Nga seanca dëgjimore me ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako. Foto: KPA
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Evelina Qirjako kërkon pezullimin e gjykimit për statusin në Kolegj

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako kërkoi pezullimin e procesit në KPA, derisa Gjykata Administrative e Apelit të dalë me një vendim për statusin e saj të magjistratit.

Nga seanca dëgjimore me ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako. Foto: KPA

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako ripërsëriti në seancën publike të zhvilluar të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kërkesën e paraqitur më parë në mënyrë shkresore për pezullimin e gjykimit deri në vendimarrjen e Apelit Administrativ, që po shqyrton kërkesë padinë e saj kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj për mbarimin e statusit të magjistratit.

Evelina Qirjako ka ankimuar në KPA vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që ndëpreu vetingun për këtë subjekt rivlerësimi dhe sanksionoi ndalimin e emërimit të saj në institucionet e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme. Gjithashtu, ajo ka iniciuar edhe një proces administrativ, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të KLGJ-së për përfundimin e statusit të magjistratit.

Në tetor 2017, Qirjako dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por të pesë gjyqtarët i refuzuan pozicionet e ofruara. KLGJ e lexoi refuzimin si dorëheqje dhe vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për secilin prej tyre.

Pas vendimit të KLGJ-së, Komisioni e ndërpreu procesin e rivlerësimit dhe u hoqi pesë ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë të drejtën që në 15 vitet e ardhshme të punonin në sistemin e drejtësisë.

Ish-gjyqtarët Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako e apeluan vendimin e KPK-së duke pretenduar se sanksionimi i tyre ishte i paligjshëm. Ndërkohë, ata këmbëngulën se nuk duhej t’i nënshtroheshin vetingut, pasi e kishin humbur statusin e magjistratit kur u kishte mbaruar mandati si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Gjatë seancës së të mërkurës, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo shpjegoi se ishte vendosur që shqyrtimi i ankimit të Qirjakos të kryhej në seancë publike për t’i dhënë të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur. Ai evidentoi se Qirjako nuk ishte thirrur nga KPK për t’u dëgjuar, duke sjellë cënim të procesit të rregullt ligjor.

Gjatë seancës u shqyrtua kërkesa e dytë e paraqitur nga Qirjako, e cila kërkon pezullimin e gjykimit në KPA deri në përfundimin e gjykimit të kërkesë- padisë së bërë nga ana e saj në  Apelin Administrativ.

Qirjako ka paditur Këshillin e Lartë Gjyqësor për mbarimin e statusit të magjistratit.

“KPK e ka mbështetur vendimin vetëm në vendimin e KLGJ. Ky vendim erdhi 19 muaj pasi më kishte përfunduar mandati dhe ushtroja profesionin e avokatit. Vendimi i KLGJ-së është sajesë, pasi nuk parashikohet në asnjë dispozitë ligjore. Përfundimi i statusit është i parashikuar në ligj në mënyrë shteruese dhe nuk ka lidhje me këtë rast,” pohoi Qirjako.

Duke parashtruar se vendimi i Komisionit ishte i bazuar vetëm në vendimin e KLGJ-së, Qirjako tha se do të ishte e pakuptimtë vazhdimi i gjykimit nëse Apeli Administrativ do ta shpallte të pavlefshëm vendimin për mbarimin e statusit të magjistratit.

“Pa përfunduar ajo çështje në Gjykatën Administrative të Apelit, nuk mund të përfundojë shqyrtimi i çështjes në Kolegj,” pohoi Qirjako dhe kërkoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë pezullimin e gjykimit në KPA deri në dhënien e vendimit në Apelin Administrativ.

E pyetur nga relatorja Rezarta Schuetz, Qirjako shpjegoi se seanca e radhës në Apelin Administrativ do të zhvillohet më datë 19 janar.

Pasi trupi gjykues i Kolegjit u tërhoq, vendosi me shumicë votash që në funksion të kërkesës së subjektit, t’i kërkojë informacion Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me statusin e kësaj çështje, si dhe të shtyjë seancën për në datë 21 janar 2021, ora 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *