Gjyqtari Astrit Shema, para fillimit të seancës dëgjimore nga KPK. Foto:Vladimir Karaj
KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari Astrit Shema përballet pyetje për mungesë burimesh dhe mosdeklarime në KPK

Kreu i Gjykatës Administrative të Vlorës Astrit Shema u gjend përballë një sërë pikëpyetjesh mbi pasurinë dhe iu vu në dukje mungesë burimesh në mbi 5.2 milion lekë. Shema kundërshtoi gjetjet e KPK, ndërsa tha se një nga personat e cilësuar të lidhur kishte refuzuar t’i jepte dokumentacion.

Gjyqtari Astrit Shema, para fillimit të seancës dëgjimore nga KPK. Foto:Vladimir Karaj

Kreu i Gjykatës Administrative të Vlorë Astrit Shema u përball me një raport negativ gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Shema, i cili doli para një Komisioni të drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine, u vu përpara një raporti negativ të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, i cili e kishte gjetur atë me deklarim të pasaktë, mungesë burimesh, fshehje pasurie dhe probleme të tjera.

Relatorja Çiftja vuri në dukje se hetimi i pavarur i Komisionit kishte provuar një pjesë të mirë të këtyre gjetjeve të ILDKPKI-së, ndërsa tha se subjekti kishte dhënë deklarime kontradiktore në pyetësorë dhe nuk kishte deklaruar disa pasuri përfshi llogari bankare page të të birit dhe të bashkëshortes. Nga analiza financiare kishte rezultuar mungesë burimesh për një sërë vitesh. Relatorja përmendi 4 vitet mungesat më të mëdha që shkonin sëbashku në rreth 5.2 milion lekë, ndërsa tha se kishte mungesa edhe në vite të tjera.

Në një mbrojtje me ngjyra, që shkaktoi të qeshura edhe te anëtarët e trupës, shpesh të paqartë për shkak të ndërrimit të argumentit dhe detajeve që nuk dukeshin se kishin lidhje me çështjen, Shema kundërshtoi gjetjet e KPK. Ai tha se kishte bërë një ekspertizë të vetën financiare dhe se Komisioni nuk kishte marrë parasysh pagat e tij dhe të bashkëshortes. Ai po ashtu kundërshtoi llogaritë e shpenzimeve edhe pse iu vu në dukje nga relatorja se ato ishin marrë siç ishin deklaruar prej tij në pyetësor.  Shema tha se një nga personat e cilësuar të lidhur me të cilin ai nuk kishte kontakte i kishte kthyer përgjigje përmes një të treti se “Nuk i interesonte nëse e shkarkonin nga puna” dhe se nuk do i përgjigjej pyetjeve të Komisionit.

Shema ka filluar punë në sistemin e drejtësisë që prej mesit të viteve 90’, si gjyqtar e drejtues Gjykate në Përmet dhe më pas në Gjirokastër e prej vitit 2013 si Kryetar i Gjykatës Administrative të Vlorës. KPK bëri me dije se ai ishte hetuar vetëm për kriterin e pasurisë, ndërsa gjatë diskutimeve doli që kërkesa të tij të mëparshme, që u përsërit në seancë, për të rihapur hetimet në dy kriteret e tjera, ishin rrëzuar.

Mungesa e burimeve

Relatorja vuri në dukje se pasuria e parë e Shemas ishte një apartament në Përmet i përfituar si i pastrehë në vitet 90’. Apartamenti ishte blerë për 936 mijë lekë. Por për të nuk u konstatuan probleme. Çiftja tha se në lidhje me këtë apartament subjektit i ishte kaluar barrë prove, për mungesën e dokumentacionit për të ardhurat nga qiraja në vlerë 230 mijë lekë.

Edhe pse nuk kishte barrë prove për këtë apartament, Shema shpjegoi mënyrën e përfitimit të tij, ndërsa tha se ende nuk kishte paguar 60 mijë lekë nga kredia e butë prej Entit Kombëtar të Banesave. Ai ndërkohë nuk dha shpjegime për sa i përket dokumenteve mbi qiranë.

KPK vuri në dukje se Shemas i kishte kaluar barrë prove për blerjen e një trualli në Tiranë në bashkëpronësi me disa persona të tjerë, për të cilën Shema kishte paguar 975 mijë lekë, ndërsa në total kishte kushtuar 3.9 milion lekë.

Komisioni tha se Shema kishte mungesë burimesh për të bërë shpenzimet dhe investimin me të ardhurat deri në vitin 2002 për shumë prej 975 mijë lekësh dhe kishte mungesë dokumentacioni për të ardhurat e ligjshme të bashkë-investitorëve.

Shema e kundërshtoi këtë gjetje të KPK. Ai tha se  nuk i ishin llogaritur pagat e tij për 5 vjet dhe bashkëshortes për 3 vjet deri në vitin 1993. Ai tha se ishte paguar me 8500 dhe 9000 lekë rrogë si inxhinier në Memailaj dhe po ashtu bashkëshortja kishte punuar si ekonomiste me një pagë të mirë.

Ai pretendoi se kishte një keqkuptim në mënyrën se si ishin llogaritur për këtë periudhë 5 mijë euro shpenzime arredimi për apartamentin në Përmet. “Atëherë euro nuk kishte fare”, tha Shema, edhe pse siç doli nga komunikimi kjo kishte qenë forma që ai e kishte deklaruar arredimin. Shema tha se ai kishte pasur moblije edhe më herët dhe se këto nuk ishin llogaritur.

Mbi këtë truall Komisioni tha se ishte ndërtuar një godinë 5 katëshe, nga një kat për secilin pjesëtar në investim. Sipas relatores për godinin kishte një sërë deklarimesh kontradiktore, kryesisht mbi kohën dhe vlerën e investimit, ndërsa mungonin dokumentet mbi burimin e ligjshëm të personave të lidhur.

KPK po ashtu tha se Shema në mjaft raste nuk kishte deklaruar burim për investimet e kryera dhe se qëndrimet e tij për datat ishin të ndryshme në pyetësorë dhe të ndryshme për institucione si ALUIZNI. Relatorja tha se Komisioni i ishte referuar një analize në Google Earth që tregonte se godina kishte filluar në vitin 2003 dhe kishte përfunduar në vitin 2006.

Sipas Komisionit Shema kishte investuar 60 mijë euro në këtë ndërtim. Ai kishte deklaruara si burime një hua 10 mijë euro dhe një kredi 30 mijë euro. Por relatorja tha se sipas dokumentacionit ato nuk ishin të lidhura me këtë investim. Po ashtu u vu në dukje se nuk kishte dokumente justifikues për personat e lidhur. Dhe se ishte me mungesë burimesh për të paktën tre vite në të cilat ishte kryer investimi në shumat 2.2 milion, 1.5 milion dhe 941 mijë lekë. KPK tha se Shema nuk kishte deklaruar shpenzimet për këtë investim në vitet 2003 dhe 2004. Po ashtu investimi i llogaritur mbi deklarimet vjetore rezultonte 51 mijë euro.

Shema kundërshtoi gjetjet e KPK për kohën e punimeve. Ai iu referua një analize në Google Earth që sipas tij tregonte se godina kishte pasur ndryshim volumesh edhe në vitin 2008 dhe këmbënguli se në vitin 2003 vetëm ishte hapur gropa për themelet. Ai tha se nuk kishte marrë pjesë në investimin në vitin e parë, edhe pse kur u pyet specifikisht për këtë nuk dha shpjegime se pse kjo pjesë e investimit ishte paguar nga ortakët dhe pse s’kishte qenë pjesë.

Shema tha se ishte përfshirë në investim nga djali i hallës dhe se ai kishte qenë mirënjohës që e kishin përfshirë, por se nuk mund t’u kërkonte burimin e të ardhurave personave të lidhur. Ai tha se kundërshtonte përcaktimin e tyre si persona të lidhur, ndërsa tha se një prej bashkë investitorëve që jetonte në Britani nuk kishte pranuar t’i jepte informacion. “Nuk kam folur vetë me të, por një person tjetër. I ka thënë nuk më duhet fare nëse e shkarkojnë nga puna”, tha Shema.

Ai pretendoi se personi tjetër kishte fëmijët në shkollë në Britani dhe kishte përfitime nga shteti atje, për këtë nuk donte të deklaronte të ardhurat. “Jo se nuk i ka me punë të ndërshme, me punë të ndershme i ka”, tha Shema.

Për një tjetër person të lidhur Shema tha se punonte në Zakinthos në Greqi dhe se atje “kishte turistë, kryesisht britanikë” dhe se personi i kishte të ardhura.

Ngaqë KPK vuri në dyshim se kredia e marrë ishte përdorur për ndërtimin në fjalë, pasi kredia ishte marrë për rikonstruksion dhe koha e marrjes sipas Komisionit nuk ishte e lidhur me investimin, Shema pretendoi se nuk e kishte lexuar kontratën e kredisë. Ai tha se kontrata ishte marrë për ndërtim sepse ai nuk kishte pasur çfarë të rikonstruktonte, pasi shtëpia nuk kishte përfunduar. Kryesuesja e trupës i tha se ishte e vështirë që të besohej që një gjyqtar firmos një kontratë kredie, pa e lexuar më parë atë.

Shema nuk shpjegoi qartësisht pse në deklarimet e bërë vlera e investimeve ishte 51 mijë euro dhe në deklaratën veting kishte thënë 60 mijë euro. Ai tha se kishte shkuar në shtëpi, por atë ditë nuk kishte qenë gruaja dhe kishte numëruar mobiljet deri dhe lugët dhe kishte dalë me atë vlerë.

KPK vuri në dukje se Shema nuk kishte pasur të ardhura për të blerë një makinë 800 mijë lekë, ndërsa vuri në dyshim çmimin e makinës, e cila ishte shitur disa vite më pas për 5 mijë euro. Nga dëshmia e Shemas doli se makina 7 muaj para se të blihej prej tij, ishte blerë prej shitësit mjaft më shtrejt. Shema në fjalën e tij pretendoi se çmimi i makinës binte me 40 për qind në momentin që ajo ndizej për herë të parë. “Nuk ja mora me zor”, tha ai për shitësin, ndërsa pretendoi se nuk e njihte.

Për ungesën e burimit për 800 mijë lekë Shema shpjegoi se makinën kishte kërkuar t’ia blinte e shoqja si dhuratë për ditëlindje, por se ishte e vërtetë që në moment nuk kishte pasur të gjithë shumën. Ai tha se kishte marrë borxh kunatit dhe se e kishte shlyer brenda atij viti dhe për këtë nuk e kishte deklaruar.

Nga relatimi rezultoi se Shema nuk kishte provuar të ardhurat e kunatit të tij A.O i cili i kishte dhënë dy herë hua, respektivisht 10 mijë dhe 27 mijë euro, dhe kishte vënë si garanci shtëpinë për të. KPK tha se kishte hetuar për shtëpinë, të cilën Shema e përdorte në Vlorë.

Komisioni tha se nuk ishte deklarua një sipërfaqe prej 4 mijë metrash tokë e trashëguar në Përmet. Shema pretendoi se kishte 1/40 pjesë të tokës me trashëgim nga gjyshi, por nuk kishin dokumente, pasi pronësia nuk ishte fituar asnjëherë.

Ai u gjet nga Komisioni se nuk kishte deklaruar llogaritë bankare të pagave të djalit dhe bashkëshortes, kjo e fundit në një shumë të vogël. Shema cilësoi si lapsuse disa nga mosdeklarimet.

Analiza financiare që e nxirrte Sheman me mungesa në disa vite për një total të përmendur në seancë prej 5.2 milion lekësh. Relatorja përmendi edhe disa vite të tjera me mungesa më të vogla, por pa vënë në dukje shifrat.

Shema kundërshtoi analizën duke cituar nga ekspertiza e porositur prej tij sipas të cilës analiza ishte e gabuar për shkak të kohës në të cilën llogaritej se ishte bërë investimi dhe për shkak të moskonsiderimit të kredisë si burim për investimin. Shema tha se nuk kishte udhëtuar shumë jashtë shtetit, përveç disa udhëtimeve në Janinë, që siç tha ai ishte afër dhe disa vende të tjera të Ballkanit.

I pyetur nga relatorja për kohën e hyrjes në shtëpinë e re dhe kohën e ndërtimit Shema iu referua bestytnive të së shoqes dhe tha se kishin hyrë më 31 maj 2008. Në fund ai kërkoi rihapje të hetimeve edhe në dy kriteret e tjera dhe konfirmim në detyrë, ndërsa tha se ishte ndër të paktën gjyqtar që jepnin vendime të arsyetura dhe se vendimet e tij nuk ishin prishur në gjykatat më të larta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *