Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Arben Zefi dha dorëheqjen pasi u shkarkua nga KPK për probleme të pasurisë

Arben Zefi, ish-drejtues i Gjykatës së Shkodrës u gjet me një mori problemesh të pasurisë, përfshi asete të padeklaruara dhe pronësi mbi një makinë e cila rezultoi e vjedhur.

Kryetari i Gjykatës se Shkodrës, Arben Zefi, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga: LSA

Disa orë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte marrë vendimin për ta shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia Arben Zefi, deri në atë moment drejtues i Gjykatës së Shkodrës, i dorëzoi Komisionit një dorëheqje.

“Unë Arben Zefi, me detyrë gjyqtar në Republikën e Shqipërisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, dhe Kryetar i kësaj gjykate, paraqes para Jush dorëheqjen nga detyra e Gjyqtarit në Republikën e Shqipërisë. Tiranë, më datë 10 janar 2019”, citohet në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) letra e dorëheqjes së Zefit.

Treshja që gjykoi rastin Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare vendosën të mos e merrnin parasysh këtë dorëzim. KPK shprehet në vendim se akti kishte ndodhur pas seancës dëgjimore dhe madje pasi trupa kishte marrë vendimin dhe se praktikisht duhej një muaj që ai të hynte në fuqi.

Dorëheqja e Zefit del nga vendimi i zbardhur si akti i fundit i ish-gjyqtarit i cili ndërkohë ishte i qartë se nuk mund të kalonte procesin për shkak të një morie problemesh në pasurinë e tij, përfshi pasuri të padeklaruara dhe komfliktin e interesit me një kompani ndaj të cilës kishte gjykuar ndërsa kishte një kontratë.

Arben Zefi kishte filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar prej më shumë se 15 vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër dhe prej vitit 2014 është emëruar kryetar i kësaj gjykate.

Pasuritë me probleme

Vendimi i zbardhur i KPK lë të kuptohet se Zefi kishte dorëzuar një formular jo të plotë pranë KPK-së. Ai kishte marrë një vlerësim pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por KPK-së i rezultoi se nuk kishte deklaruar disa herë burimin e pasurive, ndërsa sqarimet e mëvonshme e komplikuan më shumë se sa e përmirësuan situatën e tij.

Një apartament 132,8 m2 në Shkodër ishte problemi i parë në pasuritë e gjyqtarit të shkarkuar. KPK thotë se ai nuk kishte deklaruar “burimin e të ardhurave për blerjen e këtij apartamenti”. Pas kalimit të barrës së provës Zefi ka pretenduar se shtëpia ishte blerë me para nga kursimet dhe të ardhurat nga shitja e një apartamenti të mëparshëm.

Megjithatë Komisioni nuk e gjeti të vërtetë këtë pohim. Nisur nga një kontratë shitblerje në të cilën thuhej se Zefi kishte shlyer totalisht shitësin në datën 27 mars 2005, ndërsa apartamenti i parë ishte shitur vetëm në korrik të atij viti. KPK nuk i pranoi arsyetimet e Zefit duke i konsideruar ato të paplota, ndërsa iu referua kontratës dhe po ashtu edhe regjistrimit të pasurisë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër (ZVRPP) i cili po ashtu kishte ndodhur para shitjes për 1.9 milion lekë të apartamentit.

KPK në fund për këtë apartament arsyetoi se ai kishte kryer “deklarim të pasaktë” dhe ka “mungesë të burimeve”.  Sipas vendimit të zbardhur rezultoi se Zefit i mungonin rreth 1.6 milion lekë për të blerë këtë apartament.

Sqarimet e Zefit në lidhje me paratë e fituara nga apartamenti i shitur në vitin 2005 rezultuan ndërkohë problematike në vijim. KPK hetoi pasurinë dhe gjeti se ajo ishte përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) për shkak të statusit si i pastrehë, por që nga hetimi rezultoi se ai nuk mund të justifikonte përfitimin e kësaj shtëpie.

KPK gjeti se në vitin 2001 kur është blerë apartamenti Zefi kishte depozituar në EKB një certifikatë familjare në të cilën ndodheshin motrat e tij dhe vëllezërit. Deklarimi i numri të shtuar anëtarësh i kishte mundësuar atij përfitimin e një shume prej 800 mijë lekësh. Vetë Zefi pranoi para KPK-së se motrat e tij nuk kishin qenë pjesë e trungut familjar prej vitesh. “Motra L.Z. është ndarë nga familja për shkak të martesës në vitin 1987”, thuhet në shpjegimet e tij, ku del po ashtu se edhe motra tjetër nuk kishte qenë në atë kohë pjesë e familjes dhe po ashtu se familja kishte pasur në fakt një shtëpi në Lezhë të blerë më herët.

“Mbështetur në deklarimet e mësipërme të vetë subjektit, rezulton se familjarët e tij të përfshirë në llogaritjen e Entit Kombëtar të Banesave nuk kanë qenë anëtar të familjes së tij dhe rrjedhimisht ato nuk mund të përfshiheshin në llogaritjen e shumës që do të përfitonte subjekti i rivlerësimit në zbatim të ligjit nr. 8030”, thuhet në arsyetimin e KPK.

Komisioni e cilësoi këtë si përfitim “në kundërshtim me ligjin” dhe bën me dije se Zefi nuk mundi të jepte shpjegime sqaruese. Po ashtu në këtë pikë KPK thotë se nuk mori nga ish-gjyqtari dokumentacion provues për të treguar destinacionin e shumës 1.9 milion të përfituar nga shitja e apartamentit në vitin 2005 dhe se kjo shumë nuk ishte deklaruar në “Deklaratën Veting”. “Është e paqartë se për çfarë janë përdorur paratë e përfituar nga shitja e këtij apartamenti duke e vënë subjektin e rivlerësimit në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm”, thuhet në vendim.

Problematike për Zefin rezultuan po ashtu makinat që ai kishte në përdorim apo në posedim. Sipas vendimit të zbardhur një prej makinave u sekuestrua nga policia sepse rezultoi e vjedhur. Makina ishte marrë nga Zefi fillimisht në përdorim dhe më pas në pronësi përmes një akti që rezultoi i falsifikuar nga një hetim penal ndaj vëllait të tij.

Në dosje përfshihet edhe një dëshmi e vetë Zefit për llogari të procedimit penal ndaj të vëllait, në të cilën ai pranon se i vëllai “ka kryer veprime jo të ligjshme dhe tani që jam njohur me dosjen e targimit të mjetit konstatoj se ka akte të cilat nuk janë reale pra janë të falsifikuara”.

KPK gjeti se për makinën një BMË kishte po ashtu deklarime të pasakta për vitin e blerjes dhe një sërë problemesh të tjera. Një makinë tjetër në pronësi të bashkëshortes rezultoi po ashtu problematike dhe e me deklarim të paplotë e të pasaktë.

Konflikti i interesit dhe transferta 100 mijë dollarë

Analiza financiare e likuiditeteve rezultoi po ashtu problematike për Zefin. Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së ish-gjykatësi i kishte lënë në përdorim të vëllait kartën e debitit në të cilën hidhej rroga e tij. Komisioni nuk pranoi justifikimin e Zefit se paratë e tërhequr prej këtij të fundit në Itali ishin rimbursuar nga e motra.

Ndërkohë Komisioni gjeti se Zefi nuk kishte deklaruar se në gusht 2007 kishte marrë në llogarinë e tij bankare një shumë prej 100 mijë dollarësh. Zefi i tha trupës që e hetoi se kjo shumë ishte hedhur në llogari nga miku i tij biznesmen në Kanada dhe se ishte marrë po prej tij, por KPK tha se nuk kishte asnjë dokument që të vërtetonte këtë.

Komisioni shprehet se “nuk ka asnjë dokument për të vërtetuar se çfarë ka bërë subjekti i rivlerësimit me këtë shumë”.  KPK thotë se pas shqyrtimit arriti në përfundimin se në këtë rast Zefi ishte “në kushtet e mosdeklarimit të shumës 100.000 USD në deklaratën “Vetting” dhe deklarimit të pamjaftueshme për destinacionin e kësaj shume”.

Ndërkohë problem për Zefin rezultoi edhe destinacioni i një shume 50 mijë euro. Nga deklarimet rezultoi se Zefi kishte bërë një kontratë me një kompani për të përfituar në një kohë të dytë një hapësirë në ndërtimet që ajo do të kryente.

KPK thotë se dhënia e kësaj shume nuk ishte deklaruar në deklaratën “Vetting” dhe se po ashtu ai kishte “mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar të ardhurat për dhënien e shumës 50.000 euro”.

Pretendimi i Zefit se kontrata nuk ishte përmbyllur dhe për këtë nuk kishte pasur detyrim ta deklaronte e se do e deklaronte kur ajo të mbyllej dhe ai të përfitonte prej saj, nuk u quajt bindës nga KPK. Komisioni vuri në dukje se kjo nuk ishte deklaruar as në deklaratat vjetore në vitin 2010 dhe as në vitin 2007 kur pretendohej se ishte kryer pagesa.

Komisioni që hetoi këtë rast gjeti se gjyqtari kishte marrë pjesë në shqyrtimin e një çështje që kjo kompani kishte në Gjykatën e Shkodrës. Nga të dhënat e përmendura në vendimin e zbardhur rezulton se kompania kishte ngritur padi “Pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, faturë energjie”.

KPK thotë se shpjegimet e Zefit se pse nuk kishte hequr dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje nuk ishin bindëse aq më shumë që ai vetë në deklarim kishte pretenduar marrëdhënie shoqërore me ortakë të kompanisë. “Në këto kushte, Komisioni, çmon se subjekti ka cenuar figurën e gjyqtarit, duke ushtruar veprimtarinë e tij në kushtet e konfliktit të interesit. Në të njëjtën kohë ai ka cenuar besimin e publikut te një drejtësi e pavarur dhe e paanshme”, thuhet në vendim.

Zefit iu gjetën probleme edhe sa i përket mosdeklarimit të plotë të pasurive që e shoqja kishte trashëguar dhe një sërë mosdeklarimesh të sakta të llogarive bankare e të ngjashme, përfshi edhe depozita bankare.

KPK thotë se po ashtu nga analiza financiare Zefi nuk kishte qenë në gjendje të mbulonte shpenzimet e kryera. Ndërkohë një raport i DSIK që e nxorri atë të papërshtatshëm dhe që pretendonte se ai kishte marrë para për të liruar një të dënuar, nuk u vërtetua prej KPK.

Komisioni tha se gjetjet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk ishin të mjaftueshme për të shkarkuar Zefin, por që kishin ndikuar në vlerësimin e përgjithshëm. Në fund Komisioni shkarkoi Zefin për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” dhe për “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *