Gjyqtari i pezulluar  i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA
KPA Lajme Në Fokus

Gjykata e Lartë pranon rekursin e SPAK për gjyqtarin Luan Daci

Gjykata e Lartë vendosi në dhomë këshillimi që të shqyrtojë masën e sigurisë së “pezullimit nga detyra” të gjyqtarit të KPA, Luan Daci në seancë gjyqësore. Megjithatë, Gjykata e Lartë nuk i ka aktualisht pesë gjyqtarët që nevojiten për shqyrtimin e çështjes.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Gjykata e Lartë pranoi një rekurs të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për masën e sigurisë ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci dhe vendosi ta kalojë çështjen për shqyrtim në seancë gjyqësore.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, Ida Vodica, vendimi është marrë të premten, më 18 shtator në dhomë këshillimi nga trupi gjykues me relator të çështjes gjyqtarin Ilir Panda.

SPAK e akuzon gjyqtarin Daci se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme si dhe mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna, të vitit 1997. Por një masë sigurie për “pezullim nga detyra” u rrëzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, paraqitja e të dhënave të rreme në procesin e aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci, nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit.

Por prokurorët e SPAK pretendojnë në rekursin e bërë përpara Gjykatës së Lartë se Apeli nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore.

“…Mënyra se si Gjykata e trajton kërkesën e datës 03.02.2017 është aspak e pranueshme, pasi sipas logjikës së Gjykatës së Apelit aplikanti mund të deklarojë çfarë t’i vijë për mbarë dhe nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron, a thua jemi para një ‘letre pa vlerë,” argumenton SPAK në rekurs.

“Daci ka qenë i vetëdijshëm se ekspozimi i masës disiplinore do të çonte në skualifikimin e menjëhershëm të tij,” shtohet në rekurs.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, SPAK i vazhdoi hetimet dhe vendosi marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit të KPA, Luan Daci për akuzën “falsifikimi i dokumenteve”. Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi më 24 korrik pezullimin nga detyra të gjyqtarit Daci, pas marrjes së tij të pandehur.

Pavarësisht se Gjykata e Lartë pranoi rekursin e bërë nga SPAK, shqyrtimi i çështjes në seancë duket se është aktualisht i pamundur.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 14/a, për shqyrtimin në seancë të kësaj çështjeje nevojiten 5 gjyqtarë, të cilët Gjykata e Lartë nuk i ka.

Duke konsideruar edhe faktin se tre gjyqtarët aktualë që ka Gjykata e Lartë të cilët vendosën në dhomë këshillimi të kalojnë këtë çështje në seancë gjyqësore, nuk mund të jenë pjesë e trupit tjetër gjykues, nevojitet që të emërohen edhe pesë gjyqtarë të tjerë për të bërë të mundur çeljen e shqyrtimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *