Gjyqtari Genti Shala | Foto : Edmond Hoxha
KPA Veting

Denoncimi ndaj gjyqtarit Genti Shala për aksione në një shoqëri rezultoi i pavërtetë

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë Genti Shala u konfirmua në detyrë më 4 gusht të vitit 2020, por një denoncim anonim i mbërritur pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM pak ditë para se të përfundonte afati i ankimit ku pretendohej se subjekti kishte fshehur aksionet që zotëronte në një shoqëri ndërtuese, solli ankimin e çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Shala mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin, si dhe arriti të bindte trupën gjykuese të KPK-së se nuk kishte lidhje me një apartament të blerë në vitin 2000 në Tiranë për të cilin fillimisht u ngritën dyshime për pronësinë, nëse i përkiste subjektit apo tezes së tij. Një çështje e gjykuar prej Shalës u transferua për inspektim në ILD.

Bazuar në rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Publik Florian Ballhysa paraqiti ankim në KPA me argumentin se kishte nevojë hetimi të mëtejshëm të kriterit të pasurisë, për të dhëna e informacione të cilat nuk janë hetuar nga Komisioni.

Ballhysa kërkoi që veç denoncimit të verifikohej dhe një kontratë huaje e vitit 2015, që sipas tij nuk ishte hetuar prej KPK-së dhe mund të ndikojnë në aftësinë financiare të subjektit të rivlerësimit.

Kolegji vëren se në hetimin e Komisionit është evidentuar huaja, por nuk rezulton që dokumentacioni të jetë administruar në fashikull. Gjyqtari Shlala shpjegoi gjatë gjykimit në KPA se ky akt noterial është një kontratë huapërdorje pasurie të luajtshme, me qëllim përdorimin e një automjeti brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë për një periudhë 10-ditore. Ai ka sqaruar se udhëtimin në Greqi që ka kryer me këtë automjet e ka deklaruar në Komision dhe se është një situatë e hetuar në shkallën e parë. Shala ka paraqitur në Kolegj edhe kontratën e huapërdorjes së pasurisë së paluajtshme.

“Për këtë udhëtim dhe përdorimin e këtij automjeti, rezulton se subjekti ka dhënë përgjigje sipas pyetësorit të parë të drejtuar prej Komisionit në funksion të procesit të tij të rivlerësimit, si dhe është konfirmuar nga të dhënat zyrtare që gjenden në sistemin e të dhënave qeveritare TIMS”, konstaton Kolegji dhe vlerëson se nuk evidentohet asnjë e dhënë që mund të afektonte analizën financiare të vitit 2015.

Në KPA u hetua edhe lidhur me denoncimin anonim ku pretendohej se gjyqtari Shala zotëronte 15% të aksioneve të një shoqërie ndërtuese, me administrator L.L.. Denoncimi është kryer pas vendimarrjes së Komisionit për konfirmimin në detyrë të Shalës dhe është bashkëngjitur ekstrakti historik i shoqërisë dhe një foto e një ndërtese banimi.

Shala e konsideroi denoncimin si një përpjekje dhe mënyrë abuzive për të vënë në dyshim besueshmërinë e tij në procesin e rivlerësimit. Ai shpjegoi në KPA se përgjatë hetimit administrativ në Komision, ka rezultuar e qartë se marrëdhënia e tij e vetme me shoqërinë që përmendet në denoncim, është ajo e blerjes së banesës në Shkodër, ku banon dhe aktualisht me familjen.

Subjekti ka pohuar se fotot e që i janë bashkëlidhur denoncimit tregojnë pikërisht ndërtesën tek e cila ndodhet apartamenti në pronësi të tij.

Me vendim të ndërmjetëm, Kolegji ka vendosur të administrojë si prova, ekstraktin historik të regjistrit tregtar të shoqërisë ndërtuese si dhe çdo të dhënë tjetër të publikuar në faqen online të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

“Kolegji nuk konstatoi asnjë të dhënë nga e cila të rezultonte se subjekti i rivlerësimit kishte aksione, marrëdhënie biznesi, përfaqësimi, konsulence, punësimi apo të ndonjë lloj tjetër me këtë shoqëri”, konstaton trupi gjykues i KPA.

Fotot janë konsideruar se nuk kanë sjellë asnjë të dhënë apo fakt në mbështetje të denoncimit, përderisa objekti ku gjendet apartamenti i blerë prej gjyqtarit Shala i është nënshtruar hetimit administrativ dhe më parë në KPK.

“[…]Në mungesë të çfarëdo adresimi tjetër për verifikim, të identifikuar qoftë nga denoncuesi në denoncimin objekt verifikimi, qoftë nga Komisioneri Publik, Kolegji vlerësoi se denoncimi i referuar nga Komisioneri Publik mbi të cilin ai kishte ngritur dyshimin për pasuri të fshehur të subjektit të rivlerësimit, […], nuk përmbante të dhëna që të mund të konfirmoheshin si të vërteta dhe që do të sillnin nevojën e vlerësimeve apo hetimeve të mëtejshme prej Kolegjit”, vlerëson Kolegji dhe ka arritur në konkluzionin se denoncimi ishte i pabazuar në fakte dhe prova e për rrjedhojë vendimi për konfirmimin e gjyqtarit Genti Shala është lënë në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *