Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Dënime dhe dhurata të padeklaruara, Admir Thanza u rrëzua në të tre kriteret

Sipas vendimit të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza bëri deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, bëri deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit, kishte kontakte të papërshtatshme dhe fshehu dhurata nga palë të cilat i kishte gjykuar.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se anëtari tashmë i shkarkuar i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza kishte probleme me të tria kriteret e rivlerësimit, ndonëse mosdeklarimi i një dënimi penal në Itali tërhoqi më së shumti vëmendjen për shkak të tonit melodramatik që ai përdori për ta justifikuar.

Treshja që gjykoi Thanzën, e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi nuk pati shumë dilema në fund të hetimit. Thanza rezulton sipas këtij vendimi në shkelje me tre pika të nenit 61 të ligjit 84/2016. Ai u gjet se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, rezultoi me probleme serioze nga kontrolli i figurës dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Thanza u mbrojt duke pranuar disa nga shkeljet që iu gjetën, por duke u justifikuar se ato nuk ndëshkoheshin nga ligji. Ai justifikoi dënimin në Itali si një gjest për hir të familjes dhe tha se nuk e kishte deklaruar, pasi dënimi nuk ishte i ndëshkueshëm nga ligji për dekriminalizimin. Nuk pranoi të kishte kontakte të papërshtatshme, duke u justifikuar se çështja ndaj personave për të cilët aludohej ishte pushuar. Po ashtu, ai këmbënguli se dhurata që kishte marrë nga një kompani për të cilën më pas kishte dhënë gjykim nuk ishte dhuratë, por një kontratë fiktive për një garazh të blerë më herët.

Pas shkarkimit nga detyra, Admir Thanza u mor në hetim nga prokuroria për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”, për shkak se nuk kishte deklaruar dënimin në Itali. Procesi ndaj tij është ende në hetim.

Lexo edhe:

Problemet me pasurinë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI evidentoi probleme në deklarimin e pasurisë nga ana e Thanzës. Në vendimin e zbardhur thuhet se ILDKPKI e akuzoi Thanzën për fshehje pasurie dhe mosdeklarim. KPK thotë se kjo u provua edhe në hetimin e pavarur të bërë prej saj.

Sipas vendimit të zbardhur, në pranverë të vitit 2000 Thanza ishte investuar të blinte një apartament 136 metra katrorë. Vlera e apartamentit në kontratën mes tij dhe kompanisë ndërtuese ishte 1.2 milionë lekë.

KPK gjeti se në dosjen e Thanzës pranë ILDKPKI ishte shtuar një faqe- formular që mbante datë të njëjtë me pjesën tjetër, në të cilën ishte deklaruar vlera 3 milionë lekë e ndarë në 1.2 milionë lekë blerje dhe 1.8 milionë lekë rikonstruksion për apartamentin. KPK thotë se gjyqtari nuk kishte asnjë procesverbal për të justifikuar shtesën në formular. Thanza vetë tha se nuk e mbante mend.

Në shtesë deklarohej edhe një garazh 18 metra katrorë.  Sipas KPK-së, Thanza kishte “harruar” të deklaronte një garazh dhuratë nga një kompani-të cilën e kishte pasur palë si relator i një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë në mars të këtij viti.

KPK thotë se pyeti Thanzën për dhuratat më 10 mars 2018. Sipas vendimit të zbardhur, gjykatësi i shkarkuar ka mohuar marrjen e ndonjë dhurate në pyetësor. Kur KPK i është rikthyer duke e pyetur specifikisht për kompaninë, Thanza pretendoi se garazhi ishte blerë dhe se kontrata e dhurimit ishte fiktive.

Trupi gjykues argumentoi se gjyqtari duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga çështja.

“Përtej pasojave së kontratës fiktive, mbetet i pashmangshëm fakti i mohimit të shumëfishtë nga ana e z. Admir Thanza të ekzistencës (qoftë edhe vetëm formalisht) të një kontrate dhurimi me “C” sh.p.k,” thuhet në vendim.

KPK ngriti një sërë dyshimesh mbi këto pasuri. Hetimi zbuloi se vlera prej 1.2 milionësh e blerjes së apartamentit ishte shumë më e ulët se sa mesatarja e çmimeve në Shkodër në këtë kohë. Madje sipas KPK-së, edhe vlera prej 3 milionë lekësh ishte sipas dokumenteve nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) sa gjysma e vlerës së një apartamenti të ngjashëm në atë kohë, ndërsa çmimi i deklaruar prej 1.2 milionë sa një e pesta e vlerës në treg të lirë.

Justifikimi i Thanzës se e kishte blerë apartamentin në karabina u gjet i paprovueshme nga KPK. Trupa gjykuese arsyetoi se në kontratën e shitjes nuk referohej diçka e tillë. Po ashtu, KPK e konsideroi kontradiktor justifikimin se ndërtuesit bënin kontrata me çmim më të ulët për të shmangur tatimet. KPK argumentoi se në këtë rast, diçka e tillë do ishte kundërproduktive, pasi ndërtuesi po shiste një apartament nën çmimin e referencës mbi të cilin do paguante taksat.

KPK tha po ashtu se nuk kishte prova për të dokumentuar shpenzimet e rregullimit prej 1.8 milionë lekësh. Sipas saj, në kontratë apartamenti ishte blerë i ri dhe ndërhyrjet ishin të pajustifikueshme, ndërkohë që burimi i të ardhurave ishte i dyshimtë.

Thanza u mbrojt duke thënë se “apartamenti në fjalë është blerë në stadin karabina dhe me këtë arsye, mund të shpjegohej fakti që pas blerjes ai ka shpenzuar, veç çmimit të kontratës, edhe një shifër prej 1.5 herë më shumë sesa vetë çmimi, për të kryer punimet e nisura pas datës 16 nëntor 2000”.

Të njëjtin arsyetim përdori Thanza edhe për të justifikuar një apartament në Tiranë në pronësi të bashkëshortes. Në kontratë, apartamenti  rezulton i blerë për 1.9 milionë, por është deklaruar nga Thanza si i blerë për 4 milionë.

Komisioni e rrëzoi këtë arsyetim, duke thënë se nuk u soll asnjë provë për punimet e kryera.

KPK po ashtu gjeti se një garazh i blerë nga bashkëshortja e Thanzës me vlerë 400 mijë lekë nuk ishte deklaruara asnjëherë, përveç se në deklaratën veting. ILDKPKI e cilësoi këtë “fshehje pasurie”, dhe Komisioni nuk e pranoi justifikimin se bëhej fjalë për një harresë.

Thanza nuk doli mirë as në analizën financiare. Sipas KPK-së, ai rezultoi me probleme edhe në një audit të porositur prej tij.

“Periudha 1992 – 2003, sipas të dhënave që ka përcjellë te Komisioni vetë subjekti i rivlerësimit,  nëpërmjet analizës financiare që kanë kryer ekspertët ekonomikë, pra nga auditi i ngarkuar prej tij, rezulton me një bilanc negativ prej  minus 2.7 milion lekësh”, thuhet në vendimin e zbardhur. Ndërkohë që për vitet 2004 – 2016, ai  del me minus  4.4 milionë lekë.

KPK thotë se Thanza kishte pretenduar se shpenzimet e kishin qenë më të vogla, pasi një periudhë kohe kishte jetuar në Shkodër me kosto jetese të ulët, por KPK në argumentim thotë se kjo ishte e pamundur, pasi referenca e marrë ishin shpenzimet minimale jetike në zonat më të varfra të vendit.

Sipas KPK-së ishte e pamundur që shpenzimet e gjykatësit të ishin më të ulëta, pasi llogaria ishte bërë duke konsideruar se për të jetuar një person duheshin 440 lekë (prej vitit 2007 e deri në vitin 2016) në ditë, që sipas Komisionit ishin shpenzime për mbijetesë dhe për bazë ishin marrë familjet më të varfëra në vend.

KPK thotë se llogaria nuk merr në konsideratë jetën e një familje të shtresës se mesme apo të lartë dhe nuk llogariten përshembull “frekuentimi i restoranteve, bareve, hoteleve, udhëtimeve dhe pushimeve brenda vendit, palestra, shërbime për mirëmbajtje trupi” e të ngjashme “që do të arrinim në një shumëfish të shumës simbolike prej 3 eurosh në ditë për shpenzimet jetike”.

Kontrolli i figurës

Hetimi mbi figurën dhe përshtatshmërinë po ashtu rezultoi negativ për Thanzën, i cili u gjet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si i shantazhueshëm nga krimi i organizuar për shkak të kontakteve.

KPK mbajti përgjegjës Thanzën për mosdeklarim të faktit që kishte qenë në hetim për korrupsion pasiv. Gjykatësi i shkarkuar u mbrojt duke thënë se “nga momenti që kjo çështje është pushuar – pasi faktet e provuara nga hetimi nuk përmbushin elementet e veprës penale për të cilën ishte hetuar, – ajo nuk duhej të ishte deklaruar”.

Ai arsyetoi se përkufizimi për “personin e përfshirë në krimin e organizuar” parashikon përjashtimin e rastit kur ai është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.  Ai po ashtu kundërshtoi raportin e DSIK-së, që e cilësonte “si një individ që mund të vihet lehtësisht nën presion nga strukturat kriminale” duke thënë se ishin të gabuara pasi ato prezumonin fajësinë.

Por KPK thotë se interpretimet e tij ishin të gabuara, se pushimi i një çështje nga prokuroria nuk konsiderohet i barabartë “me një vendim gjyqësor pafajësie të formës së prerë”.  Sipas Komisionit, ligji e bënte taksative se përjashtimi nga konsiderimi si anëtar i krimit të organizuar bëhet vetëm kur ka vendim pafajësie të formës së prerë.

KPK doli në përfundimin se subjekti i rivlerësimit kishte detyrimin për të deklaruar kontaktin e papërshtatshëm  dhe se deklarimi i tij ishte i pasaktë. Komisioni tha po ashtu se e besonte raportin se Thanza “ka tendenca në përfshirjen në veprimtari kriminale dhe është një individ që mund të vihet lehtësisht në presion nga strukturat kriminale …”.

Kontrolli profesional

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i raportoi KPK-së disa parregullsi profesionale, por i dha notë pozitive gjyqtarin Thanza për kriterin e aftësive profesionale. Sipas KLD-së, Thanza kishte probleme në administrimin e dosjeve, kishte relacione pa datë dhe firmë dhe se në 3 dosje mungonte procesverbali për seancën në dhomë këshillimi.

Vetë ai i kundërshtoi gjetjet e KLD-së duke fajësuar për mungesa ndihmësit ligjorë dhe tha se problemet nuk ishin pjesë e kompetencave të tij.

Komisioni në vlerësimin e aftësive profesionale të Thanzës u fokusua në etikën dhe integritetin e tij si gjykatës. Në vendimin e zbardhur thuhet se Thanza kishte deklaruar se nuk kishte marrë dhuratë mbi 500 euro dhe se po ashtu nuk kishte dhënë vendime, ku palën ishin persona që i kishin bërë dhurata. Por KPK gjeti një kontratë të prillit 2017, sipas të cilës një shoqëri i kishte bërë Thanzës dhe disa personave të tjerë “një garazh me sipërfaqe 18 m² të ndodhur në Shkodër”. Sipas kontratës së dhurimit, secilit pranues të dhuratës i përkiste ¼ e garazhit, si pjesë takuese e pandarë”.

Po ashtu, KPK gjeti se kompania në fjalë ishte palë ndërgjygjësuese në disa çështje në Gjykatën e Lartë. Sipas vendimit të zbardhur rezultoi se në një prej çështjeve të regjistruar në Gjykatën e Lartë po në vitin 2017 Admir Thanza ishte relator. “Kjo çështje rezulton e përfunduar/vendosur më datë 06.03.2018”, thuhet në vendim.

Vendimii zbardhur bën me dije se Thanza kishte mohuar si marrjen e dhuratave, si faktin që mund të kishte gjykuar dikë që i kishte bërë dhuratë. KPK thotë se mohimi ishte bërë vetëm katër ditë pas përfundimit të çështjes me palë ndërgjyqësuese kompaninë në fjalë.

Thanza u mbrojt se garazhi nuk ishte dhuratë. Ai pretendoi se e kishte blerë së bashku me apartamentin në vitin 2000, por “çuditërisht ishte regjistruar në emër të kompanisë ndërtuese dhe jo të blerësve”. Ai paraqiti po ashtu një deklaratë të një noteri, që supozohej se u kishte sugjeruar palëve të firmosnin një kontratë dhurimi fiktive.

Komisioni arsyetoi se alibia e Thanzës sa i përket garazhit nuk ishte bindëse. “Jemi përballë një kontrate të mirëfilltë dhurimi, që përmbush të gjitha elementet formale dhe nuk mund të pretendohet që ajo të mos prodhojë efektet e veta juridike”, argumentoi treshja e KPK-së. Sipas Komisionit një gjyqtar i Gjykatës së Lartë “nuk mund të nënshkruajë kontrata vetëm për faktin sepse ato sugjerohen nga ana e një noteri”.

Komisioneri thotë se Thanza mund të kishte bindur me versionin e tij nëse “nëse do të kishte pohuar ekzistencën e kontratës së dhurimit në fjalë” gjatë pyetësorëve. Në mungesë të këtij vetëdeklarimi apo sqarimi gjatë procesit gjyqësorë në të cilin kishte qenë relator KPK thotë se i krijohen “dyshime të arsyeshme mbi tentativën e fshehjes të së vërtetës”.

KPK gjeti se Thanza kishte marrë një masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” nga KLD në vitin 2000 “Për kryerjen e veprimeve që sipas ligjit janë të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit”, që iu shtua problemeve që ai kishe me vetë Komisionin.

Komisioni thotë po ashtu se mësoi që Thanza ishte dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë, ndërsa ky i fundit nuk e kishte deklaruar këtë as në formular dhe as kur u pyet specifikisht nga KPK nëse kishte dënime.

Thanza e pranoi faktin që vendimi i formës së prerë  ishte dhënë ndaj tij në Itali, por ai mohoi që të kishte kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar. Ai tha se “i detyruar nga rrethanat familjare, si dhe i shtyrë nga ndjenja humanitare” kishte marrë përgjegjësitë penale të dikujt tjetër. Ndërsa tha se nuk e kishte deklaruar dënimin sepse vepra për të cilën ishte dënuar nuk ishte përjashtuese sa i përket ligjit për dekriminalizimin.

KPK e rrëzoi pretendimet e gjykatësit për mos deklarimin e dënimit në Itali. Komisioni arsyetoi se në këtë rast i rëndësishëm ishte fakti që gjyqtari nuk e kishte deklaruar atë dhe që kishte gënjyer po ashtu edhe në pyetësorin e KPK-së, në të cilin i ishte përsëritur pyetja nëse ishte ndaluar apo dënuar në ndonjë vend tjetër. Në fund, KPK arsyetoi se këto e bënin të papërshtatshëm profesionalisht Thanzën dhe se veprimet e tij “cënonin besimin e publikut te drejtësia”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *