Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Entela Prifti u shkarkua nga KPK, për fshehje pasurie e një sërë deklarimesh të rreme

Kryetarja e shkarkuar e Gjykatës së Apelit Korçë Entela Prifti rezultoi me një mori problemesh në procesin e rivlerësimit në kriterin e pasurisë, ndërsa KPK në vendimin e shkarkimit thotë se ajo “mund të ketë pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme” dhe se e ka fshehur atë te të tretë.

Kryetarja e Gjykatës së Apelit te Korçës, Entela Prifti, gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Një vilë e denoncuar në dy emisione televizive para procesit të rivlerësimit, ishte vetëm një nga problemet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti në pasurinë e kryetares së shkarkuar të Gjykatës së Apelit të Korçës.

Në vendimin e zbardhur treshja që gjykoi këtë rast e udhëhequr nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja relatore dhe Roland Ilia anëtar, thotë se vendosi shkarkimin e kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti, pasi gjeti llogari bankare të fshehura, pasuri të padeklaruara, mungesë burimesh finaciare e një sërë deklarimesh të rreme nga ajo dhe bashkëshorti.

Prifiti ishte shortuar nga Komisioni për shkak të funksionit të saj në krye të Gjykatës së Apelit Korçë. Procesi i rivlerësimit për të u fokusua tek kontrolli i pasurisë, një nga tre kriteret e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kërkesa e Priftit për vlerësim në dy kriteret e tjera u rrëzua nga KPK.  Në vendimin e arsyetuar KPK shprehet se Prifti “Me anë të veprimeve dhe mosveprimeve të saj në lidhje me vlerësimin e pasurisë, ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”.

Lexo edhe: Vilë, dyqane dhe apartamente; vetingu zbardh pasurinë e kreut të Apelit Korçë Entela Prifti

Vila në Bulevardin Republika

Një vilë në Bulevardin Republika, e cila ishte denoncuar si pasuri e familjes së gjyqtares edhe në dy emisione investigative, “Agonland” dhe “Fiks Fare”,  të cilat ishin marrë si provë nga KPK, e përfituar gjysma përmes dhurimit dhe gjysma përmes blerjes, rezultoi edhe pasuria me më shumë probleme sipas vendimit të zbardhur të Komisionit.

KPK u ndal gjatë në këtë pasuri duke hetuar fillimisht formën e përfitimit të saj. Komisoni shprehet në vendim se “personi i lidhur me subjektin e rivlerёsimit/bashkshorti ka bёrё deklarim tё rremё nё lidhje me dhurimin e ½ pjesё tё kёsaj ndёrtese dhe ka nёnshkruar njё kontratё fiktive”.

KPK thotë se arsyet e dhurimit, miqësia dhe shpenzimi i rreth 260 mijë lekëve për rikonstruksion, të një pasurie me vlerë të madhe dhe mjaft fitimprurëse nuk ishin bindëse.  KPK thotë se Prifti nuk mundi të provonte edhe se bashkëshorti i saj kishte kryer shpenzime në banesë gjatë kohës që e kishte atë me qira.

Po ashtu KPK doli në përfundimin se dhuruesi nuk kishte burim të ligjshëm të ardhurash për të zotëruar këtë pasuri, të cilën më pas e ia dhuroi bashkëshortit të Priftit.

Ngjashëm KPK arsyetoi për blerjen. Sipas komisioni banesa ishte vlerësuar më shumë se 20 milion lekë, por për të blerë gjysmën e saj bashkëshorti i gjykatëses së shkarkuar shpenzoi vetëm 4 milion.

“Sipas kësaj analize, ½ pjesë e pasurisë do të kushtonte në vitin 2008 rreth 10.397.313 lekë, ndërsa brenda 9 muajve (datë 19.03.2009) kur b/shorti i subjektit blen pjesën tjetër të pasurisë, vlera e saj në kontratë është 4.000.000 lekë, dukshëm e ulët krahasuar me tregun për periudhën”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Justifikimi i Priftit se çmimi i ndërtesës në atë kohë nuk ishte aq saç vlerësonte Komisioni dhe se shitësi kishte pasur “nevojë për mjete monetare në një moment të caktuar”, nuk ishte sipas KPK-së bindës.

“Fakti që banesa ndodhet në një nga zonat më të preferuara në qytetin e Korçës, mbart vlera kulturore dhe është burim i konsiderueshëm të ardhurash, nuk justifikon çmimin e kontratës prej 4.000.000 lekësh të ½ pjesë të saj”, thuhet në vendim.

Po aty theksohet se ndërtesa nuk ishte deklaruar e plotë, duke mos përfshirë as në deklarimet vjetore as në deklaratën veting një verandë që shërbente si bar-kafe në katin e fundit të ndërtesës. Sipas Priftit veranda nuk ishte deklaruar sepse ishte ndërtim i përkohshëm, por Komisioni thotë se mosdeklarimi sillte shkarkim në këtë rast, ndërsa veranda e padeklaruar ishte fitimprurëse pasi përdorej si pjesë e një lokali.

Po ashtu sipërfaqa e deklaruar prej 133 metra ndërtim nuk përkonte as me një preventim rikonstruksioni të dorëzuar nga bashkëshorti i Priftit ku thuhet se ishin shtruar 390 metra katrorë dysheme.  Prifti u justifikua se “390 m2 dysheme përfaqëson shtrimin e dy kateve të saj dhe oborrit të jashtëm me pllaka”, por ky deklarim nuk u quajt bindës.

KPK thotë se nga hetimi rezultoi se mungonin të dhënat dhe dokumentet për të justifikuar shpenzimet e bëra në këtë ndërtesë e cila ishte rikonstruktur dhe kishte ndërruar destinacion disa herë. Mungonin kontratat dhe nuk ishin paguar detyrimet për qiratë e përfituara.

“Komisioni, pasi shqyrtoi dhe analizoi shpjegimet e subjektit të rivlerësimit dhe konstatimet e dala nga hetimit arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka fshehur sipërfaqen reale të godinës në deklarimin “Vetting” të vitit 2017, duke mos e deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasurinë e personit të lidhur me të”.

Lexo edhe:Skeda e pasurisë së deklaruar-Entela Prifti-kryetare e Gjykatës së Apelit Korçë

Mungesë të ardhurash e deklarime të rreme

Komisioni arriti në përfundimin se sa i përket apartamentit 55 metra të blerë në vitin 2012, Prifti kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe se “ka fshehur dhe paraqitur në mënyrë të pasaktë pronësinë e këtij apartamenti”. Sipas KPK pas hetimit të këtij rasti dhe pas marrjes së pretendimeve të gjyqtares së shakrkuar, rezultoi se kishte mungesë burimesh financiare, kishte fshehje të pasurisë nga bashkëshorti dhe deklarim të rremë “në lidhje me burimin që ka shërbyet për blerjen e këtij apartamenti”.

Prifti pretendoi se apartamenti ishte blerë ndër të tjera me 1.6 milion lekë të dhuruara nga babai i bashkëshortit, por sipas KPK-së nuk u provua as fakti që dhurata ishte dhënë as mundësitë e vjehrrit për t’i pasur këto para.

Pretendimit të subjektit se vjehrri, i cili është ndarë nga jeta para se të realizohej përfundimisht blerja në vitin 2012, i kishte përfituar paratë në vitin 2002  nga shitja e shtëpisë së të bijës që jetonte në SHBA rreth 1.8 milion lekë, u rrëzuan nga Komisioni. KPK tha se nga hetimet rezultoi që një muaj pas shitjes së apartamentit rezultonte se bashkëshorti i Priftit kishte bërë një transfertë në llogarinë e kredisë personale në Detroit Michigan, SHBA në një shumë që “përputhet në fakt me shumën prej 1.800.000 lekësh të shitjes së apartamentit të motrës së z. P.T., në vitin 2002”. “Komisioni bazuar në këtë arsyetim, arrin në përfundimin se kjo shumë pas shitjes së apartamentit, më datë 06.06.2002, është transferuar në SHBA, më datë 07.06.2002”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Komisioni gjatë hetimit të pasurisë së Priftit gjeti se ajo kishte bërë “deklarim të rremë” në lidhje me çmimin e shitjes së apartamentit të prindërve. Prifti kishte deklaruar se apartamenti ishte shitur 3.1 milion dhe se ajo kishte përfituar 1 milion prej kësaj shitje si pjesëtare, por sipas KPK-së kontrata e shitjes është me vlerën 1.9 milion dhe Priftit i takonte si pjesë vetëm shuma prej 650 mijë lekësh.

Pretendimi i Priftit se diferenca mes çmimit të deklaruar prej saj dhe çmimit në kontratë ishte plotësuar nga shitja e mobiljeve prej prindërve nuk u pranua prej Komisionit.

Makina që blihen lirë e shiten shtrejt

Sipas KPK shitja e dy makinave me çmim më të shtrejtë se sa ishin blerë, ishte po ashtu “deklarim i rremë”. Hetimet e Komisionit zbuluan se Prifti kishte blerë një makinë “Renault” për 500 dollarë dhe e kishte shitur për 450 mijë lekë në vitin 2004.  Ndërkohë një “Benz” që ishte blerë 500 mijë lekë në vitin 2007, ishte shitur për “6.000 euro ose e barabartë me 823.020 lekë” në vitin 2009 pas dy vjetësh përdorim. Prifti tha se makinat ishin blerë të amortizuara dhe çmimi ishte rritur pasi ajo i kishte riparuar ato the kthyer në gjendje pune, por komisioni tha se ajo nuk mundi ta provonte këtë.

Deklarim i rremë u konsideruar edhe një pagesë prej 1.3 milion lekësh për rifiniturat e një apartamenti duplex 3+1 në vitin 2003 i blerë nga bashkëshorti i deklaruar fillimisht në vitin 2004. KPK thotë se nuk kishte asnjë dokument për të provuar se një pagesë e tillë ishte kryer.

Komisioni në vendim shprehet  se nga hetimi i kryer vlera e pretenduar si e paguar prej bashkëshortit të Priftit është më shumë më e vogël se kostoja mesatare e ndërtimit në atë kohë. Ata pretendojnë se kanë paguar 2 milion lekë, ndërsa KPK thotë se mesatarja e kostos sipas Entit Kombëtar të Banesave  për atë sipërfaqe ishte 5.9 milion.  KPK nuk pranoi pretendimet e Priftit se apartamenti ishte blerë karabina. “Pёr shkak se nuk arriti tё provojё bindshёm me dokumnetacion ligjor provues se kjo vlerё ёshtё vlera reale qё personi i lidhur ka paguar”, thuhet në vendim.

KPK ka ndërmarrë një analizë financiare të të ardhurave familjare të subjektit në vitet 2001-2004, duke arritur në konkluzionin se ka një bilanc negativ prej 6.8 milionë lekë. Bilanci siç del në vendim është rishikuar duke u nisur nga pretendimet e Priftit për të ardhurat në vitet 90’, por sipas KPK sërish ka rezultuar se ajo dhe bashkëshorti nuk kishin burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit, blerjen e 8 për qind të aksioneve të kompanisë ‘Beton Plus’, për të krijuar likuiditetet e deklaruara në bankë, si dhe të blerë një truall 10.000 m2 në fshatin Voskopojë.

Pasuria në emra të tjerë

Nga ana tjetër nisur prej një denoncimi KPK hetoi për pasuri të fshehura në emrin e të afërmve të Priftit. Në përfundim Komisioni thotë se “bazuar në të gjitha indicet dhe rrethanat e çështjes, Komisioni arrin në përfundimin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të forta se subjekti i rivlerësimit mund të ketë pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme dhe subjekti është përpjekur të fshehë pasuritë të cilat figurojnë të regjistruara në emër të motrës, znj. Ç.P., në emër të bashkëshortit të motrës, z. P.K. dhe në emër të babait të saj, z. V.P., për arsye se ajo nuk arriti të vërtetojë të kundërtën e rezultateve të hetimit në lidhje me denoncimin e ardhur”.

KPK thotë se nga hetimi rezultoi se ngjashëm me akte të tjera shitblerje nga ana e bashkëshortit të Priftit, ai kishte përfituar një ambjent 519 metra katrorë në një qendër tregtare për rreth 14.2 milion lekë, kur koste e ndërtimit është llogaritur në mbi 17 milion lekë. “Pra, dukshëm, vlera e shkëmbimit të pasurisë nuk justifikon vlerën reale të saj”, thuhet në vendim.

Sipas KPK-së edhe14.2 milion lekët që ishin deklaruar si kapital  në kompaninë e ndërtimit, nuk ishin deklaruar më herët  në deklarimet vjetore dhe për to nuk ishin paguar tatime, e për pasojë ato nuk mund të konsideroheshin si burim i ligjshëm i kësaj pasurie.

Ndërkohë në një listë të gjatë shkeljesh KPK thotë se nuk ishin deklaruar transferta bankare në llogaritë e bashkëshortit në shumat 70 mijë euro dhe 3.6 milion lekë. Shpjegimet e Priftit se këto para nuk kishin qenë të tyret, por ishin trasferuar në llogaritë e të shoqit në një rast nga një mikeshë e familjes nga Greqia me qëllim për të bërë biznes në Korçë dhe në rastin tjetër nga një mik për të përfituar kurs këmbimi më të mirë, nuk janë konsideruar bindëse nga komisioni që i ka cilësuar fshehje pasurie.

Po ashtu fshehje janë cilësuar mosdeklarimet në emër të vajzës dhe djalit. KPK gjeti se bashkëshorti kishte bërë deklarim të rremë për qiratë e përfitura në shumë nga 2 milion në 5 milion lekë dhe 13 mijë euro. Deklarim i rremë i cilësua edhe dhurimi nga prindërit i 4 milion lekëve, ndërsa në disa raste u gjet burim i pamjaftueshëm.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *