Prokurori Dritan Gina në seancën e së premtes në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Dështon për herë të dytë seanca dëgjimore për Dritan Ginën

Komisioni pranoi kërkesën e prokurorit të Tiranës, Dritan Gina për shtyrjen e seancës me pretendimin se avokati i tij mbrojtës e kishte të pamundur të ishte i pranishëm për shkak të gjendjes shëndetësore. 

Prokurori Dritan Gina në seancën e së premtes në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca dëgjimore e prokurorit të Tiranës, Dritan Gina, e planifikuar për t’u zhvilluar të premten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dështoi për herë të dytë.

Gina pohoi se avokati ishte në gjendje pamundësie për të qenë i pranishëm në seancë dhe i paraqiti Komisionit një raport mjekësor për paaftësinë e përkohshme në punë të përfaqësuesit ligjor, deri më 10 shtator 2021. Ai kërkoi që të shtyhej seanca gjyqësore për t’iu garantuar e drejta e mbrojtjes, kërkesë e cila u pranua nga trupa gjykuese.

Më herët më 26 korrik, seanca dëgjimore u shty pasi prokurori Gina kërkoi që të shqyrtohej një kërkesë e dorëzuar prej tij për përjashtimin e anëtareve të trupit gjykues, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.

Megjithëse trupi gjykues u shpreh në seancën e parë se nuk ishte njohur me këtë kërkesë, të premten pranoi se Gina kishte dorëzuar kërkesën për pëjashtimin e dy anëtarëve Pine dhe Çifjta, veç kërkesës për përjashtimin e komisioneres tjetër, Valbona Sanxhaktari.

“…U konstatua se është i vërtetë fakti se subjekti kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e komisionerëve Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja në maj të vitit 2020, por për shkak të një gabimi njerëzor nga ana e personelit administrativ, nuk i është vënë në dispozicion mbledhjes së Komisionit”, shpjegoi kryesuesja Etleda Çiftja.

Ajo sqaroi se kërkesa për përjashtimin e saj dhe të Pines ishte shqyrtuar nga një tjetër trupë gjykuese e KPK-së që e kishte gjetur të pabazuar dhe e kishte rrëzuar. Çiftja sqaroi se vendimi për rrëzimin e kësaj kërkese i është njoftuar subjektit të rivlerësmit me anë të postës elektronike më 4 gusht.

Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 15 shtator, ora 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *