Gjyqtarja Etleva Temo duke dalë nga seanca publike e KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Lajme Në Fokus

Etleva Temo përballet me dyshime për konflikt interesi dhe probleme për pasurinë

KPK ngriti dyshime për shkelje etike dhe për konflikt interesi, transaksione fiktive me automjete dhe pamundësi financiare.  

Gjyqtarja Etelava Temo duke dalë nga seanca publike e KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN

Të premten në mëngjes Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti seancën dëgjimore për rivlerësimin e gjyqtares së Apelit Korccë, Etleva Temo.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Temo po kryhet nga trupi gjykues i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Olsi Komici relator dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Gjatë seancës dëgjimore u identifikuan probleme për pasurinë; etikën dhe u ngritën dyshime për konflikt interesi në gjykimin e disa çështjeve, gjetje që u kundërshtuan prej subjektit të rivlerësimit.

Në seancë u ngritën dyshime edhe për veprime fiktive në këmbimin e një autoveture të prodhimit të vitit 1986 me një mjet të vitit 99-ës, që bashkëshorti e ka shitur disa herë më shtrenjtë. Gjithashtu u identifikua pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve.

Etleva Temo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Në vitin 2014, Temo është promovuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës.

Cënimi i etikës dhe konflikti i interesit

Relatori Komici tha në seancë se dukej që gjyqtarja Etleva Temo të ketë shfrytëzuar burimet njerëzore të gjykatës për kryerjen e veprimeve në favor të saj. Ai shpjegoi se nga hetimi ka rezultuar që disa punonjës të gjykatës të kishin kryer depozitime në gjendje cash në llogarinë e subjektit për shlyerjen e kredisë ose të kishin tërhequr pagën e saj.

Gjyqtarja Temo tha në seancë se ajo nuk kishte qenë asnjëherë në rolin e drejtueses apo punëdhënëses së personave në fjalë dhe se gjithçka ishte kryer në kuadër të rrethanave shoqërore. Ajo shpjegoi se dy prej tyre ishin punonjës të gjykatës prej vitesh, ndërsa një tjetër ishte mik i bashkëshortit dhe pretendoi se nuk kishte konflikt interesi.

Në seancë u relatua edhe për situata të tjera të mundshme konflikti interesi. Komici tha se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj rezultonin aksioner në shoqërinë Albtelekom me kuota në vlerën 50 mijë lekë secili, ose 0.00027% të aksioneve. Nga hetimi ka rezultuar se ata janë regjistruar si aksioner të kësaj shoqërie në vitin 2009, ndërkohë që nuk kanë përfituar asnjë lloj shpërndarje dividenti pasi nuk ka pasur veprime të tilla.

Sipas Komicit, Temo nuk i ka deklaruar aksionet në këtë shoqëri për periudhën 2009-2016. Komisioni ka gjetur se për periudhën 2016-2019, gjyqtarja Temo ka shqyrtuar disa çështje ku palë ndërgjyqëse ka qenë edhe shoqëria Albtelecom. “Duket se është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e këtyre çështjeve”, tha Komici.

Temo tha se kur bashkëshorti kishte qenë i punësuar në Albtelekom, ajo kishte dhënë gjithmonë dorëheqjen nga çështjet ku palë ndërgjyqëse kishte qenë edhe kjo shoqëri. Ajo shpjegoi se kishte qenë drejtuesi i shoqërisë që u kishte kërkuar gjithë punonjësve të depozitonin letra me vlerë në këmbim të kuotave. “Unë nuk kam qenë në dijeni”, pohoi Temo dhe pretendoi se kur ka shqyrtuar çështje për këtë shoqëri në vitet e mëvonshme, nuk ekzistonte marrëdhënia.

Gjithashtu, ka rezultuar se Temo ka shqyrtuar në vitin 2014 disa çështje ku palë ndërgjyqëse kishte qenë një kompani ku kishte punuar bashkëshorti në vitin 2004. Temo deklaroi se pranë kësaj shoqërie, bashkëshorti kishte punuar vetëm një muaj e gjysmë ndërkohë që vendimi ishte dhënë kohë më vonë. Ajo shtoi se vendimi kishte qenë në disfavor të kompanisë në fjalë.

Dyshime për gjendjen e gjyqtares Etleva Temo në kushtet e konfliktit të interesit janë ngritur dhe pas verifikimit të dy prej 12 denoncimeve nga publiku të depozituara ndaj saj në KPK.

Komici shpjegoi se dy denoncues pretendonin se gjyqtarja dhe familjarët e saj kryenin udhëtime jashtë shtetit me persona që kishin qenë palë ndërgjyqëse në çështjet e shqyrtuara prej saj.

Sipas Komisionit, nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka udhëtuar jashtë shtetit në vitin 2009 me një person që kishte qenë palë ndërgjyqëse disa herë në proceset e shqyrtuara prej gjyqtares Temo.

Subjekti sqaroi se nuk mund të ekzistonte konflikti i interesit lidhur me një prej udhëtimeve që bashkëshorti kishte kryer në vitin 2015 me një person që kishte qenë palë ndërgjyqëse në një çështje të shqyrtuar prej saj në vitin 1999. Ajo shtoi se herët e tjera, bashkëshorti e djali mund të kishin udhëtuar rastësisht me personat në fjalë, pasi jo gjithmonë kishte taksi apo mjete të tjera udhëtimi.

Gjyqtarja Etleva Temo pretendoi në seancë se asnjëherë nuk ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo tha se në asnjë rast, asnjë palë nuk kishte kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi dhe se fakti që në disa raste vendimet kishin qenë në disfavor të palëve në fjalë, vërtetonte që nuk ekzistonte marrëdhënia mes tyre. Temo shtoi se Pogradeci ishte qytet i vogël dhe se palët njiheshin e do të kishin kërkuar dorëheqjen e saj, nëse do të kishin pasur dyshime apo pretendime.

“Nuk kam vepruar asnjëherë në cënim të një procesi të rregullt ligjor”, pohoi ajo

Problemet me pasurinë

Gjatë seancës dëgjimore, relatori Komici renditi disa raste të shitjes dhe blerjes së automjeteve ndër vite nga bashkëshorti i gjyqtares Etleva Temo, transaksione për të cilat u evidentuan mungesë burimesh dhe veprime fiktive.

Relatori i çështjes, Olsi Komici shpjegoi se bashkëshorti i gjyqtares Temo kishte shkëmbyer në vitin 2005 një autoveturë tip Benz që pasqyrohej si prodhim i vitit 1996, por që në të vërtetë rezultonte të ishte i vitit 1986.  Autovetura tip Benz e vitit 1986 ishte shkëmbyer me një tjetër mjet po tip Benz i prodhimit të vitit 1999, që disa vite më pas bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit e kishte shitur për vlerën 9000 euro. Sipas Komicit, rezultonte që në të njëjtën datë kur ishte kryer shkëmbimi të ishte kryer edhe një kontratë shitje e Benz-it, një personi në qytetin e Beratit.

“Këmbimi nuk ka logjikë ekonomike. Duket se ka veprime fiktive në kontratën e këmbimit të dy autoveturave. Gjithashtu duket se ka veprime fiktive edhe në shitjen e makinës në vitin 2008 për vlerën 9000 euro”, pohoi Komici.

Ai pohoi se nuk ishte provuar që blerësi të kishte dhënë një pjesë të çmimit të shitjes, në vlerën 4000 euro. Komici vijoi se gjyqtarja Temo kishte shqyrtuar një çështje me palë shitësin e Benzit dhe ngriti dyshime për konflikt të mundshëm interesi.

Gjyqtarja Etleva Temo shpjegoi në seancën dëgjimore se mjeti që ata kishin përfituar nga këmbimi, edhe pse ishte më i ri, kishte pasur probleme pasi kishte qenë i goditur. Ajo tha se bashkëshorti e kishte rregulluar e më pas mirëmbajtur, shpenzime që sipas saj i kishin rritur vlerën. Temo këmbënguli se ekzistonte vetëm kontrata e këmbimit. Ajo shtoi se sapo kishin rënë në dijeni për kontratën e shitjes së të njëjtës makinë, kishin kryer kallëzim penal. “Parë në kontesktin e kohës, këto janë veprime juridike të kryera nga bashkëshorti”, vijoi Temo.

Sipas Komisionit, bashkëshorti i subjektit ka blerë në vitin 2015 një autoveturë tip Lancia në vlerën 800 euro dhe e ka shitur një vit më pas për 1000 euro. Komici tha se bashkëshortët Temo kanë qenë në pamundësi për blerjen e mjetit në fjalë, pasi ka rezultuar balancë negative në vlerën më shumë -400 mijë lekë për vitin 2015.

Gjithashtu, ka rezultuar se nuk ka paguar tatimin e fitimit për vlerën 200 euro. Gjyqtarja Temo tha se nuk konsideronte që të kishte kryer fitim, pasi sipas saj vlera 200 euro ishte shpenzuar për mirëmbajtjen e autoveturës. Ajo pretendoi se nuk kishte pasur balancë negative pasi atë vit u kishte dhuruar motra e bashkëshortit shumën 100 euro. Gjithashtu, ajo kërkoi zbritjen shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit.

“Ne jetojmë 25 km larg Strugës dhe Ohrit, shkojmë dhe kthehemi aty pa asnjë shpenzim,” pohoi Temo dhe shpjegoi se edhe udhëtimi i bashkëshortit në Selanik për të shoqëruar djalin në aeroport kur do të nisej për Gjermani nuk kishte pasur shpenzime pasi ishte kthyer po atë ditë.

Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlerën -231 mijë lekë për blerjen e një automjeti tjetër tip Ford në vitin 2013 në shumën 4000 euro. Si burime për çmimin e Fordit, Temo ka deklaruar vlerën 3500 euro të përfituar nga shitja e një Benzi dhe kursime familjare. Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit e kishte blerë Benz-in në vitin 2007 për shumën 1850 euro dhe se e ka shitur gati dyfish, për vlerën 3500 euro. Komici shpjegoi se personi që i ka shitur makinën në vitin 2007 për 1850 bashkëshortit të Temos, rezultonte se e kishte blerë vetë rreth 431 mijë lekë pak ditë më parë. Ai shtoi se në transaksionin për blerjen e këtij mjeti dukej se kishte pasur veprime fiktive.

Edhe në këtë rast ka rezultuar se nuk ishte paguar tatimi për vlerën e përfituar nga shitja e mjetit. Temo mbajti në njëjtin qëndrim duke konsideruar se nuk kishte pasur fitim, pasi vlera shtesë përfaqësonte shpenzimet e mirëmbajtjes.

Për një apartament me sipërfaqe 78.9 m2 në qytetin e Pogradecit të porositur në vitin 2008 për vlerën 4.2 milionë lekë dhe të blerë në vitin 2009, gjyqtarja Etleva Temo ka deklaruar si burim krijimi kredi në vlerën 25 mijë euro dhe të ardhura nga shitja e një apartamenti në shumën 1.7 milionë lekë.

Relatori Komici tha se nga verifikimi i deklaratave, dukej se subjekti nuk e kishte pasqyruar këtë pasuri në vitin 2009. Gjyqtarja Temo tha gjatë seancës dëgjimore se edhe pse nuk kishte pasqyruar në deklaratën e 2009-ës kontratën e shit-blerjes, kishte shënuar shlyerjen e kredisë për këtë pasuri.

Për blerjen e apartamentit të mëparshëm në vitin 2005 kundrejt vlerës 1.3 milionë lekë, Temo ka pasqyruar si burim krijimi një hua të marrë nga motra në shumën 1 milion lekë dhe kursime familjare 300 mijë lekë.

Sipas relatorit Komici, dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti për të provuar të ardhurat e motrës nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është në formën e kërkuar nga ligji, pasi nuk janë me vulë apostile. Ndërkohë, është konstatuar pamundësi financiare për kursimin e shumës 300 mijë lekë, pasi ka rezultuar balancë negative në vlerën -113 mijë lekë.

“Dokumentacioni i dorëzuar për të provuar burimet e ligjshme të huasë, pa vulë apostile, duket se do të kushtëzojë analizën financiare përfundimtare”, tha Komici.

Temo deklaroi se kishte paraqitur gjithë dokumentet për taksat e paguara nga kunati dhe motra e saj në vitin 2005 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për të ardhurat që ata kishin pasur në Shqipëri para se të emigronin.

Komici vijoi se çmimi i blerjes  së këtij apartamenti në vitin 2005, në vlerën 1.3 milion lekë dhe shitja në vitin 2008 për shumën 1.7 milion lekë dukej se ishin më të ulëta se referencat e Entit Kombëtar të Banesave për qytetin e Pogradecit. Temo shpjegoi në seancë se çmimet ishin përcaktuar nga nevojat e shitëse dhe blerësve në të dy rastet, si dhe nga kërkesa e tregut.

Sipas Komicit, subjekti nuk ka provuar me burime të ligjshme mundësinë financiare të një huadhënësi, i cili u ka dhënë vlerën 8000 euro që iu është nevojitur si garanci për vizën e studimeve të djalit në Gjermani.

Temo pretendoi se kishte depozituar dokumente që provonin se huadhënësi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për kursimin e vlerës 8000 euro, pasi kishte aktivitet ndërtimi.

Komisioni konstaton mospërputhje të shpenzimeve për jetesën dhe studimet e djalit në Gjermani të deklaruara në vitin 2015 me ato të pasqyruara në dokumentacionet përkatëse.

Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme për një apartament të përfituar nëpërmjet privatizimit nga familja e bashkëshortit në vitin 1992, si dhe për tre sipërfaqe toke që subjekti dhe motra e saj i kanë trashëguar nga prindërit të cilët e kishin përfituar me vendimin të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Nga analiza financiare për periudhën e verifikuar 2003-2016, KPK konstaton pamundësi financiare të bashkëshortëve Temo për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve të deklaruara pasi rezultojnë me balancë negative në vlerën -5.2 milionë lekë.

Në fund të seancës, gjyqtarja Temo kërkoi të përfshiheshin të gjitha vlerat e përfituara nga shitja e automjeteve si dhe të uleshin shpenzimet e udhëtimit jashtë shtetit që sipas saj ishin kryer kryesisht në Maqedoninë e Veriut brenda ditës.

Në përfundim gjyqtarja Etleva Temo kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 12 tetor, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *