bazuar në rezultatet që do të konkludohen nga kryerja e veprimeve të reja hetimore.

Dollapaj, i hapur për verifikime

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj nuk e kundërshtoi ankimin e komisionerit në Kolegjin e Posaçëm të Apelit dhe as kërkesën për t’i konsideruar familjarët e tij si persona të lidhur. Përmes avokatit të tij, Viktor Gumi, Dollapaj bëri me dije se kishte dorëzuar 340 faqe me dokumente provuese në datën 2 dhjetor dhe i kërkoi KPA-së që të marrë vendim vetëm pasi të jetë kryer verifikim i plotë.

“Përderisa kam pasur marrëdhënie huaje me kunatin dhe motrat e mia, e vlerësoj të drejtë konsiderimin e tyre si persona të tjerë të lidhur. Ndërsa me nënën dhe vëllanë nuk kam pasur asnjë marrdhënie huaje, dhurimi apo ndonjë konflikt interesi për shkak të punës sime dhe nuk duhet të konsiderohen persona të tjerë të lidhur. Gjithsesi, jam dakord të cilësohen kështu,” u lexua në seancë qëndrimi i prokurorit Dollapaj.

Avokati Gumi sqaroi se tre motrat që kanë kryer dhurimet dhe kunati që i ka dhënë huanë kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1995-1998. Gumi theksoi se kunati i Dollapajt, H.S. është një sipërmarrës i sukseshëm dhe argumentoi se kjo faktohej jo vetëm me dokumentet me vulë apostile të servirura dhe nga verifikimi i institucioneve amerikane online, por edhe nga artikujt e medieve të ndryshme amerikane që e portretizojnë si të tillë.

“H.S. ka të ardhura financiare që e mbulojnë dhjetëra herë huanë e dhënë,” tha Gumi.  Ai sqaroi se dhe motrat dhe mbesa e prokurorit Dollapaj kishin të ardhura të mira, pasi punonin si mjeke, mësuese dhe juriste dhe i renditi KPA-së shifrat e pagesave të tyre. Edhe për dhuratën 200 euro të kryer nga vjehrri, avokati tha se në atë kohë ai kishte pasur një depozitë bankare në vlerën 1 milion lekë. Avokati sqaroi se vjehrri i prokurorit Dollapaj kishte punuar si stomatolog dhe kishte pasur të ardhura financiare të kënaqshme.

Avokati i Dollapajt tha se të gjitha vlerat e mësipërme provohen me dokumentacion ligjor dhe ishin kryer nëpërmjet transaksioneve bankare plotësisht të verifikueshme.

Më pas, ai u ndal në shkakun e ngritur nga Komisioneri lidhur me përfitimin e kredisë së butë në vlerën 5 milionë lekë me 4% interes, të përdorur si burim për blerjen e shtëpisë nga vëllai në Tiranë. Sipas avokatit Gumi, marrja e kredisë ishte bazuar në ligj, i cili garantonte mundësinë e strehimit të prokurorëve të pastrehë dhe trajtimin me kredi të butë.

“Në atë kohë, familja ime s’kishte pasuri, aktivitet privat dhe nuk kishim marrë kredi të ngjashme më parë. Kam aplikuar dhe kam përfituar kredi sipas statusit të prokurorit se isha i pastrehë e jetoja përkohësisht tek vëllai. Tek shtëpia rrinim pa qira, por paguanim shpenzimet,” ishte qëndrimi i Dollapajt.

Gumi vijoi më tej se vëllai i prokurorit kishte pasur aktivitet privat pas viteve ’90 dhe kishte qenë në gjendje të mirë ekonomike, prandaj edhe kishte mundur të blinte shtëpinë në Tiranë. Dollapaj e quajti të pavërtetë denoncimin lidhur me katet e banesës në Tiranë. “Denoncimi se banesa është me katër kate është i pavërtetë. Është me tre kate dhe është verifikuar fizikisht. Godina është aty, 2+1 kate,” tha Dollapaj.

Lidhur me dyshimet për konflikt interesi, Dollapaj shtoi se nuk ka pasur asnjë njohje me shtetasin Kosovar që i ka shitur shtëpinë vëllait. Ai shtoi se mesa dinte, shtetasi kosovar nuk ishte hetuar apo gjykuar ndonjëherë në Shqipëri, por se nuk mund ta kryente personalisht këtë verifikim pasi i ndalohej ligjërisht.

Ata u ndalën në vlerën e ndërtimit të shtëpisë, duke pohuar se sipas ekspertit të pajtuar prej tyre, nuk mund të shkonte më shumë se 2.6 milionë lekë, kjo referuar çmimeve të periudhës 1992-1995. Gumi tha se në kontratë nuk ka një çmim të preventivit.

Për shtëpinë në Valbonë, Gumi shpjegoi se mbulesa e çatisë, parketet dhe veshja e godinës janë dërguar prej SHBA-së me kontenier nga motra dhe kunati. Ai theksoi se ka një praktikë zhdoganimi që e vërteton këtë gjë.

Dollapaj shprehu dakordësi edhe me përshkrimin e Komisionerit për bujtinën e hapur nga vëllai dhe motra në Valbonë. Megjithatë, ai shtoi se pjesa e prokurorit ishte e ndarë dhe e pabanueshme dhe se nuk janë përfunduar punimet.

Avokati Gumi pohoi se më datë 2 dhjetor, kanë paraqitur pranë KPA-së një analizë të re financiare, sipas së cilës rezulton me diferencë pozitive. Ai tha se vetëm për vitin 2007 ka një diferencë negative -10 mijë lekësh, që sipas tij nëse do të verifikohet gjithçka, mund të rezultojë edhe kjo pozitive.

“Ne jemi të hapur për çdo lloj verifikimi në Valbonë dhe në Tiranë. Pavarësisht qëndrimit të Komisionerit, s’kam asnjë marrëdhënie interesi me vëllanë e motrën. Jemi për riçeljen e hetimit dhe qartësimin e plotë të procesit,” tha përfaqësuesi i Dollapajt në seancë.

Pasi u tërhoq për administrimin e provave, KPA i kërkoi Komisionerit të shprehej lidhur me vazhdimësinë e seancës. Ballhysa kërkoi rreth një javë kohë për t’u njohur me provat e reja dhe për të përgatitur qëndrimin e tij. Kolegji vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 16 dhjetor, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *