Prokurori Petrit Vukaj në KPK.
Analiza KPK

Dy qëndrimet e KPK për prokurorin Petrit Vukaj

Prokurori i Fierit, Petrit Vukaj u konfirmua në detyrë më 14 qershor nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK. Shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesi Lulzim Hamitaj dhe anëtarja Brunilda Bekteshi, nuk gjetën probleme shkarkuese në konstatimet e evidentuara në të tre kriteret e rivlerësimit. Relatorja Etleda Çiftja dali në pakicë. Megjithëse edhe ajo shprehet se nuk ka elementë shkarkues në secilin kriter të rivlerësimit të shqyrtuar veçmas, çmon se në vlerësimin tërësor të tyre, duhej të ishte konkluduar shkarkimi i Vukajt nga detyra.

Nga hetimi administrativ për pasurinë, është konstatuar bilanc negativ në vlerën totale rreth 1.4 milion lekë, i shpërndarë në vite. Sipas KPK, pamundësia financiare lidhet me blerjen e pasurive në momentin e krijimit të tyre, si dhe me kryerjen e shpenzimeve në vitet 2006, 2009, 2010 dhe 2016. Shumica vlerëson se kjo pamundësi e shpërndarë në kohë, nuk është e mjaftueshme për të cenuar nivelin e besueshmërisë në drejtim të pasurisë. Ky konkluzion i shumicës është aritur edhe bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Edhe anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja vlerëson se balanca negative e konstatuar në disa vite, në momentin e krijimit të pasurive, e vetme nuk mund të përbëjë shkak për shkarkimin e subjektit. “…Vlerësoj se kjo shumë e pajustifikuar me burime të ligjshme, duhet të merret në konsideratë në vlerësimin tërësor për të tria kriteret e procesit të rivlerësimit, për të cilat unë kam vlerësuar ndryshe nga shumica e trupit gjykues”, shprehet Çiftja.

Ish-Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sot Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e prokurorit Vukaj për të vijuar detyrën, duke mos konstatuar probleme në kriterin e pastërtisë së figurës.

Ndërkohë, nga hetimi i KPK ka rezultuar se subjekti ka deklaruar se në vitin 2014 ka përdorur një automjet të shtetasit S.M., për të shkuar tek kunati i tij G.XH., në Greqi. Komisioni është njohur përmes medieve elektronike, se pronari i mjetit të përdorur nga subjekti është arrestuar në prill të vitit 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi ishte dënuar atje për “Grup kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Plagosje”.

Prokurori Vukaj ka shpjeguar për Komisionin se ekzistencën e procedimit penal ndaj shtetasit S.M. në Itali e ka mësuar për herë të parë pasi është njohur me rezultatet e hetimit administrativ, më 14 maj të këtij viti. Ai ka shtuar se këtë person e ka rastisur për herë të parë në vitin 2014, pasi ishte njohje e mikut të tij, shtetasit O. M.. Subjekti ka sqaruar se atë periudhë do të udhëtonte familjarisht drejt shtetit grek për të shkuar te kunati, por automjeti i tij nuk ishte i përshtatshëm për udhëtime të gjata dhe i ka kërkuar shtetasit O.M. automjetin e tij për vetëm 3 ditë. Duke qenë se O.M. nuk mund t’ia vinte në dispozicion për arsye personale, i ka siguruar automjetin e mikut të tij S. M..

Vukaj ka shtuar se me këtë person nuk ka njohje të drejtëpërdrejtë, përveç në vitin 2014 dhe në 2021-in, kur për efekt të vetingut i ka kërkuar deklaratë noteriale për të konfirmuar dhënien e automjetit në përdorim për 4 ditë. Po ashtu, subjekti ka sjellë në vëmendje se procesi për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali, kë filluar në vitin 2021, ndërkohë që plotësimin e deklaratës veting e ka kryer katër vjet më herët, në 2017-ën.

Komisioni konstaton se në kohën kur subjekti e ka përdorur automjetit e shtetasit S.M., nuk u provua që për këtë të fundit të kishte informacione për të dhëna lidhur me përfshirje në krimin e organizuar. Siupas KPK, të njëjta rrethana kanë rezultuar dhe në janar të vitit 2021, kur S.M. ka lëshuar deklaratën noteriale për përdorimin e mjetit.

“Në momentin e plotësimit të deklaratës së kontrollit të figurës sipas ligjit nr. 84/2016, specifikisht nenit 35 të tij dhe dorëzimit të saj në datën 25.1.2017 pranë DSIK/AKSIK, ky shtetas nuk ka pasur asnjë procedim penal në ngarkim të tij në shtetin shqiptar, sikurse nuk rezultoi ndonjë informacion në çfarëdo lloj mënyre, përfshirë edhe aksesin në media, duke përjashtuar në këtë mënyrë subjektin nga përgjegjësia e tij për të deklaruar një fakt të paditur”, vlerëson shumica dhe shton se çështja penale e njohur në shtetin shqiptar në maj të vitit 2021, nuk mund t’i adresohet subjektit se ai domosdoshmërisht kishte dijeni.

Po ashtu, ka rezultuar e paprovuar njohja e kësaj çështje nga subjekti apo ndikimi i tij në të, dhe për rrjedhojë nuk janë gjetur probleme që lidhen me figurën.

“…Rezultoi e provuar se çdo e dhënë/informacion lidhur me ekzistencën e procedimit penal për ekstradimin e këtij shtetasi për llogari të një vendimi gjyqësor italian të vitit 2001 u bë prezent vetëm në vitin 2021, pra rreth 7 vite pas kontaktit të subjektit për përdorimin e automjetit dhe se ky kontakt gjithashtu rezultoi i provuar i realizuar rreth 13 vite prej kohës kur ai ishte dënuar në shtetin italian”, citohet në vendimin e shumicës dhe nënvizohet se këto rrethana duket se shkojnë në favor të subjektit, duke përjashtuar çdo mundësi objektive të pasjes dijeni nga ana e Vukajt për procedime apo dënime të mundshme ndaj S.M..

Çiftja në pakicë vlerëson se subjekti nuk ka shpjeguar në mënyrë të besueshme kur ka deklaruar se është njohur lidhur me procedimin penal të shtetasit S.M., nga rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit. Ajo sjell në vëmendje se arrestimi i këtij shtetasi është publikuar nga të gjitha mediet në nivel kombëtar; se ndalimi i tij është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Fier; si dhe faktin se ndjekja e procedurave për ekstradimin e tij është kryer nga Prokuroria e Fierit, ku Vukaj ushtron funksionin.

Po ashtu, pakica vëren se deklarimi i Vukajt se nuk ka pasur dijeni për arrestimin e S.M., pasi ka qenë i vetëizoluar për shkak të infektimit nga virusi COVID-19, nuk mbështetet nga provat e dorëzuara prej vetë subjektit. Çiftja sjell në vëmendje se sipas vërtetimit të qendrës shëndeësore Fier, të paraqitur nga vetë subjekti, ai ka qenë Iisëmurë për periudhën 16 mars 2021 deri në 30 mars, ndërsa arrestimi i S.M. është kyer më datë 15 prill.

Pakica vlerëson se njohja me S.M. nuk mund të jetë rastësore, pasi në deklaratën noteriale të këtij të fundit të janarit 2021, të dorëzuar nga subjekti në përgjigje të pyetësorit standard, ai thotë se ka njohje me Vukajn dhe se në vitin 2014 ai i ka thënë që për të shkuar në Greqi të merrte mjetin e tij.

“…Vlerësoj se deklarimi i subjektit se është njohur për procedimin penal të shtetasit S. M. vetëm nga rezultatet e hetimit, e më pas përpjekja e tij për ta kanalizuar kontaktin si njohje jo e drejtpërdrejtë e tij por e mikut të tij O. M. dhe si kontakt rastësor, përbën në thelb një përpjekje të subjektit të rivlerësimit për të fshehur marrëdhënien me këtë shtetas”, shprehet Çiftja.

Megjithatë, ajo vlerëson se problemet që ka adresuar për figurën nuk janë të mjaftueshme për shkarkim, por duhet të konsiderohen në vlerësimin e përgjithshëm për të tri kriteret.

Lidhur me gjetjet në kriterin profesional, shumica ka sjellë në vëmendje se Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se gjyqtari nuk mund të shkarkohet nga detyra për mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, për sa kohë që nuk rezulton se veprimet e tij të kenë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapët e flagrant me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta.

Sipas shumicës, nuk rezultojnë mangësi të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme që të përfaqësojnë defekte të rëndësishme. Në përfundim, shumica çmon se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Edhe Çiftja në pakicë vlerëson se mangësitë e konstatuara në aspektin profesional, nuk janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin se Vukaj është i papërshtatshëm. Ashtu si për dy kriteret e tjerë, edhe për profesionalizmin ajo çmon se problemet e konstatuara në vlerësimin profesional duhet të merren në konsideratë në një vlerësim të përgjithshëm

“…Në vlerësimin tërësor të subjektit të rivlerësimit, unë si anëtare/relatore në pakicë, vlerësoj se problematikat e konstatuara në drejtim të kontrollit të pasurisë, kontrollit të figurës apo aftësive profesionale, nuk përbëjnë shkak shkarkimi më vete por, nga ana tjetër, pesha e këtyre mangësive në vlerësimin tërësor të subjektit është e tillë që e bën të pamundur riparimin e tyre nëpërmjet programit të trajnimit të Shkollës së Magjistraturës dhe, si rrjedhojë, konkludoj se vazhdimi i ushtrimit prej tij të funksioneve të prokurorit do të ishte i papërshtatshëm”, shprehet Çiftja.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *