Gjyqtari Ahmet Jangulli përballet me akuza për pasurinë, favorizime dhe zvarritje të gjykimeve

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Gjyqtari i gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli u përball me problemet e evidentuara në të tria kriteret e rivlerësimit, ndërsa ai kundërshtoi analizën financiare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Gjyqtari i gjykatës administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli në seancën dëgjimore. Foto: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ahmet Jangulli, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Shkodrës u përball të mërkurën me një bilanc negativ të hetimit administrativ për të tria kriteret e rivlerësimit, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për mosjustifikim të pasurisë, favorizim të një pale në proces, zvarritje të përsëritura të gjykimit dhe në disa raste, mungesë të etikës.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin Jangulli, i cili është njëherazi edhe kandidat i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, u zhvillua në një sallë të ngushtë në ambientet e KPK-së, ndërsa trupi gjykues drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, relatorja Brunilda Bekteshi dhe anëtarja Suela Zhegu.

Gjyqtari Jangulli i kundërshtoi raportet e institucioneve ndihmëse dhe hetimin e thelluar të KPK-së me një raport alternativ të të ardhurave dhe shpenzimeve, u mbrojt me argumentin se i kishte sqaruar problemet në dy hetime të mëparshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe shigjetoi Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për mosvënie në dijeni ndaj ankesave që kishte marrë për të.

Ai mbrojti idenë se të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes me profesion notere janë të ligjshme, edhe pasi u vendos përballë dy deklaratave të ndryshme të të njëjtit vit të paraqitura në Drejtorinë e Tatimeve të Dibrës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

I furnizuar me raporte negative nga ILDKPKI, DSIK dhe Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal te hetimet e veta të thelluara për të tria kriteret e rivlerësimit si dhe pretendimet e paraqitura nga gjyqtari Jangulli gjatë hetimit administrativ.

Relatorja Brunilda Bekteshi tha në seancë se gjyqtarit i kishte kaluar barra e provës për një automjet “Mercedes Benz” me vlerë 1.1 milionë lekë, të përfituar nga shkëmbimi i makinës së tij të blerë për 570 mijë lekë në vitin 2005 si dhe huatë me vlerë 12 milionë lekë që gjyqtari Jangulli u ka dhënë pa interes personave të afërm të tij.

“Nga analiza financiare rezulton se subjekti nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për të blerë automjetin në vitin 2005,” tha relatorja Bekteshi. Ajo shtoi gjithashtu se Jangulli dhe bashkëshortja e tij kanë mungesë burimesh financiare të ligjshme për kursimet me vlerë 12 milionë lekë, të cilat më pas u janë dhënë hua tre personave të ndryshëm.

Gjithashtu, Komisioni evidentoi faktin se bashkëshortja e gjyqtarit nuk ka deklaruar një kredi me vlerë 700 mijë lekë në një bankë të nivelit të dytë, ku edhe rezulton si debitore.

Në mbrojtjen e tij, gjyqtari Jangulli u fokusua te kontestimi i analizës financiare të bërë nga KPK, ndërsa pretendoi se nuk ishte llogaritur paga e bashkëshortes së tij notere. Ai i cilësoi të gjitha pasqyrat financiare të gabuara dhe për rrjedhojë edhe konkluzionet të pasakta.

Jangulli nuk shpjegoi se si kishte përfituar një makinë dyfish më të shtrenjtë se ajo që kishte shmëbyer, ndërsa shtoi se për kredinë e padeklaruar, e shoqja kishte qenë vetëm dorëzanëse.

Kryetarja e trupit gjykues, Sanxhaktari tha se pretendimet e gjyqtarit po shqyrtohen nga Komisioni dhe se do të bëhen pjesë e vendimarrjes.

Dyshimet mbi pasurinë u pasuan në seancë nga raporti i DSIK-së, përmes së cilit gjyqtari Jangulli konsiderohet i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Në seancë u lexua një pjesë e deklasifikuar e raportit, ku ngrihej dyshimi se gjyqtari së bashku me një prokuror kishin favorizuar një punonjës të gjendjes civile të akuzuar për shpërdorim detyre dhe dy të pandehur të tjerë të akuzuar për falsifikim pasaportash në këmbim të mitës.

Procesi gjyqësor i këtij rasti ishte zhvilluar në vitin 2004, kur gjyqtari Jangulli kishte pyetur prokurorin nëse kishte akte të tjera dhe prokurori e kishte konfirmuar një fakt të tillë. Në seancën pasardhëse, prokurori ka mohuar të kishte akte shtesë për shqyrtim.

Gjyqtari Jangulli u vendos përballë dyshimeve për lehtësimin e akuzës për ish-punonjësin e gjendjes civile dhe për pasojë, dënimin e tij me 1 vit burgim për shpërdorim detyre. I pandehuri tjetër në këtë proces ishte shpallur i pafajshëm dhe i dyti ishte dënuar me gjobë 200 mijë lekë.

Gjyqtari Jangulli hodhi poshtë dyshimet për favorizim në këtë proces dhe tha se Gjykata e Apelit e kishte pushuar akuzën.

“Gjykata nuk ka lënë veprime të pakryera ose të ketë kryer akte jo-ligjore. Nuk kemi favorizuar kërkënd,” tha Jangulli në seancë, duke përsëritur se shteti nuk kishte pasur asnjë penalizim në Strasburg nga vendimet e tij.

Hetimi administrative për kriterin e aftësive profesionale ishte gjithashtu penalizues për gjyqtarin Jangulli, ndaj të cilit u tha se kishte pasur 16 ankesa në KLD për zvarritje të gjykimit apo mungesë të etikës në sallën e gjyqit; gjashtë prej të cilave ishin arkivuar dhe 10 të tjera ishin verifikuar në të shkuarën.

“Dy prej ankesave kanë qenë për shkelje etike dhe komunikim me ton të lartë zëri,” tha relatorja Bekteshi në seancë.

Shumica e ankesave të lexuara në sallë lidheshin me zvarritjen e gjykimit përtej afateve ligjore, për të cilat Inspektoriati i KLD-së kishte dhënë ose vërejtje me shkrim ose i kishte justifikuar me ngarkesën e lartë në punë të gjyqtarit Jangulli.

Njëra prej ankesave vinte nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila e akuzonte gjyqtarin Ahmet Jangulli për zvarritjen e 5 çështjeve gjyqësore. Ankesa e Policisë së Shtetit u bë shkak për procedimin disiplinor të gjyqtarit Jangulli dhe kërkesën e ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e tij nga detyra në pranverën e vitit 2018.

Anëtarët e KLD-së votuan kundër kërkesës së ministres së Drejtësisë, me argumentin se ata nuk kishin më tagër për shkak të ndryshimeve ligjore që ta merrnin këtë masë.

Vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte marrë dy ankesa nga publiku në emër të gjyqtarit Jangulli, njëra prej të cilave ishte një CD e regjistrimit të një seancë ku gjyqtari akuzohej për ton të lartë dhe të papërshtatshëm.

Ndërsa evidentoi një pasaktësi për numrin e ankesave, gjyqtari Jangulli tha se Inspektoriati i Lartë i KLD-së kishte qenë në vazhdimësi jo-korrekt në raport me të. Ai argumentoi se nuk kishte zvarritur çështje, por kishte trajtuar padi komplekse dhe konflikte pronësie, ku lënda nuk ishte proces administrative.

“Nuk kam asnjë ankesë nga policia për zvarritje të gjykimit,” mohoi ai.

I pyetur nga gjyqtarja Bekteshi për ekzistencën e dy dokumenteve të ndryshme të të ardhurave të bashkëshortes në Tatime për të njëjtin vit, Jangulli u përgjigj se kjo parregullsi ishte korrektuar në vitet 2009 dhe 2014 në ILDKPKI.

“Një gjë të kesh të sigurtë, që nuk bëhet fjalë për të shmangur fitimin. Nuk ka asgjë të papaguar shtetit,” iu drejtua ai relatores Bekteshi.

Përgjigja e gjyqtarit Jangulli nuk e bindi relatoren, e cila kujtoi se barra e provës për të vërtetuar në mënyrë të besueshme të ardhurat e ligjshme ishte mbi të.

Pavarësisht problemeve të konstatuara në seancë, gjyqtari Ahmet Jangulli tha se gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ishte munduar që të respektonte në maksimum ligjet dhe se e shihte veten jo vetëm pjesë të sistemit të drejtësisë, por me cilësi për të konkurruar për institucionet e reja.

“Kam pasur modeste me burime të ligjshme,” tha gjyqtari, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallë vendimin për gjyqtarin Ahmet Jangulli më 5 tetor, ora 10.00.