Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Ekspertët rezerva për cilësinë e vetingut, progresin dhe standardet

Ekspertët të drejtësisë thanë se institucionet e vetingut kishin “çeduar në disa standarde të procesit të rregullt”, duke e bërë vendimmarrjen të cenueshme në GJEDNJ. Ndërkohë në një raport të  KShH-së u theksua ndër gjetjet se KPK kishte përdorur arsyetime të ndryshme për çështje të ngjashme.

Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë seancës dëgjimore me prokuroren Besa Nikëhasani, të mbajtur në Tiranë më 17 prill 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Qëndrimi i ndryshëm dhe jo i unifikuar i trupave gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sa i përket kryesisht vlerësimit të provave në kriterin e rivlerësimit të pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve, ishte ndër gjetjet kryesore të një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit të publikuar të martën.

Raporti ngre dyshime për standarde të dyfishta. Megjithatë ekspertët e Komitetit Shqiptarë të Helsinkit (KShH), e kanë shmangur daljen në konkluzione sa i përket kësaj pike duke nguruar ti cilësojnë arysetimet e ndryshme si standard të dyfishtë. “Edhe në këtë drejtim, duke qenë se çështjet konkrete kanë specifikat dhe karakteristikat e tyre individuale, si dhe për shkak se vëzhgues të ndryshëm kanë analizuar vendime të ndryshme, është e vështirë të arrihet në opinione dhe konkluzione të plota dhe të sakta”, thuhet në raport.

Raporti Studimor “Për vendimarrjen e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe një analizë për “Ligjërimin politik dhe publik mbi reformën në drejtësi”, u bënë publik të martën në një “Forum Diskutimi” , mbi reformën në drejtësi të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, KShH dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP).

Përndryshe ekspertë të pranishëm thanë se standardet e dyfishta ishin të verifikueshme. Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës u shpreh i shqetësuar për vonesat.  Ndërsa Artan Hoxha, dekan i Juridikut tha se “cedimet proceduriale” nga KPK mund të cënonin çështjet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Hoxha tha se anëtarët e KPK-së e KPA kishin nevojë të trajnoheshin.

Kritika nga ekspertët

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha, i cili punoi për hartimin e paketës së ligjeve të reformës në drejtësi tha se reforma ishte shumë më e gjerë se sa vetëm procesi i vetingut, tha se ky i fundit kishte “çeduar në disa standarde të procesit të rregullt”.

Duke iu referuar kryesisht vendimit të KPK-së për të mbyllur hetimet vetëm për një kriter Hoxha tha se kjo i bënte ato të cenueshme në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas tij që në momentin që vendimet mbylleshin për një kriter, vendimi bëhej i paragjykuar dhe ishte e qartë se subjekti do të shkarkohej.

Duke thënë se tani “kemi ikur nga faza e entuziazmit”, dekani i Juridikut tha se do ishte mirë që anëtarët e institucioneve që kryenin rivlerësimin duhej të kualifikoheshin. Ai po ashtu tha se nuk duhej të “degradohej sistemi gjyqësorë” dhe se duhej të parandaloheshin “absurditete nga entuziazmi”.

Hoxha ishte kritik edhe sa i përket standadeve të dyfishta. Ai tha se nëse ka standarde të dyfishta “ato ishin lehtësisht të verifikueshme” dhe e bënin procesin të cënueshëm.

Po ashtu edhe Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturësnjë prej atyre që punuan në draftimin e reformës, u shpreh i pakënaqur. Sadushi tha se kishte konstatuar “mungesë vizioni nga KPK”, duke referuar kryesisht faktit që ishin hetuar subjekte që nuk ishin në listë prioritare.

Sadushi tha se vonesat kishin cenuar gjyqësorin. Ndërkohë sipas tij ngadalësia e procesit mund të sillte mbarim të mandatit pa shqyrtuar të gjithë magjistratët gjë që do të krijonte po ashtu probleme. Sadushi theksoi se ndërsa institucionet e reja Këshilli i Lartë Gjyqësore dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të ngriheshin brenda dhjetorit, do duhet sërish kohë për të plotësuar vendet vakante në institucione, pasi ende nuk ka kandidatë dhe ata po ashtu do duhet të kalojnë procesin.

Ai po ashtu shprehu rezerva mbi interpretimin e ndryshimeve kushtetuese nga KPK e KPA, kryesisht sa i përket “dyfishit të pasurisë” dhe elementeve të tjerë në Nenin D.

Ndërkohë regjisori Kujtim Çashku, i pranishëm po ashtu në takim, tha se reforma kishte dhënë fryte të paktën në krijimin e perceptimit publik dhe procesit të të menduarit se “çdo kush do të japë llogari”.

Ndërkohë si gjetje kryesore e analizës së “Ligjërimit politik dhe publik mbi reformën në drejtësi”, drejtori ekzekutiv i ISP-së Afrim Krasniqi tha se binte në sy fakti që politika ishte një nga pengesat kryesore të procesit. Krasniqi tha se palët politike flisnin për reformën me “synim për ta përdorur atë si armë”.

Raporti i KShH-së

Ndërsa është vlerësuar procesi si “pozitiv me ecurinë e deritanishme”, ku “janë respektuar të drejtat procedurale”, raporti vë në dukje një sërë mangësish dhe çështjesh të diskutueshme “të lidhura më së shumti me zbatimin praktik të legjislacionit”.

Vetingu ndërkohë është vlerësuar si një proces transparent në raportin e KShH-së, megjithatë Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e komitetit Shqiptar të Helsinkit, vuri në dukje se ekspertët konstatonin nevojë për unifikim të standardit “sa i përket logjikes së arsyetimit, analizës ligjore, shpalosjes koncize dhe të qartë të fakteve, provave dhe argumenteve”.

Raporti vë në dukje se “Trupat gjykuese të KPK-së kanë ndjekur standarde të ndryshme në mënyrën se si është struikturuar apo arsyetuar vendimi”. Ekspertët thonë se në disa raste arsyetimet nuk janë koncize dhe nuk janë renditur e strukturuar siç kërkohet nga ligji. Po ashtu në raport thuhet se “disa vendime paraqiten në mënyre të shpërndarë çka e bën të vështirë leximin”.

Duke iu referuar vendimeve të zbardhura raporti vë në dukje se shpesh ato nuk janë të balancuara dhe ka raste kur mungojnë “provat dhe argumentet e subjektit” sidomos në rastet kur është provuar e kundërta e barrës së provës.

Raporti vlerëson se përgjithësisht sa i përket kriterit të pasurisë është mbajtur parasysh proporcionaliteti. Por po ashtu vihet në dukje se KPK nuk ka trajtuar njëlloj të gjitha rastet. Sipas KShH-së në disa raste pasaktësitë në deklarimin e pasurisë duke iu referuar propocionalitetit nuk janë konsideruar ndikuese në vendim. KShH përmend ndër të tjera këtu vendimet për kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, prokurorët Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi.

Nga ana tjetër raporti thotë se në raste të ngjashme pasaktësitë janë çmuar si shkarkuese. Kështu për prokurorin Dritan Rreshka, sipas raportit është konsideruar si deklarim i pasaktë “Mospërputhja prej disa muajsh në lidhje me fillimin e punimeve për ndërtimin e shtëpisë”.

Raporti gjen ndryshime edhe në mënyrën se si janë trajtuar deklarimet periodike pranë ILDKPKI-së. Sipas KShH-së në disa raste mospërputhja mes deklarimeve është cilësuar shkarkuese, ndërsa në raste të tjera jo.

Raporti vë në dyshim edhe standardin e aplikuar në justifikimin e pasurisë për shkak të kohës apo pamundësive objektive për të pasur dokumentacion për punën në të zezë, bursat, grantet e të ngjashme. Sipas KShH-së në rastin e konfirmimit të kreut të Gjykatës së Lartë KPK ka pranuar “pamundësinë objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive”. Ndërkohë në rastet e Altina Xhoxhajt, Dritan Rreshkës e Bujar Hotit këto pamundësi nuk janë vlerësuar si të arsyeshme.

Të diskutueshëm e cilëson raporti edhe vendimmarrjen bazuar vetëm në një kriter e përdorur rëndom nga KPK kur konstatohet se një person është i shkarkueshëm pas hetimit në kriterin e pasurisë.  Po ashtu sipas raportit nuk ka një praktikë të unifikuar të publikimit të analizës financiare, apo trajtimit të burimit të ligjshëm të pasurive të personave të lidhur dhe se çfarë konsiderohet fshehje e pasurisë.

Monitorimi i vendimeve të KPK ka zbuluar po ashtu paqartësi sa i përket vendimmarrjes mbi raportet e DSIK-së, ndërsa vihet në dukje se kërkohet një proces më i thelluar në rivlerësimin bazuar në kriterin e profesionalizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *