Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

E denoncuar nga kancelarja: Kryegjyqtarja e Lezhës përballet me pyetje në KPK

Ornela Naqellari kaloi pa probleme filtrat e vetingut për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, por u përball me një seri pyetjesh për konfliktin e saj me kancelaren. Ajo pretendoi se shkeljet i kishte kryer kancelarja dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari para KPK-së. Foto:BIRN

Kryetarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Ornela Naqellari kaloi me lehtësi filtrat e vetingut sa i përket kriterit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, të hënën përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Megjithatë, denoncimi i mbërritur nga kancelarja e gjykatës dhe nga dy qytetarë e shtynë KPK-në dhe vëzhguesin ndërkombëtar drejt një serie pyetjesh për të sqaruar situatën.

Naqellari u mbrojt e vetme para trupës gjykuese të drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi. I pranishëm në seancë ishte edhe vëzhguesi i ONM-së, John Leonardo.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti probleme me pasuritë e gjyqtares Naqellari. Sipas relatores Zhegu, deklarimet e saj përputhen sa i përket pjesës së saj takuese në tokat e familjes në Përmet, blerjes së bashku me të fejuarin të makinës së llojit “Skoda” si dhe të kursimeve me vlerë 250 mijë lekë. Ndonëse deklarimeve të saj i mungonin detajet për vendbanimin, relatorja sqaroi se gjyqtarja Naqellari jetonte me qira në Tiranë.  Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i KLD-së kanë dorëzuar raporte pozitive për kryegjyqtaren e Lezhës.

Por denoncimet e mbërritura në adresë të saj u bënë pjesë e debatit në seancën dëgjimore të së hënës. Sipas relatores, në emër të Ornela Naqellarit kishin mbërritur 6 denoncime, por vetëm tre prej tyre u konsideruan se kishin indicie për diskutim.

Në një denoncim pretendohej se gjyqtarja ka dashur të favorizojë një palë për një çështje pronësie, ndërsa denoncimi i dytë ishte bërë nga kancelarja e gjykatës, e cila e akuzonte Naqellarin se kishte pajisur me vërtetim një person që nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Gjatë shpjegimeve në seancë, gjyqtarja Naqellari pretendoi se shkeljet ishin bërë prej kancelares dhe jo prej saj.

Komisioni ka arritur në konkluzionin se situata mes saj dhe kancelares kanë sjellë mungesë funksionaliteti dhe janë të patolerueshme, pasi cenojnë shërbimin për qytetarët.

Ornela Naqellari e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2009, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka punuar si gjyqtare në Përmet dhe prej vitit 2016 e kryen funksionin e saj në Gjykatën e Lezhës.

Naqellari tha para KPK-së se kishte kryer një kallëzim penal ndaj kancelares së gjykatës dhe se mangësitë e krijuara gjatë punës së saj i mbulonte ajo vetë ose punonjësit e administratës.

“Kam marrë masa që shkeljet e kancelares të mos cenojnë punën dhe shërbimin për qytetarët,”, pohoi ajo.“Për shkak të kësaj ngarkese, kam ndjekur taktikë për mungesën e burimeve njerëzore, ku në bashkëpunim me zyrën e punës janë punësuar studentë të drejtësisë pa pagesë,” shtoi gjyqtarja.

Sa i përket denoncimit për dhënien e një vërtetimi, Naqellari sqaroi se bëhej fjalë për një praktikant të drejtësisë, që kishte ndjekur seancat gjyqësore për të marrë njohuri dhe kjo praktike njihej me anën e një vërtetimi nga ana e titullarit.

Kryegjyqtarja e Lezhës u pyet nga komisionerja Brunilda Bekteshi nëse kishte tejkaluar kompetencat lidhur me autorizimin e punonjësve të tjerë për të kryer detyrat e kancelares, por gjyqtarja u përgjigj se në asnjë rast nuk i kishte deleguar sekretares kryerjen e detyrave të kancelares. Naqellari u pyet nga kryesuesja Pine lidhur me një denoncim, ku evidentohej fakti se ajo kishte fjetur në hotelin e një shtetasi në Lezhë, palë në një proces gjyqësor.

Naqellari u përgjigj se kishte qëndruar në hotel për pak ditë pushime në Lezhë së bashku me të fejuarin, kishte bërë pagesa të rregullta dhe se as nuk ishte interesuar se nga kush administrohej hoteli.

Pine e pyeti edhe për përfshirjen e së motrës në procedurat e prokurimit të gjykatës, për të cilët Naqellari tha se familjarja e saj është trajnuese prokurimesh dhe se kancelarja, e cila kishte kryer denoncimin për këtë rast, nuk kishte shprehur ndonjë kundërshtim.

“Motra thjesht ka interpretuar legjislacionin për çështje të përgjithshme,” tha kryegjyqtarja.

Interesimit të vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me ecurinë e punës  pas konfliktit me kancelaren, Naqellari iu përgjigj se e mbikëqyrte punën e saj në vazhdimësi dhe se kishte bërë kërkesë për këtë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo shtoi se kërkesa nuk ishte shqyrtuar ende për shkak të ndryshimeve ligjore.

Në fund të séancës, Ornela Naqellari kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. Vendimi do të shpallet më 18 mars.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *