Një trupë e KPK-së gjatë shpalljes së një vendimi. Foto: LSA
KPK Lajme Vendi

Evjeni Sinojmeri nuk iu përgjigj vetingut, seanca dëgjimore në mungesë

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë e shortuar në vitin 2018  për t’iu nënshtruar procesit, nuk u paraqit në seancën dëgjimore në KPK me justifikimin e pandemisë, ndërsa Komisioni tha se ajo nuk ishte përgjigjur barrës së provës mbi problemet e pasurisë dhe kishte shkelur me 1 vit lejen e ish-KLD-së duke mos u paraqitur në punë.

Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjate nje seance e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit, | Foto nga : LSA

Seanca dëgjimore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës Evjeni Sinojmeri u mbajt të mërkurrën pa praninë e saj dhe pa një përfaqësues ligjorë. Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin, njoftoi se Sinojmerit i ishte kërkuar disa herë të paraqitej apo paraqiste një mbrojtës, por ajo nuk ishte përgjigjur dhe as kishte marrë në dorëzim materialet e dosjes.

Nga sa u tha në fund të seancës Sinojmeri ishte larguar me një leje 2 vjeçare nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë në SHBA. Ajo ndodhej ende atje edhe pse leja i kishte mbaruar. Gjyqtarja sipas KPK kishte kërkuar një shtyrje nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë që nuk ishte miratuar. Sinojmeri pretendon në kërkesë për KLGJ dhe KPK se nuk mund të udhëtonte për në Shqipëri për shkak të situatës së pandemiës, duke qenë se ajo e cilësonte veten se ishte në grup risku të lartë nga COVID-19. KLGJ ka cilësuar këtë si justifikim që nuk përfshihej në ligj dhe për të cilin nuk mund të përfitohej leje.

KPK njësoj relatoi se gjyqtarja nuk kishte sjellë argumente ligjore që justifikonin mospraninë në seancë të sajën apo të një mbrojtësi dhe as moskthimin e saj në punë, që ishte marrë në konsideratë në kriterin e profesionalizmit.

Relatorja Zhegu vuri në dukje se mosparaqitja në punë prej më shumë se 6 muajsh ishte gjetur si shkelje e përsëritur disiplinore. Ajo tha se KPK kishte gjetur se Sinojmeri nuk kishte “shkaqe të arsyeshme” dhe se për këtë i ishte kaluar barra e provës.

Nga sa u kuptua në relatim Sinojmeri nuk kishte kthyer përgjigje të plota mbi barrën e provës, qoftë për këtë rast, qoftë edhe për një sërë problemesh të gjetura në pasurinë e saj. Në relatim Zhegu tha se Sinojmeri kishte blerë disa pasuri të paluajtshme në vitet 2000-2004, për të cilat nuk ishte deklaruar burimi në asnjë prej deklaratave periodike dhe as në deklaratën veting.

Zhegu tha se për vitin 2004, Sinojmeri në blerjen e disa apartamenteve në Tiranë dhe Durrës rezultonte me bilanc negativ 4.2 milion lekë dhe se nuk kishte kthyer përgjigje dhe as vënë në dispozicion dokumente mbi barrën e provës.

Nga relatimi rezultoi se Sinojmeri kishte blerë me kredi të butë një apartament në vitin 2003. KPK tha se apartamenti vijonte të ishte me barrë hipotekore, por tha se në këtë rast nuk ishin gjetur probleme.

Ndërkohë nga hetimi kishte rezultuar blerja në vitin 2000 për 26.8 mijë dollarë e një apartamenti në rrugën e Elbasanit, për të cilin u gjet se gjyqtarja nuk kishte burime të ligjshme në shumën 2.4 milion lekë.

Ndërkohë një apartament 125 metra, blerë për 57 mijë euro në vitin 2004, por deklaruar për herë të parë në vitin 2006, nuk kishte sipas KPK burime të ligjshme në shumën 4.2 milion lekë. Mungesë e ngjashme u gjet edhe për një garazh dhe një apartament në plazh të blerë për 30 mijë euro në të njëjtën kohë.

Për një apartament të blerë për 28 mijë euro  dhe me burim krijimi një hua nga vëllai i gjyqtares, KPK vuri në dukje se nuk ishte deklaruar dhe se gjyqtarja kishte pretenduar se apartamenti ishte blerë për vëllain nga bashkëshorti.

KPK tha se për pasuritë e paluajtshme Sinojmeri nuk kishte deklaruar burime në deklaratën veting dhe në ato periodike dhe se një pjesë e tyre ishin deklaruar disa vite pas firmosjes së kontratave. KPK tha se nuk kishte as qartësi për kohën kur ishin paguar këstet për këto pasuri.

Ngjashëm pa burime të ligjshme u gjetën edhe 40 mijë dollarë dërguar djalit në SHBA, ndërsa u gjetën disa vite me bilance negative. Sinojmeri pretendoi sipas KPK se nuk kishte mundësi të sillte kundërargumentet e saj dhe as të siguronte dokumente. Por Komisioni vlerësoi se nuk kishte as dokument që vërtetonte pamundësinë objektive.

Sinojmerit nuk iu gjetën probleme në pastërtinë e figurës dhe as në profesionalizëm, përpos shkeljes së lejes dhe mungesës së saj në gjykatë për gati 1 vit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *