Gjyqtarja Arbena Ahmeti | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Vendi

Arbena Ahmeti përballet me të njëjtën barrë prove si bashkëshorti prokuror

Komisioni i Pavaur i Kualifikimit e ka bazuar verifikimin e pasurisë së gjyqtares Arbena Ahmeti në hetimin e kryer më parë për bashkëshortin e saj – prokurorin Arens Çela, i konfirmuar në detyrë me shumicë votash, por me vendim të formës së prerë.

Gjyqtarja Arbena Ahmeti | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Tiranës, Arbena Ahmeti u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës u evidentuan të njëjtat gjetje për pasurinë ashtu si dhe në procesin e vetingut të bashkëshortit të saj, ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Arens Çela, i konfirmuar në detyrë më shumicë votash, por me formë të prerë pasi nuk u ankimua prej Komisionerit Publik.

Ahmeti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizimin e konstatuan tejkalim të afeteve në disa gjykime si dhe u evidentuan 19 denoncime, ku subjektit i janë kërkuar shpjegime vetëm për një prej tyre.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Arbena Ahmeti kryesohet nga Genta Tafa Bungo, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Arbena Ahmeti i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pasi punoi një vit në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Lushnjë ku punoi gjatë periudhës 2007-2013. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Mungesat për pasurinë

Relatori Roland Ilia shpjegoi në fillim të seancës së pjesa më e madhe e hetimit për pasurinë është bazuar në hetimin administrativ të kryer më parë nga Komisioni për bashkëshortin e saj, prokurorin Arens Çela, pasi ka rezultuar se disponojnë pasuri të njëjta. “Është pyetur subjekti nëse mban të njëjtin qëndrim si bashkëshorti lidhur me konstatimet për pasuritë dhe ajo ka deklaruar se u përmbahet deklarimeve të tij”, sqaroi Ilia.

Për një apartament me sipërfaqe 67 m2 + 9 m2 sipërfaqe e përbashkët, të porositur në shtator të vitit 2008 për vlerën 60 mijë e 800 euro dhe të marrë në dorëzim në vitin 2010, subjekti ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat e saj nga paga si magjistrate dhe pranë Bashkisë Tiranë; të ardhurat e bashkëshortit si prokuror; dy huamarrje, një nga nëna e saj në shumën 10 mijë euro dhe tjetra nga vjerri 5 mijë euro; si dhe një kredi në shumën 3 milionë lekë.

Në procesin e bashkëshortit të subjektit, anëtarët në shumicë Pamela Qirko dhe Firdes Shuli vlerësuan se prokurori Çela dhe bashkëshortja kanë pasur burime të ligjshme për apartamentin, ndërsa anëtarja në pakicë Xhensila Pine çmoi se ata gjendeshin në pamundësi financiare për kryerjen e këtij investmi.

Shumica konstatoi se bashkëshortët Çela kishin krijuar kursime në formë likujditetesh që janë deklaruar rregullisht dhe janë përfshirë si të ardhura në analizën financiare, prej nga ka rezultuar se kanë pasur burime për pagesën e këstit të parë në shtator 2008 në shumën 18 mijë euro.

Në pakicë, anëtarja Pine arsyetoi nuk kishin mundësi pasi nuk justifikohej shuma e depozituuar cash në vitin 2006, që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë.

Shumica është bindur edhe për burimet e prindërve për dhëniet e huave, por Pine evidenton se nëna e gjyqtares Ahmeti e ka pasur në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin apartamentin që ka shitur dhe nuk e ka disponuar gjithë vlerën e pretenduar si burim. Po ashtu, Pine vlerëson se pprindërit e bashkëshortit të subjektit nuk kanë pasur mundësinë për dhënien e huasë 5000 euro, pasi për periudhën 2006-2011 kur ata kanë ndihmuar prokurorin Çela nëpërmjet dhurimeve apo huave, sipas saj ata kanë rezultuar me balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë.

Sipas Ilias, nga verifikimi i burimeve ka rezultuar se për pagimin e këstit të parë në shumën 18 mijë euro kanë shërbyer likujditetet cash dhe ato në bankë, të deklaruara në vitin 2007 nga subjekti dhe bashkëshorti i saj. Ndërsa për huatë, veç faktit se nuk kanë qenë të formalizuara me dokumentacion ligjor të kohës kur janë deklaruar se janë marrë, ka rezultuar pamundësi e prindërve të të dy subjekteve për kursimin e shumave të pretenduara.

Megjithëse nëna e subjektit ka shitur një apartament dhe një truall në qytetin e Lushnjës, si dhe ka përfituar një shumë 249 mijë lekë nga motra e saj që është përfshirë në analizën financiare, Komisioni ka kryer analizën për periudhën 1994-2008 dhe konstaton pamundësi për dhënien e huasë. E njëjta situatë ka rezultuar edhe për huanë e dhënë nga vjehrri i subjektit. Ilia shpjegoi se prindërit e bashkëshortit të Ahmetit kishin porositur në ato kohë dy apartamente dhe rezultonin në pamundësi për dhënien e huasë.

Për kredinë nuk janë gjetur probleme dhe është konstatuar se subjekti ka pasur mundësi për pagesën e këstit të fundit në shumën 3800 euro në momentin e marjes në dorëzim të apartamentit. Por, trupi gjykues ka konstatuar se pagesa e këtij kësti nuk është depozituar tek shoqëria ndërtimore, por tek një tjetër kompani.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture tip “Daimler Chrysler” në vitin 2016, kundrejt shumës 3000 euro, si dhe mospasqyrim të burimit në deklaratën periodike.

Për gjetjet e tjera që kishin të bënin me transaksione para fillimit të detyrës dhe para martesës mes dy subjekteve, nuk u relatuan probleme.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative totale në shumën 1.8 milionë lekë, për të cilën i është kaluar subjektit barra e provës.

Lidhur me konstatimin për pagesën e këstit të fundit një shoqërie tjetër nga ajo prej së cilës ishte blerë apartamenti, Ahmeti sqaroi se bëhej fjalë për një grupim shoqërish, ku bënte pjesë edhe firma ndërtuese ku kishin porositur banesën. “Ne i kemi bërë pagesë vetëm shoqërisë me të cilën kemi pasur marrdhënien për blerjen e apartamentit. Formimi i grupit prej këtyre shoqërive nuk ka lidhje me ne”, theksoi Ahmeti.

Ajo vijoi shpjegimet për huatë duke sjellë në vëmendje se kishin sqauar dhe më parë se u ishin drejtuar prindërve për ndihmë financiare pasi kredia bankare donte kohë që të përfitohej.

Ajo këmbënguli se nëna e saj kishte pasur mundësi financiare për dhënien e vlerës 10 mijë euro. Sipas Ahmetit, shpenzimet e jetesës ishin mundësuar nga pagat e anëtarëve të familjes së origjinës, ndërsa shumat e përfituara nga shitja e pasurie e mbulonin vlerën e huasë.

Ndërsa lidhur me konstatimet e Komisionit se prindërit e bashkëshortit kishin blerë dy pasuinë atë periudhë, ajo u shpreh se apartamentet ishin porositur para se Çela të fillonte punën si prokuror. Ahmeti pretendoi se prindërit e bashkëshortit nuk kishin kryer asnjë pagesë në vitin 2008 dhe kërkoi që të përfshiheshin në analizën financiare për mundësinë e dhënies së huasë të ardhurat e tyre nga pagat për vitet 2007-2008. Subjekti solli në vëmendje se babai i bashkëshortit punon si mjek dhe se të tre pjesëtarët e familjes punonin dhe për rrjedhojë kanë pasur të ardhura të mjaftueshme edhe nëse do të përllogaritej vetëm viti 2008.

“Konsideroj se duhet të krijohet bindja se ata kanë pasur mundësi për dhënien e huave dhe kërkoj që këto vlera të përfshihen në analizën financiare për apartamentin”, pohoi Ahmeti.

Gjithashtu, ajo kërkoi që prindërit e saj dhe të bashkëshortit të konsiderohen si persona të tjerë të lidhur dhe jo si persona të lidhur. Subjekti kërkoi gjithashtu, që në analizën e vitit 2008 të përfshihej edhe një dhurim nga nëna në shumën 300 mijë lekë.

Ahmeti pohoi se kishin pasur mundësi edhe për blerjen e makinës në vitin 2016 dhe kërkoi që të përfshihej në analizë gjendja cash e vitit 2015.

Për një balancë negative në vitin 2012, Ahmeti evidentoi se nuk ishte kosideruar një shumë 400 mijë lekë nga pagat e bashkëshortit dhe as të ardhurat e saj si pedagoge.

Në fund të shpjegimeve të saj për këtë kriter, Ahmeti deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë.

Për kriterin profesional u evidentuan disa çështje prej nga është konstatuar se gjykimi ka zgjatur jashtë afatit të përcaktuar. Gjatë periudhës së rivlerësimit 2013-2016 janë regjistruar pranë Inspektoriatit të ish-Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjithsej 8 ankesa, nga të cilat dy janë regjistruar për vlerësim profesional dhe etik.

Ilia sqaroi se ndaj gjyqtares Ahmeti janë depozituar 19 denoncime nga publiku, ku nuk janë gjetur probleme. Ai vijoi se subjektit i janë kërkuar shpjegime vetëm për një prej denoncimeve. Në fund të seancës, Ilia e pyeti Ahmetin lidhur me dy denoncime të reja që kishin mbërritur në Komision një ditë para seancës dëgjimore.

Gjyqtarja Ahmeti shpjegoi gjatë idhur me dy çështjet, ku në një rast bëhej fjalë për një kërkesë padi ndaj IMT-së së Bashkisë Vorë për shpronësimin e një objekti. Ajo sqaroi se e kishte rrëzuar kërkesë padinë, pasi vendimi ishte marrë nga Këshilli i Bashkisë Vorë dhe se IMT dhe bashkia po zbatonin vendimin. “Pala paditëse nuk provoi se cili është interesi konkret që prek vendimin e IMT”, deklaroi Ahmeti dhe sqaroi se kishte kryer edhe orjentim për zgjidhjen juridike të çështjes.

Lidhur me denoncimin e dytë të ri, Ahmeti deklaroi se kishte vepruar brenda afatit dhe se vendimin e mospranimit të kërkesë padisë e kishte arsyetuar. Gjykimin e çështjeve jashtë afatit ajo e justifikoi me ngarkesën e madhe në punë.

Në fund të fjalës së saj Ahmeti solli në vëmendje se kriteri i pasurisë është tashmë gjë e gjykyar nga KPK dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 1 nëntor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *