Seanca dëgjimore në KPK ndaj kreu të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, datë 15.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj
Artikull kryesor ! KPK Lajme Në Fokus

Bilanci negativ pas analizës financiare vë në vështirësi prokurorin Ardian Ylli

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës Ardian Ylli u përball në KPK me bilancin negativ financiar në disa vite sa i përket mbulimit të shpenzimeve me të ardhura të ligjshme. Ylli paraqiti një analizë paralele dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Senca dëgjimore në KPK ndaj kreu të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, datë 15.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj

Analiza financiare, prej së cilës ai rezultonte me bilanc negativ dhe me shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme, u duk si problemi kryesor me të cilin u përball gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Ardian Ylli.

Megjithatë, relacioni i lexuar në seancë ditën e hënë, përndryshe nga rastet e ngjashme, nuk vuri në dukje se sa ishte diferenca negative sipas analizës së bërë nga KPK. Anëtarja e Komisionit Valbona Sanxhaktari, e cila i drejtoi pyetje prokurorit në lidhje me dokumentimin e kursimeve të trashëguara nga babai, tha se bëhej fjalë për “një shumë të konsiderueshme” që mbetej e pambuluar.

Gjatë relatimit po ashtu u vunë në dukje disa mosdeklarime. Sanxhaktari gjatë pyetjes theksoi se shuma e trashëguar nga babai nuk ishte deklaruar as pasi ishte marrë në zotërim nga prokurori në vitin 2012.

Ylli vetë pretendoi përmes një analize financiare paralele nga ekspert kontabël se KPK duhej të merrte në konsideratë kursimet që atij ia kishte lënë babai me vlerë 2.2 milion lekë. Ai kërkoi të uleshin shpenzimet për disa zëra përfshi udhëtimet jashtë vendit që sipas tij në disa raste ishin mbuluar edhe nga të afërm mikpritës dhe të merrej në konsideratë se disa shpenzime ishin bërë për të tretë dhe paratë ishin marrë pas.

Ai pranoi disa pasaktësi në deklarimet vjetore, por tha se pasuria e vetme ishte një apartament i fituar nga prindërit në vitin 1975 dhe i privatizuar në vitin 1994.

Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen u kryesua nga Roland Ilia, relator i çështjes ishte Olsi Komici dhe anëtare e treshes Valbona Sanxhaktari.

Relatori Olsi Komici vuri në dukje se hetimet ndaj Yllit ishin bërë në të tre kriteret. Gjatë relatimit u bë e qartë se në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit nuk ishte gjetur asnjë problem. Ylli ra dakord me rezultatet e hetimit në këto dy kritere.

Ylli e ka filluar karrierën në vitin 1994 në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë në vitin 1998 ai është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2013 Ylli është transferuar si prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2015 është promovuar si drejtues. Në vitin 2017-të Ylli është komanduar si drejtues i Prokurorisë Vlorë.

Analiza financiare

Megjithëse KPK nuk bëri me dije se sa ishte bilanci negativ që i ishte gjetur prokurorit Ardian Ylli, gjatë marrjes në pyetje në fund të seancës anëtarja e treshes që hetoi rastin e cilësoi atë të “konsiderueshme”.

Gjatë relatimit u tha se mungesat ishin për disa vite, duke filluar nga viti 2003. Me mungesa po ashtu ishin vitet 2004, 2006, 2012, 2013, 2014.

Gjatë seancës Ylli u fokusua të shpjegonte sipas tij problemet që kishte analiza e bërë nga KPK. Ai vuri në dukje se për vitin 2003 Komisioni nuk kishte marrë në konsideratë se familja kishte pasur kursime më herët dhe se shpenzimet e atij viti, nuk ishin vetëm nga të ardhurat e vitit 2003.

Po ashtu gjatë shpjegimeve të tij Ylli u përpoq të argumentonte se disa shpenzime të marra në konsideratë nga KPK për vitin 2014 ishin më të ulëta. Ai tha se nëse merreshin në konsideratë disa elementë, kjo e ndryshonte analizën.

Ndër këto elementë ai përmendi kursimet e babai në një vlerë prej 2.2 milion dhe po ashtu tha se kishte pasur një shumë prej rreth 750 mijë lekësh prej parave të hedhura nga të afërmit dhe miqtë pas vdekjes së babait. Ylli tha se nuk kishte dashur ta përmende këto para dhe nuk i kishte deklaruar ato më vetë, por si pjesë e kursimeve cash. Ai tha se kjo ishte një traditë e njohur në shqiptarë dhe i ati kishte pasur shumë miq.

Megjithëse KPK nuk bëri me dije sa ishte shuma që rezultonte e pambuluar, nga vetë përgjigjet e Yllit për Komisionin në argumentet e tij për të ndryshuar analizën, rezulton se bëhej fjalë kryesisht për shpenzime udhëtimi jashtë vendit, shpenzime për blerje makine dhe shuma të tjera parash.

Ylli pretendoi se i ishin llogaritur më shumë shpenzime udhëtimi. Ai tha se 72 udhëtime me familjen jashtë vendit, ishin bërë në vende fqinje me Shqipërinë dhe se një pjesë e tyre ishin ndarë me të afërm e miq që kishin qenë mikpritës. Ai po ashtu kundërshtoi llogaritë e KPK mbi çmimet e biletave dhe një sërë çmimesh të tjera, duke pretenduar se kishte prenotuar herët.

Prokurori tha se nuk kishte pasur mundësi të sillte dokumenet mbi çmimet e biletave të blera, por vuri në dispozicion sipas tij politika të disa agjencive të udhëtimeve mbi uljet në sezone të ndryshme. Ai po ashtu pretendoi se blerjet për të tretë nga karta e tij e kreditit ishin rimbursuar në cash dhe se kërkoi që ato të mos konsideroheshin si shpenzime.

Ai po ashtu kërkoi ulje të shpenzimeve për shkollimin e djemve me 70 mijë lekë, njohjen e rreth 260 mijë lekëve më pak shpenzime udhëtimi dhe një rillogaritje të kësteve të kredisë së paguar që sipas tij ishin më pak se sa ishin konsideruar nga KPK.

Ylli vetë, por edhe anëtarja e trupës Sanxhaktari u fokusuan te paratë e trashëguara nga babai. Prokurori tha se ai kishte marrë një muaj para vdekjes nga i ati rreth 2 milion lekë. Ai tha se këto ishin përdorur më pas në shpenzimet e kryera nga familja prej vitit 2012.

Sanxhaktari i kërkoi prokurorit të vinte në dispozicion nëse kishte dokumente mbi këtë shumë. Ajo pyeti Yllin se pse 1.6 milion lekë e pretenduara si të trashëguara nga babai, nuk ishin deklaruar në deklarimet vjetore pasi ishte marrë prej tij në vitin 2012 dhe ishte përdorur në vitin 2014.  “Cila është prova që këto para i keni disponuar?”, pyeti Sanxhaktari.

Ylli tha se paratë ishin të ardhurat nga pensioni i babait dhe se ato ishin ruajtur cash. Ai tha se nuk kishte asnjë dokument për të provuar këtë pasi babai nuk kishte pasur llogari bankare dhe as librezë kursimesh.

Problemet e tjera të pasurisë

Sipas relatimit të bërë gjatë seancës dëgjimore Yllit iu vunë në dukje disa mosdeklarime, përfshi mosedklarimin e dy kredive të marra nga bashkëshortja. Po ashtu iu vunë në dukje disa mosrakordime në transaksionet për blerje makinash.

Komici vuri në dukje se në një rast nga hetimi kishte rezultuar që një makinë Renault ishte blerë pak ditë pasi kishte ardhur nga Italia për 500 mijë lekë, me një çmim më të lirë (rreth 200 mijë lekë) se sa i kishte kushtuar shitësit dhe shitur disa muaj më vonë për 900 mijë lekë me një fitim prej gati 400 mijë lekësh.

Komici megjithatë tha se Ylli kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për këtë rast. Sipas tij prokurori kishte paguar vetë doganën edhe pse kjo nuk rezultonte në kontratë, ndërsa shitja me fitim ishte bërë pas shërbimeve që i ishin bërë makinës dhe plotësimit të dokumentacionit.

Një rast i ngjashëm u vu në dukje për një makinë Fiat, një Opel dhe po ashtu për një makinë tjetër Renaut. Por Komici vuri në dukje se shpjegimet në këto raste kishin qenë të mjaftueshme dhe kryesisht kishin të bënin me diferencën në çmim, prej pagimit të doganës.

Relatori vuri në dukje edhe mosdeklarimin e ortakërisë së njërit prej djemve në një kompani. Ylli kishte deklaruar se nuk kishte pasur dijeni për këtë ortakëri, e cila sipas hetimeve të KPK nuk kishte prodhuar të ardhura, pasi kompania ishte mbyllur tre muaj më vonë dhe nuk kishte pasur aktivitet.

Disa probleme u vunë në dukje në lidhje me aktivitetin e bashkëshortes. KPK vuri në dukje mosdeklarimin e dy kredive në shumat 200 dhe 300 mijë lekë. Po ashtu u vu në dukje se disa prej kredive të marra nga bashkëshortja nuk ishte e qartë nëse ishin përdorur për biznesin apo për shpenzime familjare.

Ylli pranoi mosdeklarimin e kredive si një harresë, ai vuri në dukje se kreditë e marra nga bashkëshortja kishin qenë për biznesin, por theksoi se duke qenë person fizik, një pjesë e parave mund të ishin përdorur edhe në shpezime të tjera. Në një rast Ylli vuri në dukje se duke qenë se biznesi nuk ishte funksionuar dhe ishte bërë mbyllja e tij, kredia ishte përdorur për shpenzime të tjera.

KPK gjeti edhe disa “mospërputhje të vogla”, siç u cilësuan nga relatimi, mbi deklarimin në tatime të të ardhurave dhe qarkullimit nga biznesi i bashkëshortes dhe vetëdeklarimeve. Komisioni vuri në dukje se Ylli kishte dhënë shpjegime bindëse për disa nga këto mospërputhje, përfshi një parashikim xhiroje që nuk ishte realizuar.

KPK vuri në dukje se kishte mungesë dokumentacioni mbi shpenzimet për shkollimin e njërit prej djemve. Sipas relatimit u vu në dukje se për studimet në një univesitet privat ishte pretenduar pasja e një burse, por KPK tha se nuk kishte dokumentacion.

Ylli vuri në dukje se kishte mundur të gjente listën e studentëve për vitin e fillimit të studimeve dhe sipas tij në listë vihej në dukje se djali i tij ishte me bursë. Ylli tha se universiteti tashmë ishte mbyllur.

Probleme me dokumentimin u gjetën edhe për shpenzimet e një kredie të marrë për rikonstruksion dhe shtesë banese. Sipas KPK shtesa ishte bërë me leje, por mungonin dokumentet për shumat e shpenzuara, edhe pse nuk u duke se i konsideroi ato si problematike. Ylli pretendoi se mungesa kishte të bënte me kohën që kishte kaluar.

Në fund Ylli tha se kishte treguar integritet dhe se kishte “të drejtën morale të kërkonte të rikonfirmohej”. Seanca e njoftimit të vendimit u la më 18 korrik, në orën 9.15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *