Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA
KPA Lajme Vendi

Denoncimi ndaj Sokol Ngresit për apartament të fshehur, KPA vendos të ekspertojë kontratat

Administratori i shoqërisë “Afa Konstruksion”, Flamur Kadëna dëshmoi për shoqërinë e tij me gjyqtarin Sokol Ngresi dhe për kontratat dhe pagesat për blerjen e një apartamenti, për të cilin pretendohet në një denoncim se është fshehur prej subjektit të rivlerësimit. 

Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA

Flamur Kadëna, administratori i shoqërisë ndërtuese “Afa Konstruksion” sh.p.k., dëshmitari i thirrur në kuadër të shqyrtimit të një denoncimi ndaj gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Sokol Ngreci ku pretendohet për fshehje të një apartamenti në Vlorë, u paraqit të enjten para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Pasi u betua se do të thoshte vetëm të vërtetën, Kadëna dukej i qetë teksa iu dha përgjigje pyetjeve të drejtuara nga Kolegji, vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler dhe subjekti i rivlerësimit, duke përdorur edhe terma juridikë dhe financiarë gjatë shpjegimeve. 

Në fund të seancës që zgjati më shumë se 6 orë, trupa vendosi të kryejë ekspertimin e kopjes origjinale të kontratës paraprake dhe asaj të revokimit, si dhe të mandat pagesave të depozituara nga Kadëna – për të konkluduar nëse ato janë nënshkruar edhe nga gjyqtari Sokol Ngresi në cilësinë e palës blerëse, apo nëse firma e tij është falsifikuar ashtu si ai pretendon. 

Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe punon prej vitit 2005 në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor 2020, me argumentin se bilancet negative ishin të vogla dhe të pamjaftueshme për të vendosur masë disiplinore. Vendimi i Komisionit u ankimua nga komisioneri Florian Ballhysa, i cili argumenton se Ngresi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për gjendjen e kursimeve cash në vitin 2003 dhe për blerjen e dy automjeteve. 

Gjatë procesit në KPA, Sokol Ngresi u përball me disa denoncime që ngrenë dyshime se ai kishte fshehur një kontratë paraprake për blerjen e një apartamenti në Vlorë në vitin 2014, tre pagesa dhe kontratën e revokimit të vitit 2015. Këto dyshime u konfirmuan nga dokumentet e dërguara prej shoqërisë ndërtuese “Afa Konstruksion”, por Ngresi i ka quajtur të falsifikuara dhe ka pretenduar se gjithçka bëhej për shkak se mund të kishte cënuar intresat e administratorit të kësaj shoqërie dhe të “xhelozisë” dhe “ligësisë” së një ish-kolegeje të Apelit Vlorë e shkarkuar nga detyra, për të cilën kishte deklaruar më parë se ajo kishte lidhje të ngushta me Kadënën. 

Gjatë seancës të enjten, Ngresi dorëzoi si prova dy vërtetime të marra nga Prokuroria e Vlorës dhe Drejtoria e Tatimeve të këtij Qyteti. Ai pohoi se prokuroria sqaron se ka regjistruar procedim penal lidhur me kallëzimin e kryer prej tij për falsifkimin e kontratës paraprake për blerjen e një apartamenti tek “Afa Konstruksion” dhe se çështja është duke u hetuar. Sipas Ngresit, me shkresën e tatimeve arrihej të provohej se pagesat e pretenduara nga firma ndërtuese se janë kryer prej tij, si dhe kthimi i vlerës pas revokimit të kontratës, nuk rezulton e pasqyruar në librat e shit-blerjes së kësaj shoqërie. 

‘Miqësia’ dhe ‘shërbimet’

I pyetur nga kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtylla lidhur me njohjen dhe marrdhënien që ai ka pasur me Ngresin, Kadëna pohoi se nuk i mbante mend ekzaktësisht rrethanat në të cilat ishin njohur, por shtoi se frekuentonin shoqëri të përbashkët dhe se marrdhënia mes tyre kishte qenë shoqërore. 

Kadëna u pyet edhe lidhur me një email ku Ngresi i ka dërguar një ankim për llogari të shoqërisë ndërtuese “Afa Konstruksion”, që i është njohur më parë Kolegjit nga kjo kompani së bashku me dokumentacionin e kontratës. Shtylla e pyeti dëshmitarin nëse kishte pasur dijeni për konsultimet e ish-avokatit të tij të ndjerë me subjektin e rivlerësimit, por Kadëna tha se nuk mund të jepte një përgjigje për këtë gjë. 

Ai mohoi që subjekti të kishte qenë ndonjëherë avokat i tij apo i shoqërisë që zotëron, por shpjegoi se ishte konsultuar me të. Kadëna vijoi se i kishte kërkuar ndihmë për ankimin ndaj një gjobe që kishte marrë, pasi kishte besim tek profesionalizmi i Ngresit. Sipas tij, e kishte kërkuar këtë nder në telefon dhe se subjekti ia kishte nisur ankimin e punuar me email. “[…]Më njoftuan ditën e fundit dhe zotëria më ndimoi për ankimin që ma ka nisur me email dhe ia di për nder”, shpjegoi Kandëna. 

Ngresi pohoi në seancë se emaili ishte dërguar ditën që ishte dhënë vendimi dhe se ia kishte kërkuar avokati i ndjerë i dëshmitarit, që i kishte thënë vetëm t’i hidhte një sy. 

Subjekti këmbënguli në seancë se veç një email-i nuk kishte ndonjë komunikim tjetër mes tyre, por Kadëna tha se nëse do të verifikoheshin tabulatet telefonike do të vërtetohej se kishin pasur komunikime. 

Në fund Ngresi e pyti Kandënën nëse kishte qenë në shtëpinë e tij në shkurt të vitit 2019 kur kishte ndërruar jetë nëna. “Kam qenë edhe në shtëpi, edhe në varrim”, u përgjigj Kadëna. 

Kadëna nuk dha përgjigje për një pyetje të Ngresit se çafrë lidhje kishte me z.Alaudin Malaj dhe Znj.Klodiana Gjyzari. 

Dëshmia për kontratën e apartamentit

Lidhur me kontratat dhe mandat-pagesat dëshmitari shpjegoi se ato kryheshin në zyrat e shoqërisë dhe se janë nënshkruar mes tij në cilësinë e titullarit të shoqërisë dhe të klientit. 

Kadëna deklaroi se kontrata paraprake e shitjes ishte nënshkruar mes tij dhe Ngresit në një pasdite, rreth orës 18:00, pasi subjekti i rivlerësimit ishte në punë gjatë gjithë ditës. 

Pyetjes se përse kontratat nuk ishin nënshkruar para noterit, Kadëna pohoi se shoqëria e tij kishte krijuar besueshmëri për shkak të aktivitetit 15 vjeçar dhe faktit se kishte ndërtuar 20 pallate. “Po dorëzoj edhe kontrata të tjera të ngjashme që janë nënshkruar në zyrë, por kërkoj që të anonimizohen dhe të ruhet anonimati i personave të tjerë”, theksoi Kadëna. 

Për mosdeklarimin në tatime të pagesave të kryera, ai pretendoi se financieri që kryente bilancin deklaronte gjithë shumën e akumuluar dhe jo pagesat e secilit prej klientëve. “Dita kur kam kthyer shumën e paguar prej subjektit korespondon me atë të mandatit bankar”, pohoi  Kadëna. 

Pasi u njoh me aktet e dorëzuara nga subjekti dhe Kadëna, Kolegji e pyeti këtë të fundit për negicimin e kryer për apartamentin. 

Kadëna sqaroi se subjekti e kishte parë apartamentin disa herë dhe se i kishte pëlqyer. Sipas tij, më vonë kishin diskutuar për çmimin dhe ishin dakorëduar. 

I pyetur se cilët persona kishin akses në kopjet origjinale, Kadëna tha se kishte vetëm ai, sekretarja dhe noterja. 

Më pas Kadëna ju përgjigj pyetjeve të Ngresit, nëse mbanin regjistër për kontratat e nënshkruara në zyrë. Ai tha se kishin databazë elektronike për të gjithë klientët, nga viti 2005 e në vijim. Ai shpjegoi se numri i repertorit shënohej sipas renditjes dhe shtoi se nuk mbanin regjistra fizikë. 

Edhe Kryesuesja Shtylla kërkoi shpjegime për databazën dhe Kadëna sqaroi se për çdo objekt kishin ndërtuar një databzë, pasi ishte më e thjeshtë për t’u menaxhuar. 

Ngresi evidentoi se mandat-pagesat e dorëzuara nga dëshmitari janë në format A4 dhe e pyeti nëse përdornin formatë të tjerë mandatesh. Sipas Kadënës, 99% e mandateve ishin në format A4 për shkak se i printonte financierja në zyrë. 

I pytetur se përse pagesat nuk ishin kryer nëpërmjet bankës, Kadëna sqaroi se nuk kishte pse të arkëtonte shuma që ishin marrë brenda kufijve të ligjit. 

Ai vijoi se nuk i kujtohej që subjekti të kishte pasur tendencë për ta fshehur pasurinë duke kryer pagesat në zyrë. “Më ka thënë se do të aplikonte për vizë në Kanada dhe se donte ta paraqiste këtë dokument”, tha Kadëna. 

Ngresi e kundërshtoi këtë thënie të Kadënës. Ai pranoi se një i afërm i kishte për ftesë për një vizitë për në Kanada dhe se kishte aplikuar për vizë, që nuk i ishin mundësuar – por theksoi se nëse do t’i duhej një gjë e tillë, kishte prenotuar një vit më parë një apartament tek një shoqëri tjetër dhe se nuk kishte pse ti nevojitej një kontratë tjetër për garanci. 

Lidhur me faktin e konstatuar nga Ngresi se, në kontratë thuhej se apartamenti gjendet në katin e 9-të të banimit, ndërkohë që leja ishte dhënë për 8 kate banimi, Kadëna deklaroi se kishte ndërtuar një kat shtesë pasi kishte dalë ligji për legalzimin dhe favorizohej ta bënte këtë gjë. Ai shtoi në seancë se kishte aplikuar për legalizim dhe e kishte regjistruar edhe shtesën. 

Kadëna dha përgjigje edhe për konstatimin tjetër të Ngresit, se në kontratë nuk kishte nënshkruar investitori tjetër. Sipas tij, në të gjitha rastet firmos titullari dhe jo investitori tjetër. 

Ai shtoi se kishte aplikuar për legalizim në vitin 2011 kur kishte përfunduar ndërtimi i objektit, ndërsa punimet e brendshme mund të vazhdonin pasi nuk kishin lidhje me procesin e legalizimit. Sipas Kadënës atë apartament e zotëron aktualisht ai dhe se aty nuk jeton askush. 

Ngresi pretendoi se kontrata noteriale e dorëzuar nga subjekti lidhur me kontratat e nënshkruara për apartamentin dhe pagesat duhej të ishte kryer në prani të të dy palëve. Kadëna pohoi se në këtë rast ishte legalizuar kopja origjinale që kishin nënshkruar në zyrë. 

Subjekti evidentoi gjithashtu, se në kontratën e noterizuar të vendosur në dispozicion të Kolegjit të enjten, mungonin një pjesë e akteve të praktikës, mungesa për të cilat Kadëna tha se ato nuk e dëmtonin kontratën. 

Për konstatimin e Ngresit se në dokumentacionin e kontratës nuk ishte bashkëngjitur kopje e kartës së tij të identitetit të asaj kohe, Kadëna pohoi se kjo mund të kishte ndodhur nga veprimet e sekretares. 

Kadëna u pyet nga përfaqësuesi i ONM-së, Steven Kessler se si kishte mundësi që i kujtoheshin kaq mirë detajet e një kontrate të shtatë viteve më parë dhe se si e kishte shtënë denoncuesi në dorë kopjen e kësaj kontrate.

Kadëna tha se nuk mbante mend çdo detaj, por se veç çfarë kishte memorizuar, i referohej edhe kontratës. “Nuk është një klient i zakonshëm dhe kemi pasur shoqëri”, shtoi ai dhe konfirmoi se kontratat ishin të njëjta me ato të serivirua nga denoncuesi. 

“Por denoncimi nuk është kryer nga unë. Mua ma kërkoi Kolegji kontratën dhe prandaj e nxora”, shpjegoi Kadëna dhe tha se as tani nuk kishte pse e denonconte Ngresin. 

Kadëna vijoi se veç atij dhe ‘komercialistit” që bënte bilancet, një kopje e ka pasur edhe subjekti i rivlerësimit. 

Ngresi pretendoi në fund të fjalës së tij se dëshmia e Kadënës provon mungesën e ekzistencës së çdo rrethane për nënshkrimin e kontratës dhe e cilësoi nënshkrimin të falsifikuar.  Ai tha se ishte i hapur për çdo ekspertim. 

Në fund të seancës, Kolegji vendosi që aktet origjinale të dorëzuara nga Kadëna t’i nënshtrohen ekspertimit nëse janë false, si dhe të thirren ekspertë të policisë shkencore në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 21 shtator, ora 10:00. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *