Bib Ndrenca, gjyqtar i Gjykatës së Posaçne Anti Korrupsion gjatë seancës në KPK. Foto:Vladimir Karaj
Analiza KPK Vendi

Blerja e apartamentit penalizoi gjyqtarin Bib Ndreca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se gjyqtari Bib Ndreca ka vepruar në kundërshtim me rregullat e etikës, pasi me veprime aktive ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës për blerjen e të drejtave për apartamentin ku jeton në mungesë të palës tjetër. Gjithashtu, Komisioni konstaton se Ndreca nuk ka pasur mundësi financiare për pagesën e gjithë vlerës së apartamentit.

Bib Ndrenca, gjyqtar i Gjykatës së Posaçne Anti Korrupsion gjatë seancës në KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 18 janar të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca, pasi u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për një apartament në Tiranë, si dhe pamundësi financiare për kryerjen e këtij investimi. Komisioni nuk konstaton probleme të tjera për kriterin e pasurisë, ndërsa e ka vlerësuar Ndrecën pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar fillimisht në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013 u emëra kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirkon dhe Etleda Çiftjan anëtare, konkludojnë se gjyqtari Ndreca duket se ka vepruar në kundërshtim me rregullat etikës, pasi me veprime aktive ka marrë pjesë në nëshkrimin e kontratës së kalimit të të drejtave të një apartamenti 1+1 me sipërfaqe 84.6 m2 në kryeqytet, në mungesë të njërës palë.

“[…]kontratë e cila është paraqitur në institucionet publike, dhe se ngrihen dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tërësisë së kësaj marrëdhënie juridike – për kalimin e të drejtave pasurore mbi apartamentin në Tiranë,” shprehet trupi gjykues i KPK dhe vlerëson se gjyqtari Ndreca, veç mungesës së burimeve, gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Komisioni ka arritur në këtë konkluzion pasi ka verifikuar sistemin TIMS, prej nga ka rezultuar se personi që i ka kaluar Ndrecës të drejtat për apartamentin në Tiranë, nuk është ndodhur në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Ndreca ka sqaruar se apartamenti që ai ka blerë në vitn 2012, ishte porositur fillimisht nga shtetasi Sh.A. i cili ka hequr dorë kundrejt çmimit 40 mijë euro.

Komisioni vëren se nga hetimi ka rezultuar se Sh.A. e ka porositur apartamentin me sipërfaqe 84.6 m2 në prill të vitit 2007. Ndërkohë, më 29 maj 2012, mes Ndrecës në cilësinë e porositësit të dytë; Sh.A., në cilësinë e porositësit të parë dhe shoqërisë ndërtuese, është lidhur kontrata për kalim të drejtash për apartamentin në fjalë.

Sipas kësaj kontrate, Sh.A., heq dorë nga kjo pasuri dhe bëhet kalimi i të drejtave të pronësisë në favor të subjektit të rivlerësimit, duke u bërë dhe dorëzimi i apartamentit. Vlera e blerjes e deklaruar është 40 mijë euro dhe në kontratë pasqyrohet burimi i krijimit të shumës së paguar nga subjekti i rivlerësimit, konkretisht shuma 35 mijë euro e marrë hua nga vëllai i tij, z. P.N., dhe shuma 5 mijë euro nga kursimet e tij personale.

Bashkëlidhur dokumentacionit të dorëzuar nga subjekti i rivlerësimit për këtë pasuri, është konstatuar se deklarata është plotësuar me shkrim të lirë dore nga shtetasi R.A., që mban datën 29 maj 2012, sipas së cilës ai deklaron se ka marrë për llogari të Ç., shumën 40 mijë euro nga shitja e apartamentit.Komisioni ka kryer verifikime në sistemin TIMS për shtetasin Sh.A., prej nga ka rezultuar se ai nuk ndodhej në tetrorritorin shqiptar më datë 29 maj 2012, kur është nënshkruar kontrata.

Trupi gjykues vlerëson se konsiderohet absolutisht i pavlefshëm veprimi juridik, i cili, për shkak të shkeljes së ligjit ose për shkak tjetër të parashikuar në ligj, nuk ka fuqi juridike ose është i paaftë të sjellë pasojat juridike të synuara nga palët.

“[…]kontrata për kalim të drejtash për blerjen e këtij apartamenti nga subjekti i rivlerësimit është veprim juridik i dyanshëm, për të cilin mungon shfaqja e ligjshme e vullnetit, pasi shtetasi Sh.A., nuk gjendej në territorin shqiptar në momentin e nënshkrimit të saj”, thekson KPK dhe konstaton se e gjithë marrëdhënia për blerjen e pasurisë është krijuar me shtetasin R.A., xhaxhain e Sh.A. dhe se kontrata është nënshkruar në mungesë të palës tjetër. “Duke konsideruar faktin se subjekti ka pasur njohuri të mira ligjore, ngrihen dyshime të arsyeshme për marrëdhënien e tij me shtetasit e sipërcituar dhe vetëbesimit të tepruar për pagimin dhe dorëzimin e çmimit të blerjes në një shumë të konsiderueshme një personi të ndryshëm nga ai i cili mbante të drejtat reale mbi pasurinë objekt hetimi”, konstaton Komisioni.Në vendim thuhet se gjyqtari Ndreca ka vepruar në kundërshtim me rregullat e etikës, pasi me veprime aktive ka marrë pjesë në nënshkrimin e një kontrate në mungesë të palës tjetër dhe shfaqjes së ligjshme të vullnetit të saj.

“Kontrata, e cila është paraqitur në institucionet publike, ngre dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tërësisë së kësaj marrëdhënieje juridike”, vlerëson trupi gjykues.Pas kalimit të barrës së provës, Ndreca ka pretenduar se Sh.A., ka qenë prezent në momentin e nënshkrimin e kontratës, duke pretenduar se sistemi TIMS nuk tregon gjithçka dhe as nuk provon vendndodhjen.

Për të mbështetur deklarimet e tij subjekti ka depozituar si dokumentacion provues deklaratë noteriale të Sh.A., ku ky i fundit shprehet se ka qenë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të kontratës; si edhe katër kartela dentare për trajtim pacientësh, nëpërmjet të cilave pretendohet se ai ka trajtuar pacientë në klinikën e tij në Tiranë, në datat 12 maj 2012; 25 maj 2012; 29 maj 2012 dhe 30 maj 2012.

Komisioni vëren se, pavarësisht dokumenteve të paraqitura nga Ndreca, nuk janë depozituar prova për të dhënat e regjistrimit të klinikës së Sh.A., apo të dhëna të punësimit të tij në këtë periudhë. “Për më tepër, nga verifikimi i faqes zyrtare të QKB-së, Komisioni konstatoi se z. Sh.A., figuron i regjistuar në këtë organ në datën 28.8.2015”, citohet në vendim.

Trupi gjykues i ka vlerësuar jo bindëse shpjegimet dhe provat e Ndrecës dhe konkludon se ai nuk arriti të provojë tej çdo dyshimi të arsyeshëm që shtetasi Sh.A., gjendej në Shqipëri dhe se ishte i pranishëm në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Si burim për blerjen e apartamentit kundrejt vlerës 40 mijë euro, gjyqtari Ndreca ka deklaruar kursime ndër vite në shumën 5 mijë euro; hua në vlerën 35 mijë euro nga vëllai  dhe kredi bankare.

Nga analiza financiare ka rezultuar se Ndreca ka pasur mundësi për kursimin e vlerës 5000 euro, ndërkohë që është konkluduar se vëllai nuk ka patur burime financiare të ligjshme për të mundësuar shumën e dhënë hua në vlerën 5.5 milionë lekë në favor të subjektit të rivlerësimit më datën 29 maj 2012.

“Bazuar në analizën financiare/ligjore të burimeve të krijimit (të deklaruara nga subjekti) të pasurisë objekt vlerësimi, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimi nuk ka pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar plotësisht pagesën në shumën 40,000 euro, të kryer në datën 29.5.2012 për kalimin e të drejtave mbi pasurinë e llojit ‘apartament banimi’”, konkludon KPK.

Për disa pasuri tokë-arë, të përpjestuara me vëllezërit në vitin 2011, Komisioni nuk ka gjetur probleme. “[…]trupi gjykues vlerëson se për sa kohë nuk janë pasuri të investuara nga subjekti i rivlerësimit apo të regjistruara në emrin e tij, për më tepër, duke qenë se ato janë krijuar përpara fillimit të detyrës, kryerja e këtyre investimeve dhe analizimi i burimeve financiare të tyre, nuk mund të jenë pjesë dhe nuk mund të ndikojnë në procesin e rivlerësimit dhe as në vendimmarrjen përfundimtare për këtë subjekt”, citohet në vendim.

Pa probleme kanë rezultuar edhe dhurimi i një automjeti tip Benz nga vëllai në janar të vitit 2009, para se ai të fillonte stazhin profesional, si dhe shitja e kësaj makine në vitin 2014 për vlerën 1.2 milionë lekë. Gjithashtu, Komisioni konkludon se personat e tjerë të lidhur që i kanë dhënë hua për kurimin e bashkëshortes kanë pasur burime të ligjshme për vlerat e deklaruara – si dhe kanë rezultuar pa probleme blerjet e dy makinave; një tip “Smart” në vitin 2011 për shumën 2800 euro dhe një tip Audi në 2017-ën kundrejt çmimit 1200 euro + 73 mijë lekë për zhdoganimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *