Prokurori Besim Hajdarmataj. Foto: Gent Shkullaku/LSA
KP Lajme Në Fokus

Çështjet e pahetuara, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besim Hajdarmatajt

Moshetimi i një rasti kërcënimi ndaj disa zyrtarëve në Laç, mosveprimi në hetimet e rastit të 12 tonëve hashash të kapura në Përmet dhe pikëpyetjet mbi pasurinë shtynë Komisionerin Publik të apelojë vendimin e KPK ndaj Besim Hajdarmatajt.

Prokurori Besim Hajdarmataj. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Komisioneri Publik, KP, njoftoi të premten se kishte apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj prokurorit Besim Hajdarmataj. Komisioneri bazuar edhe në vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shkarkojë Hajdarmatën për shkak të dyshimeve mbi pasurinë dhe sepse me veprimet dhe mosveprimet e tij si prokuror e drejtues prourorie ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Në ankimim e Komisionerit Darjel Sina, i cili bazohet edhe në raportin e ONM-së vihet në dukje disa raste në të cilat Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar në favor të Hajdarmatës, dhe që sipas Komisionerit ishin arsyetime të pasakta.

“Nga shqyrtimi i vendimit nr. 200/2019, të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, për të cilat çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”, thuhet në ankim.

Hajdarmata ka qenë deri sëfundmi prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas shkrirjes së saj u trasferua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në Prokurorinë e Tiranës. Ai u konfirmu nga KPK më 16 tetor, por menjëherë pas zbardhjes së vendimit ONM publikoi një rekomandim në të cilin kërkonte apelimin e vendimit.  Trupa gjykuese që hetoi çështjen ndaj tij në KPK kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia. Vëzhgues ndërkombëtar ishte Ferdinando Buatier.

Ankimi i Sinës vë në dukje kryesisht profesionalizmin e Hajdarmatës qoftë si prokuror, qoftë si drejtues i prokurorive të ndryshme. Në një rast Komisioneri thotë se në cilësinë e prokurorit të çështjes Hajdarmata nuk kishte kryer asnjë veprim hetimorë pas kallëzimit të një grupi pune të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit se ishin kërcënuar dhe se u ishin marrë pas 5 makineri lojrash fati të sekuestruara në vitin 2010.

Komisioneri vë në dukje një sërë shkeljesh nga Hajdarmata, duke theksuar se ai nuk kishte provuar dot të kundërtën e barrës së provës dhe pasi kishte mbajtur pa kryer veprime dosjen për 1 vit e 3 muaj e kishte pushuar atë. Sipas Komisionerit ai po ashtu nuk kishte njoftuar kallëzuesin për pushimin e çështjes dhe kishte dërguar një shkresë zyrës së Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit më shumë se 1 vit pas pushimit të çështjes.

Ngjashëm Komisioneri vë në dyshim pretendimet e Hajdarmatës se nuk e njihte një prej personave të akuzuar në këtë çështje, pasi sipas Sinës në dosjen e KPK gjenden kontakte me mesazhe mes tij dhe të akuzuarit nga zyrtarët e NJMLF-së për kërcënim në vitin 2017. “Duket sikur qëllimi i subjektit të rivlerësimit nuk ka qenë hetimi në mënyrë shteruese i rastit, për sa kohë janë anashkaluar një sërë veprimesh procedurale të nevojshme”, thuhet në ankim. Aty vihet në dukje se nga prokurori nuk ishin bërë as marrjet në pyetje të perosnave të përfshirë.

Po ashtu Hajdarmata akuzohet se nuk ka kryer detyrën e tij si drejtues i Prokurorisë së Krimeve  të Rënda, ndërsa ka parë se si një dosje penale e nisur pas kapjes së 12 tonëve drogë në Përmet u shkëmoq në një procedim vetëm për moskallëzim krimi. “Për Komisionerin Publik, subjekti i rivlerësimit nuk ka ushtruar me përgjegjshmëri detyrat e tij funksionale dhe mekanizmat që ligji i ka mundësuar për të mbikëqyrur ecurinë dhe përfundimin e çështjes”, thuhet në ankim.

Ngjashmërit arsyetohet për një çështje që pasi u mbajt disa vite në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u trasferua për moskompetencë në Shkodër edhe pse dyshohej për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe sasia e kapur ishte mbi 700 kilogramë hashash. “Për sa më sipër, rezulton se edhe në këtë çështje të një rëndësie madhore, nisur nga sasia e madhe e lëndës narkotike, fakt ky i cili kërkon nivel organizimi të grupit të përfshirë, lidhjet e tyre me krimin e organizuar në shtetin fqinj, Itali etj., subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë, nuk ka ushtruar plotësisht detyrat e tij funksionale”, thuhet në ankim.

Komisioneri ndërkohë ka cilësuar absurd një trasferim për kompetencë të një dosje hetimi ndaj një gjyqtareje të Tiranës nga Durrësi në Elbasan. Komisioneri bën me dije se Hajdarmata kishte zëvendësuar pa dhënë sqarime në vendim prokuroren e çështjes dhe në fund të hetimeve kishte përcjellë dosjen drejt prokurorisë së Elbasanit, me pretendimin se ajo ishte më afër Tiranës.

“Gjithashtu, argumentimi se Elbasani ishte më afër Tiranës se Durrësi, është jo bindës, i papajtueshëm me rrethanat dhe faktet, pasi në Prokurorinë e Durrësit janë transferuar plot raste të moskompetencës së Prokurorisë së Tiranës me bazë ligjore nenin 78 të K. Pr. Penale. Në mënyrë të pakuptimtë, ky arsyetim aplikohet në fazën përfundimtare të hetimit”, thuhet në ankim.

Ankimi po ashtu shtrihet edhe mbi pasurinë e deklaruar të prokurorit dhe në të kërkohen më shumë hetime kryesisht sa i përket të ardhurave të pretenduara prej vëllait të Hajdarmatës në Britani dhe sa i përket pasurive në përdorim. Komisioneri kërkon edhe hetime mbi një makinë në përdorim nga prokurori e cila rezulton me pronësi të paqartë.

Në fund Komisioneri i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të marrë parasysh një rekomandim të ONM-së dhe rihapë çështjen ndaj Hajdarmatës duke arsyetuar se provat që ndodhesh aktualisht në dosje çojnë në shkarkimin e tij. “Ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zotit Besim Hajdarmataj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *