Arjana Fullani kërkon të drejtën për t’u rikthyer në sistemin gjyqësor

Lajme
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, parashtroi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pretendimet për kundërshtimin e vendimit të KPK-së që i ndalon të emërohet në institucionet e drejtësisë në 15 viteve të ardhshme, për shkak të heqjes dorë nga statusi i magjistratit.

Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako duke dalë nga seanca në KPA | Foto : E. Hoxhaj

Parashtrimet e ankimit të kryer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA nga ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani kundër vendimit të Komisionit që i ndalon riemërimin në institucionet e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, u paraqit gjatë seancës publike të mërkurën nga ish-kolegia e saj, Evelina Qirjako, në cilësinë e avokates.

Për më shumë se dy orë, Qirjako i paraqiti Kolegjit pretendimet e subjektit ankues, ndërkohë që në fund, ish-gjyqtarja Arjana Fullani tha se nuk kishte asnjë qëllim t’i shmangej procesit të rivlerësimit.

“Dua të siguroj se përpjekja për t’i shkuar deri në fund ndryshimit të pikës 2 të vendimit të Komisionit s’ka të bëjë me një sjellje për t’iu shmangur vetingut, pasi ligji e parashikon se asnjë ish-gjyqtar apo prokuror, nuk mund të futet në sistem pa veting”, pohoi Fullani.

Sipas Fullanit, pika 2 e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që sanksionon heqjen e të drejtës për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme e pengon në aktivitetin e saj si avokate për t’u përfshirë në projekte me organizata ndërkombëtare pasi ishte e paragjykuar.

Në tetor 2017, Fullani dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, mes tyre edhe përfaqësuesja e saj ligjore, Evelina Qirjako, njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ato refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por për shkak se pesë gjyqtarët i kishin refuzuar pozicionet u konsiderua si dorëheqje dhe u vendos deklarimi i mbarimit të statusit të magjistratit. Pas vendimi të KLGJ-së, Komisioni e ndërpreu procesin e rivlerësimit dhe i hoqi pesë ish-gjyqtarëve të lartë të drejtën që 15 vitet e ardhshme mos të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Ish-gjyqtarët Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako e apeluan vendimin e KPK-së duke pretenduar se sanksionimi i tyre ishte i paligjshëm. Ndërkohë, këmbëngulin se nuk duhet t’i nënshtrohen vetingut pasi e kishin humbur statusin e magjistratit kur u kishte mbaruar mandati si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Të njëjtin qëndrim, Fullani dhe Qirjako parashtruan edhe në seancën e mërkurës në KPA. Avokatja Qirjako sqaroi në fillim të parashtrimeve se ankimi kishte të bënte vetëm me sanksionimin që e ndalon Fullanin të kthehet në sistemin e drejtësisë. Duke ju referuar praktikës së gjykatave ndërkombëtare, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutës dhe ligjeve për procesin e rivlerësimin, ajo e cilësoi si të pabazuar këtë pikë të vendimit.

Gjithashtu, Qirjako parashtroi se ish-koleges së saj nuk i ishte ofruar një proces i rregullt ligjor, duke pretenduar se nuk i ishte dhënë mundësia të dëgjohej dhe të paraqiste vërejtjet e saja. “Mosrespektimi  i çdo mbrojtje elementare është mohim i të drejtës për t’u mbrojtur”, pohoi Qirjako.

Sipas saj, emërimi i Fullanit në Gjykatën e Lartë ishte kryer me Kushtetutën “e vjetër” dhe se po me ato përcaktime duhej të konstatohej edhe mbarimi i mandatit. Qirjako tha se me mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë në korrik të 2017-ës, që i ishte konstatuar edhe nga Kolegjet e Bashkuara dhe i ishte njoftuar më pas Presidentit, Fullani kishte nisur punë si avokate.

“Pasi kishte 8 muaj që kishte mbaruar mandati, KPK ka hedhur shortin për të nisur procesin e rivlerësimit. Komisionit iu shpjegua se kishte mbaruar mandati në Gjykatën e Lartë dhe si pasojë kishte humbur edhe statusi i magjistratit”, shpjegoi Qirjako.

Ajo vijoi se përcaktimi që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë duhej të qëndronin në detyrë deri në zëvendësimin e tyre nuk kishte të bënte me emërimin e anëtarëve bazuar në Kushtetutën e vitit 1998, por me ata të emëruar pas ndryshimeve kushtetuese të ligjeve të reformës në drejtësi.  “Znj. Fullani është vetë juriste dhe e zbaton Kushtetutën drejtpërsëdrejti. Ajo u largua se i mbaroi mandati kushtetues. Nuk ka shteg për interpretim tjetër”, tha Qirjako.

Ajo e cilësoi vendimin e KPK të pabazuar në në prova. “Komisioni thotë se anëtarët e Gjykatës së Lartë duhej të rrinin në detyrë duke ju referuar web-it të gjykatës. Por nuk ka asnjë provë që në web të thuhej një gjë e tillë. Edhe nëse do të ishte, çfarë prove ligjore do të përbënte?”, evidentoi Qirjako. “Vendimi është marrë bazuar në prova që nuk ekzistojnë dhe në prova në kundërshtim me ligjin”, vijoi ajo.

Sipas Qirjakos, është KLGj ajo që duhej të shprehej lidhur me fillimin dhe mbarimin e statusit dhe jo KPK. Edhe konstatimin e KLGj se refuzimi për t’u emëruar në Apel ishte dorëheqje nga statusi i magjistratit, Qirjako e quajti të pavlefshëm.

Ajo tha se nuk kishte asnjë parashikim ligjor që të përcaktonte paraqitjen e dorëheqjes pas mbarimit të mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë.  Qirjako pretendoi se nuk mund të egzistonte statusi i magjistratit pas mbarimit të detyrës.

“Znj.Fullani përfundoi detyrën dhe filloi punë si avokate. Nuk kishte trajtimet që parashikon statusi i gjyqtarit”, shpjegoi Qirjako duke sjellë në vëmendje të KPA përcaktimet kushtetuese. Sipas saj, emërimi në Apel realizohet duke verifikuar nëse kandidati i plotëson kriteret. “Nuk ka ssnjë rast të jenë caktuar automatikisht në Apel”, pohoi Qirjako.

“Argumenti i KPK se mjaftonte një kërkesë për t’u caktuar në Apel nuk qëndron”, shtoi ajo dhe pretendoi se refuzimi për një pozicion në Apel nuk mund ishte dorëheqje ashtu si kishte vlerësuar KLGj dhe KPK.

Sipas Qirjakos, një gjë e tillë nuk është e shprehur në asnjë ligj.

“KPK thotë se për sa kohë ka hequr dorë në mënyrë indirekte nga detyra, zbatoj gërmën ‘G’ të Aneksit të Kushtetutës. ‘Indirekte’ nuk e gjej në asnjë vend”, sqaroi Qirjako dhe këmbënguli se në rastin e Fullanit nuk mund të aplikohej ky nen i Aneksit të Kushtetutës, por vetëm për ata që efektivisht e ushtronin detyrën. Sipas saj, në rastet kur subjektet dalin në pension, vetë KPK ëhstë shprehur se ata nuk e ushtrojnë efektivisht detyrën.

Në përfundim të parashtrimeve Qirjako e quajti vendimin e Komisionit të njëanshëm duke pretenduar se kishte vendosur një masë të paparashikuar në ligj dhe kërkoi ndryshimin e pikës “2” që e ndalon të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në 15 vitet e ardhshme, si dhe pushimin e gjykimit të çështjes, duke e konsideruar të pamundur. E pyetur nga Kolegji lidhur me konkluzionet përfundimtare, Fullani u shpreh se nuk kishte asnjë gjë tjetër për të shtuar, veç argumenteve dhe provave të paraqitura në parashtrime.

Në raste të ngjashme, pretendimet e gjyqtarëve subjekte të rivlerësimit kalimtar, janë rrëzuar nga KPK dhe KPA. Në rastin e shqyrtimit të ankimit të dyfishtë të kryer ndaj vendimit të KPK-së për ndërprerjen e vetingut për ish-kandidaten për në gjykatën Kushtetuese, Valbona Bala, Kolegji e përforcoi heqjen e të drejtës për këtë subjekt për emërimin në institucionet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Në rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla KPA u nda, ku shumica e vlerësoi të drejtë vendimin e KPK-së për ndërprerjen e procesit për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit pas dorëheqjes. Llalla fillimisht pretendoi se nuk mund të vazhdohej më procesi i rivlerësimit se i kishte përfunduar mandati i magjistratit për shkak se kishte përfunduar edhe mandati si Prokuror i Përgjithshëm. Por, pasi KPK i bëri me dije se procesi mund të ndërpritej vetëm nëse dorëhiqej nga statusi i magjistratit dhe të hiqte dorë nga rikthimi në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, ai o dorëhoq. Pakica konkludon se edhe subjektet që dorëhiqen gjatë procesit të rivlerësimit, duhet të vetohen.

KPK e rrëzoi edhe pretendimin e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj se, rasti i saj ishte “unik” pasi nuk ishte “gjyqtare në detyrë” në kohën kur hyri në fuqi ligji për vetingun e për pasojë nuk kishte pasur detyrim të dorëzonte deklaratat e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit. Komisioni vendosi shkarkimin e saj nga detyra.

Në përfundim të seancës që zgjati rreth katër orë e gjysmë, trupi gjykues i KPA i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi të mbyll shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 11 nëntor, ora 10:00.