Gjyqtari Arqile Basho shkarkohet nga detyra
Lajme

Gjyqtari Arqile Basho shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi kërkesën e gjyqtarit të Vlorës, Arqile Basho për riçeljen e hetimit me argumentin se ai nuk e kundërshtoi dot barrën e provës për pasurinë.

Vendimi i KPK per Arqile Basho | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë. Kryesuesi Olsi Komici sqaroi se Basho ishte njoftuar për seancën, por nuk kishte paraqitur ndonjë arsye për mosprezencën e tij. Gjithashtu, Komici njoftoi se ishte rrëzuar kërkesa e subjektit për riçeljen e hetimit pasi nuk ishte përmbysyr barra e provës.

Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 9 dhjetor Basho dha shpjegime për mungesat financiare të konstatuara nga KPK, si dhe për dyshime për fshehje të pasurive. Gjithashtu ai u përball edhe me një raport negativ për figurën.

Megjithëse Basho kërkoi të konsideroheshin në analizën financiare të ardhurat e deklaruara në vite si të përfituara nga bujqësia, Komisioni i konsideroi të paprovuara këto pretendime.

Basho e kundërshtoi edhe konstatimin e DSIK se nuk kishte deklaruar një procedim penal të regjistruar ndaj tij në vitin 2915 për shpërdorim detyre. Ai sqaroi se në deklaratën “veting” e kishte paqyruar faktin se ishte kallëzuar disa herë dhe se në të gjitha rastet ishte vendosur mosfillimi ose pushimi hetimeve.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Basho u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Arqile Basho e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës gjyqtar dhe në vitin 2000 është emëruar si gjyqtar. Ai e ka ushtruar funksionin në gjykatat e Tepelenës, të Gjirokastrës dhe prej vitit 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *