“Deformoi të vërtetën për justifikimin e pasurive”: KPK e ndarë për Dritan Markun

Analiza dhe Opinione
Dy komisioneret në shumicë, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine vlerësojnë se prokurori i Vlorës, Dritan Marku deformoi të vërtetën për justifikimin e burimeve të një apartamenti dhe vlerën e përfituar nga shitja e tij me qëllim të justifikonte burimet financiare për pronat e mëvonshme, por Lulzim Hamitaj e cilëson të padrejtë vendimin e shumicës vetëm për pasurinë dhe kërkon hetim për të tre kriteret e rivlerësimit. 

Seanca degjimore perprokurorin Dritan Marku

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 5 korrik 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Vlorës, Dritan Marku pasi u konkludua se në mënyrë të vazhdueshme ishte përpjekur të deformonte të vërtetën në funksion të justifikimit të burimit të pasurive, si dhe ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë me veprimet e tij.

Vendimi i shkarkimit u mor me shumicë votash nga kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari dhe relatore Xhensila Pine që i konsideruan të mjaftueshme gjetjet në kriterin e pasurisë, ndërsa anëtari Lulzim Hamitaj doli në pakicë duke e konsideruar të padrejtë përfundimin e procesit të rivlerësimit vetëm për një kriter.

Dritan Marku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2000. Ai ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës për gati dy dekada.

“Fabrikim” aktesh për justifikimin e burimeve

Dy anëtaret në shumicë, Sanxhaktari dhe Pine konkludojnë se prokurori Marku ka fabrikuar dokumente me qëllim justifikimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për krijimin e pasurive të mëvonshme.

Sipas vendimit të KPK, përpjekjet e subjektit për të deformuar të vërtetën kanë filluar me justifikimin e burimeve që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103.07 m2 në Vlorë, pasuri e prenotuar në vitin 2005, kur ka paguar 3 milionë lekë nga 4 milionë që ishte çmimi total. Marku ka deklaruar se ka kryer punime dhe ka pasur ulje të çmimit, por sipas KPK ky pretendim nuk është vërtetuar me dokumentacion.

Shumica vlerëson se Marku nuk ka provuar burimin e ligjshëm për gjithë vlerën e investuar për apartamentin, si dhe është përpjekur për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes të të dhënave që lidheshin me justifikimin e burimeve të kësaj pasurie.

Çmimi i shitjes së këtij apartamenti në vitin 2013 është deklaruar nga prokurori Marku si burim për krijimin e pasurive të mëvonshme. Ai ka deklaruar se ka nënshkruar një kontratë kapari në vitin 2013 më shtetasin A.D. ku parashikohej që çmimi i shitjes 45 mijë euro të likujdohej brenda vitit 2015.

Gjithashtu, në këtë kontratë është përcaktuar se në gusht të vitit 2014 do të dorëzohej nga pala shitëse apartamenti në përdorim të palës blerëse, si dhe fakti se A.D. mund të bëhej pronar vetëm me nënshkrimin e kontratës së shitblerjes.

Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimeve të subjektit lidhur me arsyet e moskalimit të pronësisë në emër të blerësit sipas përcaktimeve në kontratën e kaparit. Megjithëse Marku ka pretenduar se blerësi ishte emigrant dhe jetonte jashtë shtetit, nga sistemi TIMS ka rezultuar se ai kishte hyrë në territorin e Shqipërisë 8 herë në vitet 2014, 2015 dhe 2016 dhe kishte qëndruar nga disa ditë deri në dy javë.

Nga hetimi ka rezultuar se kjo pasuri figuronte ende në pronësinë e subjektit të rivlerësimit në momentin e procesit të deklaratës veting dhe se shitja është realizuar më 28 dhjetor 2017. Gjithashtu, blerësi ka nënshkruar një deklaratë noteriale më 26 janar 2017, ku shprehej se i kishte shlyer Markut të gjithë vlerën 45 mijë euro. Por, nga verifikimi i sistmit TIMS ka rezultuar se A.D. nuk është ndodhur në territorin e Shqipërisë kur ka nënshkruar këto kontrata.

“[…]u gjet i pabesueshëm shpjegimi që subjekti i rivlerësimit ka bërë, për sa i përket, arsyes së mosqënies prezent të blerësit në kontratën e shitjes dhe nxitimit të tij për të bërë këtë kontratë vetëm gjatë procesit të deklarimit Vetting, referuar faktit se blerësi kishte paguar gjithë vlerën e kishte hyrë e dalë në Shqipëri rregullisht për disa vite”, argumenton shumica.

Sipas KPK blerësi A.D. nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri edhe kur është lëshuar kartela e pasurisë së paluajtshme në emër të tij, në shkurt të 2017-ës. Shumica vlerëson se subjekti ka hequr dorë formalisht nga pronësia e apartamentit, pasi lidhi kontratën e shitblerjes kur blerësi nuk ishte prezent në Shqipëri, në kohën e plotësimit të deklaratës veting.

Sanxhaktari dhe Pine e konsiderojnë kontratën e kaparit dhe atë të shitblerjes si përpjekje të subjektit për të fabrikuar akte që do të justifikonin përdorimin e likuiditeteve nga subjekti i rivlerësimit.

“Është me rëndësi të theksohet se, referuar fakteve z. A. D., pranoi të paguajë shumën 45.000 euro, e në shkëmbim nuk mori as garanci ligjore se ky apartament do ti kalohej në të ardhmen[…]”, thekson shumica dhe vëren se z.A. D. ka qenë në një disfavor të qartë dhe në mospërputhje me çdo logjikë ekonomike.

Gjithashtu, KPK konkludon se Marku nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të të ardhurave të pretenduara si të përfituara nga kontrata e kaparit dhe nuk i ka përfshirë në analizën financiare.

Situatë e ngjashme është konstatuar edhe në transaksionet e një autoveture tip “benz, të blerë në vitin 2009 për shumën 400 mijë lekë dhe të shitur në 2011-ën për 1 milion lekë.

Pretendimet e subjektit se mjeti kishte pasur defekte dhe kishte shpenzuar për riparimet janë gjetur në kundërshtim me provat e administruara, prej nga ka rezultuar se mjeti ishte blerë nga Marku në gjendje të mirë.

Edhe në këtë rast KPK nuk i ka marrë në konsideratë të ardhurat e fituara nga shitja e automjetit në 2011-ën dhe çmon se subjekti me veprimet e tij në këto transaksione, ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Vlorë dhe të Benz-it janë deklaruar nga Marku si burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2 në Yzberisht, Tiranë në vitin 2010 për çmimin 31 mijë e 815 euro dhe për blerjen e një apartamenti 94.65 m2 në Vlorë në 2014 kundrejt shumës 30 mijë euro.

Duke mos i konsideruar të ardhurat e pretenduara nga shitja e apartamentit në Vlorë në 2013-ën dhe të Benz-it në vitin 2011, shumica konkludon se Marku është gjendur në kushtet e pamundësië financiare me burime të ligjshme për të blerë dy banesat e tjera në Yzberisht dhe në qytetin bregdetar.

Në vitin 2015 Marku ka deklaruar shitjen e apartamentit në Yzberisht për shumën 35 mijë euro dhe blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë për shumën 55 mijë euro. Si burime krijimi ka deklaruar 35 mijë euro të përfituara nga shitja e apartamentit në Yzberisht dhe 20 mijë euro nga shitja e apartamentit në Vlorë, që janë konsideruar si burime jo të ligjshme nga shumica e për pasojë ka rezultuar në pamundësi edhe për blerjen e apartamentit të dytë në Tiranë.

Ndërkohë Komisioni vlerësoi se prokurori Marku ka fshehur një automjet tip “Volkswagen golf” në emër të kunatit të tij. Sipas KPK, megjithëse vëllai i bashkëshortes së subjektit e ka blerë makinën në vitin 2014 kundrejt vlerës 6000 euro, rezulton të mos e ketë përdorur asnjëherë vetë.

“[…]gëzimi dhe përdorimi i tij jo prej pronarit por prej subjektit, janë rrethana në vlerësimin e trupit gjykues të cilat tregojnë dhe demonstrojnë sjelljen si pronar të subjektit të rivlerësimit mbi këtë automjet”, argumenton shumica dhe arrin në konkluzionin se ky automjet është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit.

Pakica për hetimin në tre kriteret

Anëtari Lulzim Hamitaj, vlerëson se hetimi nuk duhej të ishte mbyllur vetëm për pasurinë, pasi pas prapësimeve të subjektit nuk ishte arritur nivel i mjaftueshëm provueshmërie për të përmbyllur vetingun e Markut për një kriter.

“[…]do të duhej të ishte rihapur hetimi administrativ, jo vetëm për disa qartësime më të thelluara lidhur me kriterin e pasurisë, por edhe në lidhje me kriterin e figurës dhe të aftësive profesionale, në të cilat mund të konstatoheshin elemente që do të kristalizoheshin në gjetje konkrete”, vlerëson Hamitaj.

Ai paraqet një analizë të tijën financiare për burimet e apartamentit të porositur në vitin 2005 në Vlorë dhe ndryshe nga shumica e ka rrudhur balancën negative nga 2.2 milionë lekë, në 1.2 milionë lekë. “[…]Parë edhe nën dritën e parimit të proporcionalitetit, nuk mund të përbënte shkak për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit”, shprehet Hamitaj për mungesën e burimeve të ligjshme në shumën 1.2 milionë lekë.

Komisioneri Hamitaj nuk është dakord edhe me moskonsiderimin e të ardhurave të pretenduara nga subjekti si të përfituara nga shitja e apartamentit në Vlorë në vitin 2013 dhe as me konkluzionin për cënimin e besimit të publikut.

“[…]ndonëse titulli i kontratës është shënuar ‘kontratë kapari’, nga një analizë e thjeshtë e përmbajtjes së saj bie ky përkufizim titullues, pasi aty është parashikuar kryerja e disa pagesave me këste, në data të ndryshme, sikurse ato edhe de facto janë kryer midis palëve me këste, ndërkohë që kontrata e kaparit ka krejt një tjetër strukturë dhe qëllim”, konstaton Hamitaj dhe vlerëson se nuk mund të konsiderohet si kontratë kapari, por duhet të kualifikohet në bazë të parashikimeve dhe efekteve që ka prodhuar.

Gjithashtu, Hamitaj vëren se kjo pasuri ka kaluar përfundimisht në pronësi të A.D. si dhe ka rezultuar se e kishte pasur disponobilitetin e apartamentit që prej vitit 2014, pasi konsumi i energjisë elektrike rezultonte në periudhat kur ai kishte ardhur në Shqipëri.

Hamitaj i jep të drejtë Markut edhe lidhur me pretendimin se nuk ka pasur lidhje me nënshkrimin e kontratës noteriale të shit-blerjes nga pala blerëse, ndërkohë që nuk gjendej në Shqipëri. “[…]ndonëse në vetvete kjo rrethanë përbën një problem lidhur me besueshmërinë e datave të akteve noteriale, por nuk mund të passjellë pasoja direkte për subjektin, pasi nuk rezulton se ai të ketë qenë në dijeni të mosprezencës së palës tjetër në Shqipëri”, argumenton Hamitaj.

Në vijim ai i cilëson balancën negative që sipas tij është 1.2 milionë lekë dhe pasaktësitë e deklarimeve pa peshë specifike për të konkluduar në përfundimin e procesit me vendim përfundimtar vetëm mbi një kriter.

Ai shton se pozicionimi i tij nuk ka të bëjë me vendimin përfundimtar të shkarkimit të subjektit, por ai këmbëngul që kjo të mund të realizohej vetëm nëpërmjet një vlerësimi më të gjerë dhe më të thelluar, duke u përfshirë edhe dy kriteret e tjera.