Gjykatësja Alma Kolgjoka përballet pa probleme me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Kryetarja e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka u hetua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në të tre kriteret, ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar i vuri në dukje vonesat e çështjeve në gjykatën të cilën ajo drejton dhe i kërkoi të bënte diçka për të ndryshuar situatën. Kolgjoka kërkoi konfirmim në detyrë.

Gjatë seancës dëgjimore për Kryetaren e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka

Vonesat në shqyrtimin e çështjeve në Gjykatën e Krujës, në të cilën ajo është kryetare ishin ndër çështjet për të cilat u pyet gjykatësja Alma Kolgjoka, gjatë seancës së rivlerësimit  të premten. Kolgjoka pranoi vërejtjen e vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs në lidhje me vonesat të konstatuara gjatë zbatimit projektit “Drejtësi pa Vonesa” në gjykatë, por tha se në bashkëpunim me USAID-in, Ministrinë e Drejtësisë dhe KLD-në kishin arritur rezultate të mira për të shmangur zvarritjen e çështjeve.

Ndërkohë sa i përket punës së saj si gjyqtare, relacioni ndaj Kolgjokës nuk vuri në dukje probleme. Kolgjoka është shortuar nga KPK si pjesë e drejtuesve të gjykatave. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Suela  Zhegu kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, vlerësoi Kolgjokën për të tre kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi u shpreh gjatë seancës dëgjimore se, pavarësisht të dhënave të siguruara nga institucionet përkatëse, KPK, ka kryer një hetim të pavarur për të tri kriteret.

Sipas Bekteshit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka depozituar rapotin për deklarimin e pasurisë së gjyqtares Kolgjoka sipas të cilit ajo ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme për pasurinë e saj, nuk ka kryer deklarime të rreme apo fshehje pasurie si edhe nuk ka konflikt interesi.

Bekteshi theksoi se KPK kreu hetim të thelluar për pasurinë e gjyqtares Kolgjoka bazuar edhe në prova të reja prej nga është konstatuar blerja e një autoveture në vlerën e 3999 eurove në dhjetor të vitit 2014 nga ana e bashkëshortit të saj.

Sipas KPK, autovetura ishte në pronësi të bashkëshortit të gjyqtares, i cili e ka shitur në vitin 2018. Nga verifikimet e kryera nga komisioni është konkluduar se çifti Kolgjoka ka pasur burime të ligjshme dhe të mjaftueshme për për blerjen e kësaj makine.

Tjetër pasuri e konstatuar nga komisioni ka qenë edhe një shtëpi private në proces legalizimi. Ka rezultuar se shtëpia është ndërtuar në vitin 1995 nga vjehrri i gjyqtares dhe aplikimi për legalizimin është kryer në vitin 2005 nga bashkëshorti i dhe babai i këtij të fundit. Komisioni ka konstatuar se gjyqtarja Kolgjoka ka lidhur kurorë me bashkëshortin e saj në vitin 2011, gjashtë vite pasi ishte kryer nga aplikimi për legalizimin e shtëpisë së vjehrrit të saj. Ndërkohë, gjatë viteve në vazhdim nuk ka rezultuar të ketë pasur ndonjë aplikim për ndërtime shtesë.

Lidhur me deklarimin e 200 mijë lekëve cash të gjendura në shtëpi, komisioni ka konklduar se bashkëshortët Kolgjoka kanë pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme. Komisioni ka kryer analizë financiare edhe për depozitën në vlerën e 2 milionë e 100 mijë lekëve në Raiffeisen Bank, prej nga është konkluduar se subjekti ka deklaruar gjendjen cash si edhe shpenzimet e tjera në deklaratat e saj periodike dhe se ka pasur burime të ligjshme e të mjaftueshme për pasuritë e mësipërme, nga paga e saj dhe e bashkëshortit.

Lidhur me pastërtinë e figurës, relatorja Bekteshi u shpreh se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e vlerësuar gjyqtaren Kolgjokaj të përshtatshme për të vazhduar detyrën.

Për aspektin profesional, është analizuar raporti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, i bazuar në verifikimin e tetë dosjeve, tre të zgjedhura nga vetë gjyqtarja Kolgjoka dhe pesë të tjera të përzgjedhura me short. Nga verifikimi i këtyre dosjeve është konstatuar se gjyqtarja ka respektuar afatet e gjykimit dhe të drejtat e palëve. Gjithashtu është konstatuar se edhe vendimet e ndërmjetme janë të pasqyruara të plota. Lidhur me pozicionin e saj si kryetare, janë konstatuar aftësi organizative dhe drejtuese.

Relatorja Bekteshi shtoi se ndaj gjyqtares janë kryer pesë denoncime, por, njëri ka pasur të bëjë me një çështje të gjykuar nga një tjetër gjyqtar. Ndërsa për raset e tjera i është kërkuar mendim KLD-së dhe i janë kërkuar shpjegime subjektit, u shpreh relatorja Bekteshi. Vetë gjyqtarja Alma Kolgjoka deklaroi se ishte dakort me konstatimet e komisionit dhe se nuk kishte diçka për të shtuar.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs ju drejtua gjyqtares Kolgjoka lidhur me një konstatim gjatë zbatimit të projektit “Drejtësi pa vonesa” të aplikuar edhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë që kishte të bënte që kishte të bënte me numrin e madh të çështjeve të zvarritura. Ai tha se ajo në cilësinë e kryetares së gjykatës së bashku edhe me kolegët e saj mund të bënin diçka për ndryshimin e kësaj situate.

Gjyrtarja Kolgjoka u shpreh se është e vërtetë se gjatë zbatimit projektit “Drejtësi pa Vonesa” u konstatua një situatë jo  favorshme, por tha se tashmë ishte punuar për të shmangur zvarritjen e çështjeve. Në fund ajo kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK do të shpallë vendimin e saj më datë 17 dhjetor, ora 09:15.