Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Besa Nikëhasani, jashtë drejtësisë me vendim të formës së prerë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-prokuroren e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani, e cila u shkarkua për mosjustifikim të pasurisë.

Ish-prokurorja e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani gjatë seancës në KPK. Foto:LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për prokuroren e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani, duke e përjashtuar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Vendimi u mor unanimisht në dhomën e këshillimit nga trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo, relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Ardian Hajdari, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz.

Besa Nikëhasani u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 20 prill për mosjustifikimin e pasurisë. Nikëhasani refuzoi akuzën për mosjustifikim të pasurisë dhe iu drejtua me ankesë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Deri më tani, ky institucion nuk ka rrëzuar asnjë vendim të shkallës së parë.

Besa Nikëhasani e ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër dhe ishte njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vendimi për largimin nga detyra të Nikëhasanit u bazua vetëm në kontrollin e pasurisë.

Hetimi i KPK-së u përqendrua në një apartament banimi në Lezhë- i deklaruar në vitin 2004, një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament  90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet Toyota Land Cruiser.

Sipas KPK-së, prokurorja Nikëhasani nuk justifikoi me dokumente ligjore pronësinë e apartamentit të deklaruar në vitin 2004, që është edhe burimi i pasurisë për blerjen e apartamentit në Shëngjin dhe njësisë së shërbimit në Lezhë. Gjithashtu, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *