Donika Prela përballet me pikëpyetje mbi të ardhurat dhe shitblerjet e apartamenteve

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela replikoi edhe me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs, i cili ngriti dyshime për mospagimin e taksave nga bashkëshorti, por ajo këmbënguli se ky është detyrim i kompanisë punëdhënëse dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Drejtuesja e komanduar e Krimeve të Rënda, Donika Prela u përball me pikëpyetje mbi të ardhurat e bashkëshortit dhe transaksionet me pasuritë e paluajtshme në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të martën. Prela u mbrojt me dokumente shtesë si dhe me argumentin se detyrimet tatimore të bashkëshortit ishin përgjegjësi e punëdhënësit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu gjithashtu verifikime për dy apartamente të blera nën çmimin e tregut si dhe një sipërfaqe toke prej 1 mijë metrash katrorë në Petrelë të Tiranës, me çmim që dukej gjithashtu favorizues.

Por gjatë seancës dëgjimore u sqarua se apartamentet, një në Tiranë dhe një i dytë në Durrës ishin blerë nga kompania ku bashkëshorti i prokurores punonte si inxhinier ndërtimi, ndërsa toka në Petrelë ishte brenda çmimit të referencës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda  u ngarkua me barrën e provës për burimet financiare të një të afërmi të bashkëshortit, i cili u kishte dhënë 15 mijë euro hua për blerjen e një apartamenti në vitin 2007 si dhe dha sqarime mbi denoncimin e një qytetari lidhur me apartamentin ku banon aktualisht, i blerë për 110 mijë euro në vitin 2018.

Procesi i vetingut për të u krye nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.  Gjatë hetimit administrativ ajo mori notë pozitive nga DSIK për pastërtinë e figurës. Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, trupi gjykues ka në dosje edhe verifikimet e kryera nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbi vendimarrjen e Prelës si drejtuese e Krimeve të Rënda në çështjen “Shullazi”.

Gjatë seancës dëgjimore, Prela u përball me komente të hidhura nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, i cili e krahasoi dosjen e saj të vetingut me shijen e keqe të një ilaçi të kapërdirë pa ujë në mëngjes, por që kalon në kohën e drekës.

Me shije të keqe ai nënkuptoi mospagesën e tatimit mbi të ardhurat nga bashkëshorti i Prelës dhe ngriti dyshime për një dakordësi mes tij dhe punëdhënësit, për t’ia hedhur sistemit.

“Taksat nuk janë paguar. Në versionin tuaj ju e paraqitët bashkëshortin në rolin e viktimës, por më duket se në këtë rast ka pasur një marrëveshje,” tha Jacobs, duke iu referuar asaj që në Shqipëri njihet si pagesa me “dy bordero”.

Prokurorja Prela u përgjigj se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të BE-së, ku marrëdhëniet e punës fillojnë dhe mbarojnë në mënyrë të ligjshme.

“Bashkëshorti im ka nënshkruar një kontratë dhe i është përmbajtur detyrimeve të saj. Legjislacioni shqiptar ngarkon me përgjegjësi punëdhënësin për detyrimet dhe nuk ka asnjë dispozitë që tregon se tatimi në burim mund të paguhet në mënyrë vullnetare,” tha Prela.

“Ne nuk mund të ngarkohemi me përgjegjësi nga mosveprimet e një personi të tretë, i cili nuk varet nga vullneti ynë,” shtoi ajo.

Problemi i të ardhurave

Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar. Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e mban aktualisht.

Marrëdhëniet e punës së bashkëshortit si inxhinier ndërtimi në kompaninë “Bruçi” sh.p.k gjatë viteve 2003-2011 si dhe mospagimi i taksave apo pagesat e pjesshme të tyre dominuan seancën dëgjimore të Prelës, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pyetje se deri në ç’masë të ardhurat familjare mund të justifikonin pasuritë e blera.

Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, pagesat e bashkëshortit në vitet 2003-2005 janë bërë cash dhe nuk janë paguar sigurimet dhe tatimi në burim, në vitet 2005-2008 janë paguar në mënyrë të pjesshme dhe gjatë viteve 2010-2011 ka sërish detyrime të papaguara.

Drejtuesja e Krimeve të Rënda i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për vitet 2003-2005 dhe dorëzoi dokumente të siguruara së fundmi në arkivën e Lundrës, që sipas saj vërtetojnë pagesat e sigurimeve nga kompania e ndërtimit “Bruçi” sh.p.k. Ajo pranoi mospagesën e detyrimeve për periudhën shtator 2010-dhjetor 2011, por tha se ajo dhe bashkëshorti ishin palë e cënuar dhe për këtë kishin hapur edhe një proces gjyqësor me kompaninë në Gjykatën e Tiranës.

“Ky nuk është një problem vetëm i bashkëshortit tim. Mbi 250 mijë punonjësve në Shqipëri nuk u janë paguar detyrimet dhe mes listës së debitorëve janë edhe Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, drejtoria e Doganave apo disa ministri të tjera,” tha Prela në seancë.

Ajo shtoi se kishte vënë në dispozicion të Komisionit 48 faqe me listë-pagesat e kompanisë “Bruçi” për vitet 2005-2008, ku i shoqi rezulton të jetë paguar me 50 mijë lekë në muaj si dhe kërkoi llogaritjen e të ardhurave të deklaruara.

“Puna e tij është e ligjshme dhe e ndershme, sipas legjislacionit në fuqi. Bashkëshorti ka punuar, ka firmosur, ka hartuar dokumente dhe mbikëqyrur punime. Nuk mund të ngarkohemi ne me përgjegjësi nga mosveprimet e një personi të tretë,” tha ajo, duke iu referuar kompanisë së ndërtimit.

Pasuritë e paluajtshme

Prokurorja Donika Prela dhe bashkëshorti i saj e kanë blerë apartamentin e tyre të parë në Tiranë në vitin 2007, për 31 200 euro. Sipas relatores Sanxhaktari, çmimi i blerjes ka qenë 300 euro për metër katror, por vlera e ulët në krahasim me tregun është shpjeguar me marrëdhënien e posaçme të bashkëshortit të prokurores Prela me kompaninë e ndërtimit ku ai punonte si inxhinier.

“Janë marrë deklarimet e kompanisë Bruçi, e cila ka thënë se Vangjel Prela ka punuar në këtë kompani dhe për shkak të kontributit të tij është aplikuar ky çmim. Kompania ka thënë se kjo politikë ndiqej edhe për punonjës të tjerë dhe ka vënë në dispozicion 3 kontrata të tjera me çmime të përafërta,” tha Sanxhaktari.

Subjektit iu kërkuan gjithashtu shpjegime për kushëririn e bashkëshortit, i cili u kishte dhënë një hua prej 15 mijë eurosh për blerjen e apartamentit. Ndonëse Komisioni ngriti dyshime se mungonin provat, Prela tha se kishte dorëzuar dokumente që tregonin se ai kishte të ardhura të mjaftueshme për huanë e dhënë.

Përveç apartamentit në mësipërm, familja Prela ka blerë një apartament të dytë në plazhin e Durrësit në vitin 2014 për 1.4 milionë lekë dhe e ka shitur atë në të njëjtin vit për 4 milionë lekë. Por edhe në këtë rast, ndërtues ishte kompania “Bruçi”, e cila konfirmoi se kishte aplikuar çmim të lirë për shkak të kontributit të Zotit Prela në kompani.

Prokurorja Prela dhe bashkëshorti i saj zotërojnë edhe 1 mijë metra katrorë tokë në Petrelë, e blerë për 350 mijë lekë në vitin 2013. Sipas relatores, çmimi dukej në pamje të parë poshtë vlerës së tregut.

“Subjekti sqaroi se çmimi i shitjes së tokës ka qenë ky, pasi toka ndodhej rreth 3 kilometra larg rrugës dhe pranë saj nuk ndodhej asnjë kompleks rezidencial apo tregtar. Ajo tha se me shitësit nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie tjetër veç kësaj dhe se paraqiti dokumente dhe foto ajrore të sipërfaqes,” tha relatorja Sanxhaktari.

Gjatë procesit të vetingut, Komisioni i ka dorëzuar subjektit një formular shtesë për të shënuar nëse kishte pasur ndryshime të pasurisë pas datës së plotësimit të deklaratës “veting”. Zonja Prela, sipas relatores së çështjes ka deklaruar se e kishte shitur apartamentin në rrugën “Bajram Curri” të blerë në vitin 2007 për 80 mijë euro dhe kishte blerë një apartament banimi në rrugën “Tefta Tashko Koço” për 110 mijë euro.

Kjo pronë është bërë edhe pjesë e një denoncimi të mbërritur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pas mbylljes së hetimit administrativ për Prelën, i cili ngrinte dyshime se prokurorja kishte hyrë në transaksione me kompaninë LIM-EM në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak se ajo është në proces hetimi për marrëdhëniet tregtare me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Prokurorja Donika Prela e cilësoi denoncimin si dashakeq dhe disinformues dhe deklaroi në seancë se apartamentin e kishte blerë nga shtetasi me inicialet F.H, rreth 4 vjet pasi ky i fundit i kishte shlyer të gjitha detyrimet ndaj kompanisë së ndërtimit.

“F.H ka blerë pesë apartamente dhe 3 vendparkime makinash, të cilat janë likujduar të gjitha në vitet 2014-2015. Ne e kemi blerë apartamentin 4 vjet pasi pronari i kishte shlyer çdo detyrim firmës së ndërtimit,” tha Prela në seancë.

Ajo shtoi se kishte sjellë si provë 4 kontrata shit-blerjeje të banorëve të pallatit me kompaninë e ndërtimit, që sipas saj tregojnë se apartamentet janë blerë me vlerë më të ulët sesa çmimi që ajo dhe bashkëshorti i kanë paguar shtetasit F.H.

Në fund të fjalës së saj, Prela i dorëzoi trupit gjykues 37 faqe me shpjegime si dhe dokumente të reja mbi të ardhurat e bashkëshortit si dhe të ardhurat e të afërmit huadhënës si dhe i kërkoi Komisionit konfirmimin në detyrë.

Kryetari i trupit gjykues, Roland Ilia tha se për shkak të dokumentacionit voluminoz, seanca e radhës do të jetë më 29 janar, ora 10.00.