Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.
Artikull kryesor ! Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Gjykata e Posaçme e Apelit rikthen në detyrë Luan Dacin

Vendimi i pezullimit nga detyra për anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, Luan Daci, i akuzuar për falsifikim dokumentesh u shfuqizua nga Gjykata e Posaçme e Apelit, duke e rikthyer atë sërish në detyrë.

Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi të premten vendimin e pezullimit nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit për postin e lartë në sistemin e ri të drejtësisë.

“Gjykata vendosi shfuqizimin e vendimit,” i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit, Elisa Spahiu, pa sqaruar argumentet që sollën këtë vendim.

Trupa gjykuese që vendosi rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë kryesohej nga gjyqtari Dhimtër Lara dhe me anëtarë Nertina Kosovën dhe Sokol Binajn. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK u përfaqësua nga prokurori Altin Dumani.

Avokati i Dacit, Andi Durraj i tha BIRN se mbrojtja e tyre u bazua në thelbin e mbrojtjes së gjyqtarit kushtetues, parashkrimin e masës disiplinore dhe në faktin se një kërkesë e thjeshtë si ajo për punësim nuk përbënë një dokument.

Gjyqtari i KPA, Luan Daci refuzoi të komentonte vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, që i hap rrugën rikthimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe shqyrtimit të çështjeve ku ai është anëtar trupe.

Më 20 maj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi se Daci ishte marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit të tij për pozicionin e anëtarit të KPA-së. “Në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ai ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore largim nga puna në vitin 1997,” deklaroi SPAK.

Paralelisht me procedimin, SPAK mori në gjykatë masën e pezullimit nga detyra të Luan Dacit. Pas masës së sigurisë në shkallën e parë, avokatët Andi Durraj dhe Jordan Daci e cilësuan si të paligjshme akuzën dhe masën e pezullit të gjykatës.

“Në radhë të parë, një gjyqtar që ka statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pezullohet dhe është jashtë kritereve. Këtë pezullim mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese ose Kolegji i Posaçëm i Apelimit,” tha atëherë avokati Jordan Daci.

Mbrojtja e Dacit pretendoi se ai nuk kishte detyrim të deklaronte arsyet e largimit nga detyra në vitin 1997, ndërkohë që kjo masë sipas tyre ishte parashkruar.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit, Luan Daci arriti të kalonte filtrat e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga një garë për gjyqtar në KLD për shkak të shkarkimit të vitit 1997 – duke siguruar një post në institucionin më të lartë të vetingut.

Zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë pasi atij i ishte refuzuar një kërkesë për t’u emëruar gjyqtar në Tiranë, me arsyen se ishte shkarkuar më parë nga gjyqësori.

Në aplikimin për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Daci akuzohet se ka fshehur periudhën që ka punuar si gjyqtar në vitet 1994-1997 si dhe masën disiplinore të largimit nga detyra në vitin 1997. Në seancën dëgjimore përballë komisionit Ad Hoc në Parlament, Daci deklaroi pas disa pyetjeve se ishte larguar me dorëheqje nga gjyqësori për shkaqe politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *