Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Genta Tafa zgjidhet në krye të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Tafa, pedagoge e së drejtës financiare dhe ish-sekretare e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë mori shumicën e votave për të drejtuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.  

Genta Bungo Tafa, kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit | Foto nga : LSA

Juristja Genta Tafa u zgjodh në krye të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten, pas një votimi të fshehtë mes 14 anëtarëve të këtij institucioni kyç për zbatimin e reformës në drejtësi. Mandati i saj është 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Procedura e zgjedhjes së kryetarit u bazua në ligjin për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe u monitorua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Sipas ligjit, kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka për detyrë të përgatisë dhe drejtojë mbledhjen e anëtarëve, të përfaqësojë Komisionin në marrëdhënie me të tretët, të nënshkruajë akte-me përjashtim të vendimeve dhe të drejtojë shortin në rastet e parashikuara nga ligji.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK është hallka e parë e vetingut me të cilën do të përballen gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, të cilët do të kontrollohen në drejtim të pasurisë së tyre, lidhjeve me krimin e organizuar apo aftesive profesionale. KPK ka 12 anëtarë dhe dy anëtarë zëvendësues, të cilët do të organizohen në katër trupa gjyqësore me nga 3 anëtarë secila.

Kryetarja e sapozgjedhur e KPK, Genta Tafa ka mbajtur pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë, para se të konkurronte për institucionet e vetingut. Ajo ka qenë pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës përgjatë viteve 1996-2003, aktivitet të cilin e ka vazhduar pa ndërprerje edhe më pas.

Në vitet 2003-2006 ajo ka punuar si drejtoreshë juridike në Ministrinë e Punëve Vendore dhe prej vitit 2012 ushtron aktivitetin si përmbaruese gjyqësore private.

Tafa është autore e dy teksteve universitare mbi të drejtën financiare dhe nga qershori 2014 mban gradën shkencore “Profesor i Asociuar”.

Pas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e njëjta procedurë votimi pritet të ndiqet edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kolegjit të Apelimit. Të dy institucionet po bëhen gati që të fillojnë procesin e vetingut në shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *