Gjyqtari Ardian Dvorani del i pastër në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Anëtari i Gjykatës së Lartë u deklarua i pastër në justifikimin e pasurisë, në pastërtinë e figurës dhe në aftësitë profesionale ndërsa u detyrua të shpjegojë në hollësi mungesën e deklarimit të kursimeve familjare në deklaratën "veting", të cilat i kishte deklaruar më parë në raportet periodike vjetore.

Gjyqtari Ardian Dvorani | Foto nga : Gjergj Erebara

Gjyqtari Adrian Dvorani, 52 vjeç, anëtar i Gjykatës së Lartë që nga viti 2005, arriti të justifikojë me sukses pasurinë e tij [Link skeda e pasurisë] – të krijuara më së shumti nga paga, mësimdhënia si dhe nga paga e bashkëshortes së tij, në një seancë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zhvilluar në Tiranë më 23 korrik 2018.

Dvorani mori fillimisht një vlerësim negativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pasi nuk kishte deklaruar në deklaratën “veting” një shumë prej 9.9 milionë lekësh kursime të familjarëve të tij të mbajtura në banka, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe vetë Dvorani shpjeguan se këto kursime janë deklaruar në deklaratën periodike vjetore të subjektit ndërsa mosdeklarimi në deklaratën “veting” ka qenë pasaktësi dhe jo fshehje.

Dvorani disponon si pasuri një apartament 120 metra katrorë në Tiranë me vlerw 34,440 USD të blerë në vitin 2001 nga kompania Albtelekom, në atë kohë nën pronësi publike, ndërsa ai vetë dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar pronësinë e pjesëve të dy apartamenteve të privatizura nga familjet përkatëse në fillim të viteve 1990. Dvorani disponon gjithashtu një makinë Skoda Octavia, prodhim i vitit 2016, të cilën e ka blerë me kontratë kredie leasing.

Që të gjitha deklarimet e tij të pasurisë u shpallën të sakta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga kryetari Roland Ilia me anëtarë Entela Çiftja dhe relatore Firdes Shuli.

Në lidhje me mungesën e deklarimit të kursimeve në masën 9.9 milionë lekë, komisioni dhe subjekti Dvorani theksuan se ILDKPKI kishte shpallur “mosdeklarim pasurie” por nuk kishte kryer procedurën e informimit të subjektit deklarues dhe nuk i kishte dhënë mundësi atij të sqaronte shkakun e mosdeklarimit.

Vetë Dvorani mbajti një fjalim rreth 30 minuta të gjatë duke shpjeguar kuadrin ligjor dhe procedurat administrative duke kërkuar rrëzimin e pretendimit të ILDKPKI. Ai shpjegoi se për shkak se të njëjtat kursime janë deklaruar prej tij në deklaratën e vitit 2016 dhe për këtë arsye, mosraportimi në Deklaratën Veting përbën pasaktësi por jo fshehje pasurie. Komisioni doli në konkluzionin se subjekti i disponon burimet ekonomike të ligjshme për të justifikuar shumën prej 9.9 milionë lekësh depozitash bankare.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) në raportin e saj për komisionin bëri të ditur se nuk disponon informacion për kontakte të Dvoranit me elementë të krimit ndërsa Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dha gjithashtu opinion pozitiv për punën e tij si gjykatës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri të ditur se nga publiku ka pasur tetë denoncime, të cilat, pasi janë verifikuar, nuk kanë rezultuar me probleme.

KPK vlerësoi cilësinë e punës së tij si gjykatës “pranueshëm”.

Pyetur nga gazetarët pas seancës nëse ai kishte besim se komisioni do ta konfirmonte në detyrë, Dvorani tha se ai “kishte besim te kushtetuta dhe ligjet”.

Në seancë u shqyrtua me hollësi edhe lajmi i publikuar më parë “në media” për një konflikt të mundshëm interesi të Dvoranit në rastin e gjyqit civil për pronësinë e aksioneve të televizionit kombëtar Top Channel. Edhe në këtë rast u konkludua se Dvorani pati deklaruar dorëheqjen e tij nga çështja për shkak të miqësisë personale që ka me drejtorin aktual të Top Channel, Ben Blushi.

Vendimi për Dvoranin pritet të shpallet më 25 korrik.

Dvorani është diplomuar në vitin 1998 në Tiranë dhe ka punuar si prokuror në Shkodër në vitet e fundit të komunizmit. Nga viti 1991 ai ka punuar si drejtor në kompaninë INSIG sh.a, (në atë kohë nën pronësi publike) si dhe si avokat mes viteve 1994 dhe 1998.

Ai ka punuar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Ministrave në periudhën mars 1998- shtator 1999, sipas CV-së zyrtare, periudhë që përkon me qeverisjen e ish-kryeministrave Fatos Nano dhe Pandeli Majko. Ai ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë deri në shkurt 2015, kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë me propozim të presidentit Alfred Moisiu.

Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës së vitit 1998 ishte nëntë vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Mandati i Dvoranit ka përfunduar në vitin 2014, por ai po pret zëvendësimin. Zëvendësimi i tij duhet të kryhet pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ do të mund të krijohet pas përfundimit të procesit të vetingut për kandidatët për këtë këshill.

Emri i Dvoranit u fut në proces vetingu si pjesë e të ashtuquajturës “listë prioritare” për shkak të postit që mban si gjykatës i lartë. Ai është sulmuar disa herë nga Partia Demokratike në opozitë, si “ushtar i Edi Ramë

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.