Gjyqtari Ramazan Avdiu në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gabimi material: KPK riçel hetimin për gjyqtarin Ramazan Avdiu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesë burimesh të ligjshme për një seri huash të dhëna me interes nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu –por rihapi hetimin pas kërkesës për të korrigjuar një gabim në analizën financiare.

Gjyqtari Ramazan Avdiu në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca dëgjimore e zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu nxorri në pah një sërë problemesh me pasurisë, ndërsa rrjedhja ndryshoi në fund, kur subjekti evidentoi një gabim në analizën financiare.

Avdiu kërkoi riçelje të hetimit, duke pretenduar se në analizë nuk ishte përfshirë e gjithë gjendja cash e deklaruar në vitin 2003. Kërkesa u pranua nga Komisioni, e cila vendosi ta korrigjojë këtë gabim.

Ndërkohë, Komisioni rrëzoi kërkesën e përsëritur të subjektit të rivlerësimit për riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu kryesohet nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vezhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Ramazan Avdiu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe më pas kryetar në Gjykatën e Gramshit deri në vitin 2007, kur u suprimua kjo gjykatë. Prej vitit 2008, Avdiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Problemet për pasurinë

Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për gjyqtarin Avdiu ishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë. Relatorja renditi gjatë seancës një sërë transaksionesh huadhënie me interes, të kryera ndër vite nga gjyqtari Ramazan Avdiu.

Vlerat e dhëna hua së bashku me interesin janë deklaruar nga gjyqtari si burim për krijimin e depozitave bankare.

Sipas KPK, subjekti ka shpjeguar se në vitin 2015 i ka dhënë hua shumën 600 mijë lekë me interes shtetasit F.M. dhe se ky i fundit i ka kthyer shumën 1 milion lekë, që është përdorur për çeljen e depozitës.

Komisioni konstaton se huamarrësi nuk ka patur mundësi për kthimin e vlerës së huasë dhe të interesave dhe i ka kaluar subjektit barrën e provës për pamundësi financiare për hapjen e depozitës bankare.

Situatë e ngjashme është paraqitur edhe për çeljen e dy depozitave në vitin 2013, një në shumën 500 mijë lekë dhe tjetra 800 mijë lekë. Këtë vit subjekti rezulton të ketë dhënë hua shumën 1 milion lekë dhe të ketë pasur shpenzime për shkollimin e vajzës. Nga analiza financiare ka rezultuar se Avdiu nuk ka pasur mundësi as për krijimin e këtyre depozitave.

Në seancë u evidentua se gjyqtari Avdiu kishte përfituar 957 mijë lekë në vitin 2009 nga ekzekutimi i një vendimi me objekt shpërblimin, për shkak të mosrespektimit të një kontrate huadhënie nga ana e huamarrësit.

Subjekti ka dhënë hua vlerën 10 mijë USD në vitin 2002 me interes 10% në vit dhe për shkak të mosrespektimit të kontratës, me vendim të Gjykatës së Gramshit, veç vlerës së huasë ka përfituar edhe shpërblim, në vlerën totale 2.4 milionë lekë.

Fillimisht Gjykata e Gramshit ka disponuar me bllokimin e pasurive të huamarrësit, që pas vendimit të dëmshpërblimit janë shitur prej zyrës së përmbaruesit gjyqësor duke bërë të mundur shlyerjen e huasë dhe të interesave në favor të gjyqtarit Avdiu.

Komisioni konstaton se Avdiu nuk ka arritur të provojë burimin e vlerës 10 mijë USD dhënë hua dhe për pasojë vlera e përfituar nuk është përfshirë në analizën financiare.

Sanxhaktari tha se nga hetimi administrativ i kryer mbi huatë e dhëna nga subjekti i rivlerësimit me interes, duket se shumat e kthyera janë trajtuar dhe deklaruar nga Avdiu si kthim i principalit, me qëllim shpangien e pagimit të detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga interesat. Gjithashtu, në disa raste janë konstatuar edhe pamundësi financiare për dhënien e huave.

Komisioni konstaton se Avdiu nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një huadhënie në shumën 2.5 milionë lekë në vitin 2004 shtetasit D.Y.. Sanxhaktari sqaroi se Avdiu ka shpjeguar gjatë hetimit se vlera e dhënë hua përfaqësonte kursimet e vëllezërve të tij që kishin punuar si emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar.

Për shkak të moskthimit të vlerës nga huamarrësi, subjekti ka kryer kërkesë padi dhe ka fituar të drejtën e kthimit të vlerës me vendim të formës së prerë në vitin 2016, por pa aritur ta ekzekutojë ende. Sanxhaktari pohoi se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se, nëse vendimi do të ekzekutohet, vlerën do ta marrin vëllezërit e tij.

Komisioni vlerëson se Avdiu ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për këtë transaksion. Ai ka depozituar si prova dokumentacionin e transfertave të shumave të parave nga Mbretëria e Bashkuar në atë periudhë, por që vetëm pak prej tyre rezulton të jenë dërguar nga vëllezërit, ndërsa pjesa tjetër është transferuar nga persona të tjerë.

“Krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka dashur të fshehë këto veprime nga verifikimi I ILDKPKI dhe nga hetimi administrativ i Komisionit,” tha Sanxhaktari.

Avdiu nuk ka deklaruar edhe një depozitë në shumën 1.5 milionë lekë të çelur në vitin 2010, për krijimin e të cilës ka rezultuar se nuk ka pasur burime të ligjshme.

Komisioni evidenton se subjekti nuk ka deklaruar pjesën e tij takuese në disa ngastra toke arë në fshatin Drashovicë të Gramshit.

Gjithashtu, është konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar pjesën takuese edhe për një pasuri truall me sipërfaqe 300 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 70 m2. Sanxhaktari pohoi se subjekti ka shpjeguar se banesa është ndërtuar nga prindërit në vitin 1985.

Për një apartament me sipërfaqe 58.2 m2 të blerë në vitin 1996 në Gramsh kundrejt çmimit 420 mijë lekë, gjyqtari Avdiu ka deklaruar si burim të ardhurat e përfituara nga shtija e një zetori në shumën 100  mijë lekë dhe të ardhura të tjera.

Sanxhaktari tha se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion ligjor për të vërtetuar vlerën 100 mijë lekë të përfituar nga shitja e zetorit, ndërkohë që ka rezultuar në pamundësi financiare dhe për shumën e mbetur.

Në seancë u evidentua një ndërtim informal me sipërfaqe 68 m2 në apartamentin në Gramsh, për legalizimin e të cilit bashkëshortja e gjyqtarit Avdiu ka aplikuar në vitin 2014.

Komisioni konstaton se subjekti ka kryer ndërtim informal dhe se nuk ka patur mundësi financiare për kryerjen e këtij investimi. “Edhe nëse merret në konsideratë vlera e shpenzuar e deklaruar prej subjektit të rivlerësimit, rezulton se nuk ka pasur burime financiare të ligjshme”, pohoi Sanxhaktari.

Gjyqtari Avdiu ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture tip Volksëagen në vitin 2012 për çmimin 2500 euro, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 400 mijë lekë.

Relatorja Sanxhaktari pohoi se gjatë analizës financiare të përgjithshme për periudhën 2003-2016 janë konstatuar probleme në transaksionet e huadhënieve dhe të ardhurat e përfituara nga subjekti. Ajo theksoi se janë marrë në konsideratë vetëm ato të ardhura për të cilat janë paguar detyrimet tatimore përkatëse dhe se kanë rezultuar balanca negative.

Sanxhakatari pohoi se Komisioni ka rrëzuar kërkesën e subjektit për riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Riçelja e hetimit për pasurinë

Gjyqtari Ramazan Avdiu në fjalën e tij nuk u ndal në gjetjet e Komisionit, por evidentoi një gabim material të kryer në analizën financiare.

“Kërkoj riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë, pasi keni bërë një gabim. Shuma cash e deklaruar nga ana ime në vitin 2003 është 350 mijë lekë dhe nga ana juaj është konsideruar 35 mijë lekë”, pohoi Avdiu.

Ai këmbënguli se ky gabim i Komisonit ishte sjellë efekte të njëpasnjëshme në analizën financiare të kryer nga KPK. Avdiu pretendoi se e kishte kërkuar edhe më parë korrigjimin e këtij gabimi dhe shtoi se Komisioni nuk ishte shprehur në vendimin e ndërmjetëm për këtë çështje.

“Mendoj se ka pasur shkaqe të mjaftueshme për riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë. Kam sqaruar efektet konkrete të këtij gabimit tuaj. Për këtë shkak, kundërshtimet e mia nuk janë të plota”, theksoi Avdiu.

Ai e cilësoi si arbirtrare përllogaritjen e shpenzimeve të jetesës në masën 66% dhe solli në vëmendje se nuk ishte marrë në konsideratë fakti që jetonte në një zonë malore.

Gjyqtari Avdiu foli edhe për një çështje të gjykuar prej tij. Ai tha se në vitin 2014 ishte publikuar një listë me 65 vendime të gjykatave në gjithë vendin, për të cilat ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i kishte kërkuar ish-Presidentit Bujar Nishani që t’i kërkonte Këshillit të Lartë të Drejtësisë t’i verifikonte.

Avdiu pohoi se për rastin e tij, ai kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, pasi kjo masë ishte kërkuar nga prokurori.

“Doja të thoja se janë përhapur të dhëna të rreme. Më kanë cënuar duke më caktuar tek lista e zezë”, ju përgjigj Avdiu kryesuesit Komici, i cili i tërhoqi vëmendjen që të jepte shpjegime mbi barrën e provës dhe jo për çështje që nuk ishin trajtuar nga Komisioni.

Në përfundim, gjyqtari Avdiu kërkoi riçeljen e hetimit për të tri kriteret rivlerësimit.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi të pranojë riçeljen e hetimit për kriterin e pasurisë për korrigjimin e gabimit material, ndërsa rrëzoi kërkesën për riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Kryesuesi Komici shpjegoi se, deri në këtë moment, për dy kriteret e tjera i qëndronin vendimit të ndërmjetëm të mëparshëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *