Gjyqtari Niko Rapi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Denoncimi anonim për ‘konflikt interesi’ i kushtoi karrierën Niko Rapit

Gjyqtari Niko Rapi i Gjykatës së Tiranës i kaloi filtrat e vetingut për pasurinë dhe profesionalizmin, por u penalizua për kontratat në kushtet e konfliktit të interesit për furnizimin me karburant të Gjykatës së Pogradecit si dhe disa udhëtime jashtë vendit.

Gjyqtari Niko Rapi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Një denoncim anonim i kryer gjatë procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Niko Rapi, zbuloi një rast të konfliktit të interesit në kohën që ai drejtonte Gjykatën e Pogradecit – duke i kushtuar karrierën në sistemin e drejtësisë.

Dyshimet për konflikt të mundshëm interesi me kompaninë “Bregu” sh.p.k u hetuan më parë edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas deklarimit nga Rapi të një huaje prej 40 mijë eurosh marrë nga kjo kompani, por përgjigjet nga Gjykata e Pogradecit tregonin se subjekti nuk kishte shqyrtuar asnjë çështje me palë  kompaninë apo ortakët e saj.

Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit, rrjedha e procesit ndryshoi më 4 mars, ku denoncuesë anonimë informuan se kompania “Bregu” sh.p.k kishte pasur marrëveshje me kompaninë Kastrati për shitjen e karburantit në Pogradec.

Ata i kanë kërkuar KPK-së që të hetojë nëse kompania që i ka dhënë huanë Rapit ka përfituar ose jo nga procedurat e tenderimit për karburant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në kohën kur subjekti i rivlerësimit ka qenë kryetar i këtij institucioni. Gjithashtu, denoncuesit kanë informuar se gjyqtari Rapi ka udhëtuar jashtë vendit për të parë ndeshje sportive me persona me “influencë”.

I pyetur nga Komisioni lidhur me këtë denoncim, Rapi ka sqaruar se me shtetasin L.B dhe vëllezërit e tij, ortakë në kompaninë “Bregu” sh.p.k kishte marrëdhënie shoqërore. Ai ka shtuar se në dijeninë e tij, shoqëria e administruar prej tyre merret përgjithësisht me aktivitet në fushën e ndërtimit, hotelerisë dhe karburanteve.

Rapi ka mohuar të kishte dijeni lidhur me karakterin e bashkëpunimit mes kompanisë “Bregu sh.p.k.”, me shoqërinë “Kastrati Group”. Më tej, subjekti ka deklaruar se kohën që ka qenë drejtues në këtë gjykatë, nuk ka pasur gjykime me këto shoqëri. Ky qëndrim i Rapit është konfirmuar edhe nga Gjykata e Pogradecit.

Në lidhje me procedurat e tenderimit me këto shoqëri, gjykata ka informuar se gjatë kohës që subjekti ka qenë kryetar, përkatësisht në vitet 2014 dhe 2015, janë nënshkruar dy kontrata me “Kastrati Group” me objekt “furnizim me karburant”.

Nga verifikimi i dokumentacionit të prokurimeve të Gjykatës së Pogradecit për furnizimin me karburant është konstatuar se ndër të ftuarit ekonomikë ka qenë edhe kompania “Bregu” sh.p.k. Në kontratën e prokurimit vitit 2013 ka rezultuar se shoqëria “Kastrati Group” dhe kompania në administrim të L.B., kanë pasur bashkëpunim.

“…Duket se edhe subjekti ka qenë në dijeni. Po ashtu, nga të dhënat në rrjetet sociale duket se bashkëpunimi mes këtyre shoqërive është fakt i njohur publikisht,” thuhet në vendim.

Gjithashtu, Komisioni konstatoi se në Pogradec është fakt i njohur dhe i deklaruar se aktiviteti i shoqërisë së administruar nga L.B. është në fushën e karburanteve. “…Shoqëria “****” sh.p.k. në mënyrë ekskluzive prej vitesh kryen shpërndarjen e karburantit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe jo vetëm…”, thekson trupa gjyqësore.

Rapi e ka kundërshtuar konstatimin e Komisionit, duke pretenduar se “Bregu sh.p.k.”, nё asnjё rast nuk ka qenё palё kontraktore me Gjykatën e Rrethit Gjyqёsor Pogradec në periudhën që ai ishte kryetar.

“…Unё, si drejtues nuk kam qenё i ngarkuar me ligj tё shoh e vlerësoj dokumentacionin e tenderimit që paraqesin palёt dhe administrojnё njёsitё e prokurimit,” ka deklaruar Rapi dhe ka vijuar se nё dokumentacionin final tё nёnshkrimit tё kontratёs dhe nё dokumentacionin lidhur me kryerjen e pagesave, kjo shoqёri nuk ka figuruar nё asnjё moment.

Komisioni ka gjetur gjithashtu se gjyqtari Niko Rapi kishte pasur në përdorim me të drejta të plota dhe afat të pakufizuar edhe një makinë “Land Rover” të blerë nga shoqëria “Bregu sh.p.k.” në vitin 2011 për vlerën 28 mijë 500 euro. Nëpërmjet një prokurore të posaçme të qershorit 2016, kompania “Bregu sh.p.k.” ka emëruar si përfaqësues ligjor dhe të posaçëm z. Niko Rapi, të cilit i jep tagrat që të veprojë në emër dhe për llogari të shoqërisë lidhur me përdorimin, blerjen dhe shitjen e automjetit “Land Rover”, vetes dhe të tretëve, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë për një afat të papërcaktuar.

Nga verifikimi në sistemin TIMS ka rezultuar se subjekti ka udhëtuar me këtë automjet i shoqëruar nga familjarët dhe nuk e ka deklaruar zotërimin e kësaj makine në vitin 2016.

Gjyqtari Rapi ka shpjeguar se pavarësisht përmbajtjes sё prokurёs së posaçme dhe tagrave të përmendura në të, e ka shfrytëzuar vetёm pёr njё udhёtim disa orё pёr tё lёvizur nga Pogradeci nё Ohёr të Maqedonisë së Veriut, nё qershor të vitit 2016.

“Nga hetimi ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka pasur trajtime preferenciale/favorizuese nga shoqëria “****” sh.p.k., të cilat duket se shkojnë përtej miqësisë, pikërisht, dhënia e huas nga kjo shoqëri, në shumën 40.000 (dyzet mijë) euro nga të ardhurat e shoqërisë tregtare dhe dhënia e automjetit në zotërim të subjektit apo kryerja e disa udhëtimeve të përbashkëta”, konkludon Komisioni.

Trupi gjykues vlerëson se këto trajtime preferenciale janë kryer në kushtet e konfliktit të interesit të vazhdueshëm dhe se subjekti nuk i ka deklaruar si të tilla.

Rapi ka dhënë shpjegime edhe lidhur me udhëtimet jashtë shtetit me persona të tjerë. Ai ka deklaruar se në vitin 2011 ka udhëtuar me shtetasit L.B dhe K.M në Myhnih, Gjermani, për të parë një ndeshje futbolli.

Gjyqtari Rapi ka sqaruar se ka dalë nga pika kufitare Kapshticë me automjetin e shtetasit K. M, së bashku edhe me shtetasit A. M dhe A.Z dhe, më tej kanë marrë fluturimin Selanik – Mynih. Ndërsa me L.B., administratorin e “Bregu sh.p.k”, janë takuar në Gjermani pasi ai kishte udhëtuar dy ditë më parë. Rapi ka pretenduar para Komisionit se ka qëndruar në hotel dhe se shpenzimet kanë qenë të tijat dhe e ka justifikuar këtë pretendim me faktin se në atë vit ka rezultuar me balancë pozitive dhe mund t’i përballonte shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në Gjermani.

Referuar të dhënave nga sistemi TIMS, Komisioni ka gjetur se Rapi ka udhëtuar në pikat më të afërta të kufirit me automjete që kanë qenë në pronësi të shtetasve të tjerë edhe pse vetë ka pasur në zotërim automjet personal. Gjithashtu, KPK konstaton se për periudhën prill 2008 – tetor 2015, Rapi ka mbajtur funksionin e kryetarit të gjykatës në Pogradec dhe ka pasur në përdorim edhe automjetin e këtij institucioni.

Rapi ka pretenduar se qëllimi i marrjes së mjeteve në përdorim ka qenë vetëm nevoja për të lëvizur brenda ditës në Maqedoninë e Veriut, dhe automjetet në fjalë janë përdorur vetëm brenda ditës ose maksimumi deri të nesërmen.

Të dhënat e TIMS kanë evidentuar se gjyqtari Rapi kishte udhëtuar jashtë shtetit me avokatin A.Z. dhe biznesmenin K.M., aksioner në dy shoqëri që operonin në tregëtimin e hidrokarbureve. Nga hetimi kanë rezultuar 95 vendime me gjyqtarin Niko Rapi dhe avokat z. A.Z, gjatë periudhës 2003 ‒ 2016. Ndërkohë, nuk kanë rezultuar të dhëna për procese gjyqësore me palë ndërgjyqëse biznesmenin K.M., dhe shoqëritë ku ai ishte aksioner.

Lidhur me çështjet gjyqësore të gjykuara me avokatin A. Z., Rapi ka deklaruar se pala e mbrojtur apo përfaqësuar nga ky avokat apo përfaqësues të studios së tij ligjore, nuk është privilegjuar, por është mbajtur i njëjti standard gjykimi.

Komisioni, konkludon se marrëdhënia personale dhe miqësore e subjektit të rivlerësimit me shtetasin A. Z. duhej të ishte e kufizuar në respektim të ushtrimit të detyrës së tij. “…Fakti se ushtronte funksionin e avokatit dhe se shpesh mund të përballeshin në procese gjyqësore, mund të krijonte një perceptim të gabuar te publiku dhe qytetarët e Pogradecit,” argumenton Komisioni.

Trupi gjykues çmon se sjellja jashtë gjykatës së Z. Rapi është e papranueshme për të pasur besimin e publikut.

“Rëndësia e sjelljes jashtëgjyqësore të gjyqtarit dhe ndikimi i saj në besimin e publikut te sistemi i drejtësisë është objekt rregullimi i normave të etikës gjyqësore në Shqipëri dhe pjesë e standardeve ndërkombëtare për sjelljen e gjyqtarëve,” konstaton Komisioni

Komisioni i konsideron këto rrethana të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se gjyqtari Niko Rapi ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe e konsideron si shkak për shkarkimin e tij nga detyra.

Nga analiza financiare e viteve 2003 ‒ 2016 ka rezultuar vetëm një balancë negative në vlerën -405 mijë lekë në vitin 2007, si dhe pamundësi financiare e babait të Rapit për të mbuluar me burime të ligjshme dhënien e një huaje në vitin 2008. Komisioni vlerësoi se pamjaftueshmëria financiare e subjektit dhe e babait nuk përbëjnë shkak të mjaftueshëm për shkarkim.

Rapi u vlerësua pozitivisht për figurën, ndërsa për profesionalizmin me nivel minimal kualifikues.

Komisioni e vlerëson konstatimin e konfliktit të interesit të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se subjekti ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe vendosi më datë 21 korrik 2020 shkarkimin e tij nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *