Seanca dëgjimore e gjyqtarit Gjovalin Përnoca në KPK | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Gjovalin Përnoca u shkarkua për mungesë burimesh, fshehje e deklarim të rremë të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit identifikon pamundësi financiare të gjyqtarit Gjovalin Përnoca për blerjen e një vile në Tiranë, një shtëpie pushimi në Golem dhe për krijimin e një depozite 3.2 milionë lekë. Sipas trupit gjykues ai ka fshehur një depozitë 35 mijë USD, si dhe nuk ka deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e një apartamenti në kryeqytet.

Gjovalin Përnoca, gjyqtar, KPK
Seanca dëgjimore e gjyqtarit Gjovalin Përnoca në KPK | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN

Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca u shkarkua nga detyra më 13 shtator 2019, pas konstatimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për probleme të shumta me pasurinë.

Trupi gjykues i KPK; i përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare konkludon se Përnoca ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm; ka fshehur pasuritë , ka kryer deklarim të rremë dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e disa aseteve, si edhe mungesë burimesh të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Ndërkohë, trupi gjykues është ndarë lidhur me përfitimin e dy apartamenteve nëpërmjet privatizimit si i pastrehë.

Gjyqtari Përnoca u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës, ndërsa u identifikuan mangësi dhe probleme për profesionalizmin në aspektin procedural, por që nuk u konsideruan shkarkuese prej trupit gjykues.

Komisioni nuk gjeti probleme edhe në katër denoncimet e kryera prej publikut pranë Komisionit.

Gjovalin Përnoca ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Në vitin 2003, ai është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar për 15 vite. Përnoca ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, pa mundur që të zgjidhet më pas në Parlament.

Trajtim preferencial i padeklaruar

Komisioni konstaton se Përnoca nuk ka pasqyruar në deklaratën periodike të vitit 2005 një “trajtim preferencial” që i është bërë nga një ndërtues, i cili i ka siguruar me çmim të favorshëm një apartament në Tiranë me sipërfaqe 119.6 m2 dhe dy garazhe me sipërfaqe 19.20 m2 secili, për vlerën totale 49.860 euro.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se ndërtuesi A.G. ka paguar fillimisht personalisht të gjithë çmimin e apartamentit dhe të garazheve, megjithëse ishte bashkëporositës me Përnocën, duke i dhënë këtij të fundit mundësi pritje për shlyerjen e çmimit.

Trupi gjykues thekson se çmimi i blerjes së apartamentit i deklaruar nga gjyqtari Përnoca dhe i pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes të datës 31 dhjetor 2005, në vlerën 41.860 euro, nuk është çmimi real pasi rezulton të jetë shumë më i ulët krahasuar me çmimin e referencës së atij viti, që sipas KPK rezulton në shumën 75.593 euro. Nisur nga ky fakt, Komisioni vëren se përforcohet bindja për një situatë trajtimi preferencial, por të padeklaruar nga Përnoca. Ndërkohë, trupi gjykues përjashton mundësinë e konfliktit të interesit mes Përnocës, personit që i pagoi vlerën e apartamentit e të garazheve dhe ndërtuesit që ja shiti.

Përnoca ka deklaruar para Komisionit se me A.G. njihet që në vitet 2000, por se nuk i mban mend saktësisht rrethanat kur janë takuar. “Besoj se kolegë të mi nga Shkodra, të cilët i kishin transmetuar për mua opinione pozitive. Nuk kemi frekuentim të rregullt shoqëror, pasi secili ka angazhimet e tij, por nëse shihemi ndonjëherë, ruajmë konsiderata reciproke”, ka deklaruar Përnoca.

Ai ka shtuar se A.G. i kishte premtuar ti shiste një banesë në atë pallat dhe se të priste ta paguante me këste. Por, sipas Përnocës, në fund të vitit 2005, A.G. dhe ish-ortaku i tij në firmën e ndërtimit, z. P.F., kishin përfunduar ortakërinë dhe kishin ndarë edhe pasuritë e tyre. Ai ka shtuar se banesa e premtuar kishte qëlluar pjesë e ortakut të A.G. dhe se për këtë arsye ky i fundit i kishte thënë se do t’ia blinte e do t’ia shiste.

Si burim të krijimit të vlerave 15 mijë euro dhe 34860 euro të paguara në vitin 2006 për shlyerjen e personit që i bleu shtëpinë, Përnoca ka pasqyruar në deklaratën veting kursimet e akumuluara dhe të ardhurat e vitit 2006.

Në fund të hetimit administrativ, KPK ka konkluduar se A.G. ka pasur burime të ligjshme për pagesën e vlerës prej 49.860 euro për blerjen e apartamentit + dy garazhe në vitin 2005. Gjithashtu, është arritur në përfundimin se edhe Përnoca dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të ligjshme financiare për blerjen e apartamentit në vlerën 49.860 euro në vitin 2006, pavarësisht një balance negative në vlerën – 228.532 lekë në vitin 2005.

Në analizën financiare, Komisioni ka përfshirë edhe një shumë 3.4 milionë të përfituar nga shitja e një apartamenti në Golem në shkurt të 2006-ës, ku konkludohet se ka pasur vlera fiktive të çmimeve të pasqyruara në kontratat e blerjes dhe të shitjes së asaj pasurie, si edhe mungesë burimesh të ligjshme financiare.

Çmime fiktive për shtëpinë e pushimeve

Për apartamentin 1+1 në vendin e quajtur Mali i Robit në Golem, të blerë në shumën 1.9 milionë lekë më datë 29 korrik 2005, Përnoca ka deklaruar se e ka shitur gati dyfishin pak muaj më vonë, më datë 9 shkurt 2006, për vlerën 3.4 milionë. Si burim krijimi të kësaj pasurie në deklaratën veting, Përnoca ka deklaruar, kursimet para e gjatë vitit 2004 dhe ato të përfituara nga shitja e një automjeti tip “Mercedez Benz” për vlerën 200 mijë lekë. Ndërsa në deklaratën periodike të pasurisë së vitit 2005 nuk e ka deklaruar burimin e krijimit.

Sipas përllogaritjes të kryer nga Komisioni sipas çmimit të referencës të vitit 2005, vlera e këtij apartamenti, rezulton të jetë 2.4 milionëlekë.

“Rezulton që apartamenti të jetë blerë në vlerën 538.146 lekë, më lirë se çmimi i tregut, ndërkohë që e ka shitur disa muaj më vonë më lartë çmimit të tregut, në vlerën për çmimin 3.4 milionë lekë, likuiduar jashtë zyrës noteriale”, konstaton Komisioni duke shtuar se, veprimet financiare janë kryer pa dokumente provuese.

Më tej, Komisioni konstaton se personi që e ka blerë këtë apartament nga Përnoca për 3.4 milionë lekë, e ka shitur pas pesë muajve me vlerë 1 milion e 950 mijë lekë, përafërsisht aq sa e kishte blerë fillimisht subjekti. Kjo gjetje i ka forcuar edhe më shumë dyshimet e Komisionit për vendosje të çmimeve fiktive në kontratat e blerjes dhe shitjes së kësaj pasurie.

Komisioni nuk është bindur nga pretendimet e Përnocës se, shtëpia është blerë në çmim të favorshëm për shkak të njohjes me shitësin dhe se është shitur më shtrenjtë, pasi janë kryer punime. Në vendim thuhet se ai nuk arriti të provojë shpenzimet e pretenduara për punimet shtesë.

Tjetër problem që identifikon Komisioni për këtë pasuri është edhe pamundësia financiare. Në vendim thuhet se më datë 31 dhjetor 2002, Përnoca rezulton me balancë financiare negative prej – 1.422.785 lekë dhe për pasojë, arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e kursimeve ndër vite që kanë shërbyer si burim krijimi për blerjen e apartamentit në Golem, në shumën totale – 939.102 lekë.

Mungesë burimesh për vilën në Tiranë

Komisioni konkludon mospërputhje në deklarimet e kryera për një banesë trekatëshe dhe truall të blerë në gusht të vitit 1998 në Tiranë. Sipas KPK, Përnoca në deklaratën e pasurisë së vitit 2003 ka deklaruar shtëpi banimi 2+1, ndërkohë që sipas kontratës së shitblerjes të vitit 1998, si edhe në deklaratën veting ka deklaruar: oborr truall me sipërfaqe 105 m2 dhe 70 m2 truall ndërtese dhe banesë 2+1 e një dhomë në dy katet e tjera, me çmimin 3.150.000 lekë.

Përnoca është justifikuar se këto gjetje nuk mund të jenë mospërputhje, por vetëm deklarim i së njëjtës pasuri, i pa detajuar me imtësi.

Komisioni evidenton më tej mosdeklarim të ndërtimit pa leje në deklaratat periodike vjetore 2006 − 2016 i pjesës së ndërtimit me sipërfaqe 11.8 m2 të ndërtesës 3-katëshe. Në vendim shpjegohet se sipërfaqja totale e ndërtesës së blerë në vitin 1998 është 140 m2, ndërsa ajo e legalizuar është 151.8 m2.

Gjithashtu, KPK konstaton edhe mospasqyrim të pjesës së ndërtimit të papafingos me sipërfaqe 21.7 m2. “Në deklaratën ‘Vetting’ subjekti deklaron vetëm 1 dhomë në katin e tretë pa përmasa. Dokumentacioni i përcjellë nga ALUIZNI dhe ZVRPP-ja Tiranë pasqyron papafingo me sip. 51.7 m2 dhe, rrjedhimisht, diferenca prej 51.7 m2 – 30m2 = 21.7 m2 , rezulton e padeklaruar”, citohet në vendim.

Mospërputhje identifikohen edhe lidhur me vitin e ndërtimit të shtëpisë. Në formularët e vetëdeklarimit të paraqitur pranë ALUIZNI-t, është pasqyruar si vit ndërtimi − viti 1979; së bashku me të atin kanë deklaruar se gabimisht në formularin përkatës kanë deklaruar se këtë objekt e kanë ndërtuar në vitin 1979, por se ndërtimi i banesës së tyre dykatëshe me papafingo është bërë dhe transferuar pjesë-pjesë në gjendjen që është aktualisht pas vitit 1998 e në vijim. Ndërkohë, i pyetur nga Komisioni subjekti ka shpjeguar se kishte blerë një banesë e cila ishte bërë pa leje nga shitësi në vitin 1994. Komisioni i vlerëson të paplota dhe jo bindëse shpjegimet e Përnocës në lidhje me kohën e ndërtimit përfundimtar të kësaj shtëpie që rezulton të jetë përfunduar pas vitit 1994.

Sipas KPK, subjekti i rivlerësimit ka mungesë burimesh të ligjshme financiare, në shumën -660 mijë lekë për blerjen e shtëpisë së banimit në Tiranë në vitin 1998, pasi një prej burimeve financiare të deklaruara është krijuar një vit më vonë. “…Njëri nga burimet financiare, konkretisht të ardhurat nga shitja e shtëpisë në Rrëshen, është krijuar në vitin 1999, pra, pas blerjes së shtëpisë në Tiranë në vitin 1998”, citohet në konkluzionet e Komisionit.

Në vendim identifikohet fakti se Përnoca ka ndryshuar disa herë deklarimet lidhur me burimin e krijimit të kësaj prone. Në vitin 2003 ai ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga shitja e shtëpisë së mëparshme e përfituar nga privatizimi dhe kursimet nga pagat; në deklaratën veting ka pasqyruar si burim të ardhurat e siguruara nga shitja e shtëpive në Shkodër dhe në Rrëshen, ndërkohë që gjatë hetimit administrativ, ka ndryshuar qëndrim duke deklaruar si burim krijimi të ardhurat e siguruara nga shitja e shtëpisë në Shkodër, si dhe të ardhurat e përfituara nga i vëllai nga shitja e një shtëpie në Kukës. Komisioni konkludon se për shkak të ndryshimit të deklarimeve për burimin e krijimit të kësaj pasurie, Përnoca gjendet në kushtet e deklarimit të rremë.

Mendimi paralel

Komisioni ka hetuar edhe lidhur mbi burimin e krijimit të apartamenteve në Rrëshen dhe në Shkodër dhe procedurat e përfitimit të tyre nëpërmjet privatizimit. Trupi gjykues nuk evidenton probleme për apartamentin me sipërfaqe 108.9 m2 në Rrëshen të privatizuar prej Përnocës në dhjetor të vitit 1993 nga Ndërmarrja Komunale për vlerën 28.214 lekë dhe të shitur në qershor të vitit 1999 për 1.5 milionë lekë.

Ndërsa për përfitimin e apartamentit në Shkodër trupi gjykues është ndarë duke paraqitur mendime paralele.

Apartamenti 2+1 me sipërfaqe 69.20 m2 në Shkodër, vlera e shitjes së të cilit ka shërbyer si burim për blerjen e shtëpisë në Tiranë, është përfituar nga kontrata e përkohshme e lidhur me Entin Kombëtar të Banesave më datë 25 shtator 1996, kur është paguar si paradhënie shuma prej 35 mijë lekësh. Më datë 6 nëntor 1997 është lidhur kontrata përfundimtare e shit-blerjes së apartamentit me pagesë të menjëhershme në vlerën 11.625 USD ose 1.703.062 lekë, sipas kursit të këmbimit valutor të atëhershëm.

Për shkak të pagesës së menjëhershme, Përnoca ka përfituar zbritjen e 30 % të vlerës së çmimit duke paguar përfundimisht 1.248.167 lekë, ose 8.603 USD. Por, vetëm pesë ditë pasi Përonca e ka blerë këtë pasuri, ka arritur ta shesë disa herë më shumë, në vlerën 30 mijë USD, që i janë paguar në dorë.

Fillimisht Komisioni ka ngritur dyshime në lidhje me ligjshmërinë e përfitimit të këtij apartamenti nga subjekti; çmimin me të cilin Përnoca e ka shitur; pagesën e tatimit në burim dhe mundësinë financiare për blerjen e kësaj pasurie nga subjekti. Në vendim evidentohet se Përnoca kishte përfituar më parë nëpërmjet privatizimit një apartament në Rrëshen dhe për këtë arsye i janë kërkuar shpjegime Entit Kombëtar të Banesave. Në përgjigjen e këtij institucioni ka qenë bashkëngjitur edhe dokumentacioni ligjor mbi kriteret ku është bazuar për dhënien e banesës subjektit Gjovalin Përnoca, me statusin si i pastrehë në qytetin e Shkodrës.

Përnoca ka shpjeguar se ishte transferuar në detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Shkodër në nëntor të vitit 1993 dhe duke qenë pa banesë në një kohë që bënte punën e shtetit larg familjes, Këshilli i Bashkisë Shkodër e ka trajtuar me banesë nga Enti i Banesave.

“… Unë privatizimin e banesës në Rrëshen e kam bërë sipas ligjit, por duke qenë në një certifikatë familjare edhe me prindërit. Më vonë, meqë mbeta në Shkodër dhe nuk po transferohesha dot, jam ndarë nga prindërit dhe kam kërkuar banesë nga Bashkia Shkodër, si familje më vete, duke e konsideruar veten të pastrehë në Shkodër, si i transferuar (me detyrim nga shteti dhe jo me kërkesë)”, ka pohuar Përnoca.

Sipas subjektit, në rastin e tij, ndonëse ka përfituar një herë nga ligji për privatizimin, e fiton statusin si i pastrehë kur janë në kushte detyrimi për të kryer shërbimin. Shumica e trupit gjykues, është bindur nga shpjegimet e Përnocës duke konkluduar se ai e ka përfituar në mënyrë të ligjshme edhe apartamentin në qytetin e Shkodrës.

Por, relatori Olsi Komici ka qëndrim të ndryshëm nga koleget e tij, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu lidhur me këtë konkluzion. Sipas Komicit, në kontratën e përkohshme të datës 25 shtator 1996, për shitje apartamenti, lidhur ndërmjet degës së EKB-së Shkodër dhe subjektit, përcaktohet se blerësi, para lidhjes së kontratës detyrohet të paraqesë mes të tjerave edhe dokumentin i cili vërteton se nuk ka përfituar nga ligji i privatizimit të banesave shtetërore. “Në praktikën e depozituar në Komision nga EKB-ja nuk rezulton që të jetë depozituar një dokument i tillë nga subjekti sipas përcaktimeve të kontratës së mësipërme…”, konstaton Komici i cili argumenton më tej se, sipas ligjit, në asnjë rast qytetari nuk mund të bëhet njëkohësisht pronar i dy banesave shtetërore.

Në lidhje me dyshimet e Komisionit për caktimin e një çmimi fiktiv në shitjen e kësaj pasurie për 30 mijë USD, Përnoca ka shpjeguar ndër të tjera se, vendimin për ta shitur shtëpinë e kishin marrë pasi me situatën e vitit 1997, si i huaj që ishte në qytetin e Shkodrës, nuk e shikonte me perspektivë punën dhe jetesën atje. “Administratori i entit blerës, z. Gj.L., e kishte prezantuar me blerësit që ishin investitorë italianë, të cilëve iu përshtatej pozicioni i apartamentit pranë një fabrike fasonerie ku ata ushtronin aktivitetin e tyre, për interesat e biznesit dhe sidomos për sigurinë fizike të tyre, në kushtet e mungesës së rendit”, citohet në vendim.

Ai ka depozituar edhe kontratën e shitjes ku ishte shënuar vlera 30 mijë USD si edhe atë të regjistrimit në hipotekën e Shkodrës, duke pretenduar se me këto dokumente provonte vlerën reale të shitjes dhe të pagesës së tatimit mbi shitjen.

Komisioni është bindur nga shpjegimet e Përnocës duke konkluduar se arriti të shpjegojë në mënyrë të qartë dyshimet e ngritura nga Komisioni në lidhje me çmimin e pasqyruar në kontratën e shitblerjes si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat e përfituara.

Por, Komisioni ka arritur në konkluzionin se Përnoca nuk ka pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e apartamentit të banimit në Shkodër, në shumën – 544.620 lekë dhe për pasojë pamundësi në shumën totale – 1.410.000 lekë për blerjen e shtëpisë në Tiranë.

Apartament për pushime në Sarandë

Komisioni identifikon disa probleme lidhur me një apartament për pushime në Sarandë që Përnoca e ka blerë së bashku me një person tjetër që jetonte në Britaninë e Madhe në shumën 50 mijë euro, por që më pas ja kanë kthyer sërish ndërtuesit, duke marrë prej tij 70 mijë euro.

KPK identifikon pamundësi financiare të bashkëporositësit të Përnocës i cili jetonte në Britaninë e Madhe, T.S., për pagesën e kryer për blerjen e apartamentit në Sarandë, si edhe kryerjen e investimeve të tjera në këtë pronë.

“Komisioni, pavarësisht deklarimit të bërë nga sipërmarrësi Nj.V., se e ka marrë të gjithë shumën prej 50.000 euro nga subjekti dhe shtetasi S.T., duke marrë në konsideratë analizën financiare të kryer për z. S.T., vlerëson se nuk kishte burime të ligjshme të mjaftueshme financiare për kryerjen e pagesës prej 20.000 euro z. Nj.V.”, citohet në vendim.

Komisioni nuk i ka marrë në konsideratë dokumentacionet dhe deklarimet e Përnocës se në vlerën financiare të paguar nga z. S.T. për pagesën e pjesës takuese të apartamentit në Sarandë, ka ndihmuar edhe i vëllai i tij, B.T. dhe ekonomia e përbashkët familjare që ata kanë në Angli, pasi ato nuk janë deklaruar në kohë reale. “…Përkundrazi, Komisioni vlerëson se futja në lojë e të ardhurave të shtetasit B.T. është bërë pasi është konstatuar pamundësia financiare e shtetasit S.T. për të paguar pjesën e tij monetare në këtë investim”, konkludon KPK.

Në vendim evidentohet se vlera e investuar në apartament nga Përnoca dhe bashkëporositësi i tij, S.T., është në total 20 mijë euro, që është shuma që u ka kthyer ndërtuesi më shumë nga çmimi i blerjes 50 mijë euro. KPK nuk është bindur nga shpjegimet e Përnocës se ata kishin shpenzuar nga 800 mijë lekë secili për punimet në apartamentin e blerë në Sarandë.

Përnocës i janë kërkuar shpjegime edhe për deklaratën e tij më datë 25 qershor 2013, ku thuhet se së bashku me T.S. anulojnë kontratën e sipërmarrjes, në një kohë që ky shtetas nuk ka qenë prezent para noterit, si dhe nuk ka lënë akt përfaqësimi në emër të subjektit.

Subjekti ka shpjeguar se për shkak të moskorrektesës së firmës së ndërtimit, kishin rënë dakord në parim për ta anuluar kontratën, në të kundërt, do t’ia shisnin kujtdo. Përnoca e ka pranuar faktin se ka shënuar që ai dhe T.S. i kanë likujduar palës shitëse gjithë shumën e mbetur, por e konsideron të ligjshëm dhe të vërtetë deklarimin, duke pretenduar se kjo gjë shpreh dijeninë e tij mbi faktin.

Ndërsa lidhur me një vlerë 5 mijë euro që i ka dhënë hua ndërtuesit, Përnoca ka shpjeguar se kjo shumë i ishte dhënë kur duhej që t’u kthehej vlera totale 70 mijë euro. “Unë nuk kisha aspak dëshirë që t’ia jepja, por nëse nuk ia jepja, rrezikoja që të mos binte dakord me anulimin e kontratës dhe do më duhej që të humbja shumë kohë tjetër për të shitur përsëri banesën…”, ka pohuar Përnoca duke shpjeguar se ndërtuesi ishte justifikuar duke i thënë se kishte probleme familjare.

Komisioni identifikon faktin se më datë 25 qershor 2013, subjekti së bashku me z. S.T. dhe sipërmarrësin Nj.V., kanë deklaruar se për apartamentin në Sarandë është likuiduar i gjithë detyrimi, ndërkohë që një ditë më pas, më datë 26 qershor, kanë anuluar kontratën e sipërmarrjes dhe ndërtuesi ka deklaruar se do t’u kthejë shumën 70 mijë euro.

Duke marrë në konsideratë deklaratat noteriale dhe faktin se kthimi i shumës 70 mijë euro është pasqyruar në deklaratën periodike vjetore të pasurisë të vitit 2013, Komisioni i gjen të mjaftueshme shpjegimet e dhëna nga Përnoca për kthimin e palëve në gjendjen fillestare, duke marrë shumën prej 70 mijë euro, pavarësisht faktit se një transaksion i tillë nuk është kryer në rrugë bankare.

Fshehje dhe deklarime të rreme

Komisioni konstaton se Përnoca dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar në vitin 2003 hapjen e një depozite në vlerën 35 mijë USD dhe mbylljen e saj në vitin 2004, kur është maturuar dhe ka arritur vlerën 35.113,83 USD. Përnoca ka shpjeguar se bashkëshortja e tij, znj. A.P., ka pasur një depozitë në Bankën Amerikane nga viti 2002 deri në vitin 2004, në shumën 35 mijë USD, por se këto vlera monetare kanë qenë të vajzës së vëllait të saj.

Ai ka depozituar deklaratë noteriale të datës 15 dhjetor 2004, ku mbesa e bashkëshortes shpjegon se në shtator të vitit 2002, halla e saj me bashkëshortin, gjyqtarin Përnoca, kanë qenë vizitorë në Angli dhe se kur u larguan u kanë dhënë kursimet e punës pesë vjeçare në emigracion.

“Këtë shumë prej 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) USD, halla ime e ka depozituar pranë Bankës Amerikane në datën 20.9.2002 dhe me kërkesën tonë kjo shumë është tërhequr në janar të vitit 2004”, citohet në deklaratën noteriale të paraqitur nga Përnoca.

Pretendimet e Përnocës nuk e kanë bindur Komisionin pasi ai dhënë deklarime kontradiktore dhe nuk ka provuar që mbesa e bashkëshortes dhe bashkëshorti i saj të kenë patur burime të ligjshme për krijimin e shumës 35 mijë USD në Britaninë e Madhe. Gjithashtu, sipas KPK nuk është provuar edhe transferimi i kësaj vlere në Shqipëri. Në përfundim trupi gjykues konkludon se Përnoca e ka fshehur këtë pasuri.

Sipas KPK, gjyqtari Përnoca dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për krijimin e një depozite në shumën 3.2 milionë lekë në datën 20 shtator 2002, duke rezultuar me mungesë burimesh financiare të ligjshme në shumën -1.878.236 lekë.

Komisioni i ka kërkuar shpjegime Përnocës për destinacionin e përdorimit të kësaj depozite që ka arritur vlerën 3.3 milionë lekë pas maturimit një vjeçar kur është tërhequr. Sqarime i janë kërkuar edhe për destinacionin e një depozite tjetër në shumën 11.700 euro të tërhequr në prill të 2003, vlerë për të cilën nuk janë identifikuar probleme për burimin e krijimit.

Përnoca ka shpjeguar se gjendja 12 mijë USD e deklaruar në vitin 2004 ishte pjesë e kësaj pasurie, ndërsa ka shtuar se pjesa tjetër është shpenzuar në vitin 2003 për riparimin e banesës në Tiranë.

Pas kalimit të barrës së provës, subjekti ka kundërshtuar analizën financiare në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të depozitës në shumën 3.2 milionë lekë, në emër të bashkëshortes, duke argumentuar se kjo vlerë përfaqësonte shumat që i ishte lënë në ruajtje bashkëshortes prej mbesës së saj.

Shpjegimet e Përnocës nuk janë vlerësuar bindëse prej Komisionit, duke theksuar se edhe në analizën e mëparshme të këtij pretendimi, është konkluduar se kjo depozitë është pasuri në pronësi të subjektit dhe bashkëshortes së tij.

Në vendim thuhet se destinacioni i përdorimit të shumës prej 3.2 milionë lekësh, e depozituar në emër të bashkëshortes, ka qenë maturimi, konvertimi dhe depozitimi i saj në shumën 35 mijë USD, në datën 31 korrik 2003, në depozitën bankare në Bankën Amerikane.

“Komisioni krijoi bindjen se shuma prej 3.200.000 lekësh, e depozituar në emër të znj. A.P. në datën 20.9.2009 në Bankën Amerikane, është pasuri në pronësi të personit të lidhur me subjektin, bashkëshortes A.P., duke e konsideruar të rremë deklarimin e subjektit të rivlerësimit se kjo pasuri është e znj. M.V.”, citohet në vendim.

Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën -1.878.236 lekë për krijimin e depozitës në vlerën 3.2 milionë lekë në emër të bashkëshortes.

Ndërkohë, nga analiza financiare përfundimtare për periudhën 2003 – 2016 ka rezultuar se familja e gjyqtarit Përnoca ka pasur mungesë burimesh të ligjshme financiare në shumën -2.271.477 lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *