Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Bledar Abdullai përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit

Hetimi administrativ i KPK-së konstatoi pasaktësi në deklarime dhe probleme me pasurinë e bashkëjetueses së gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai, i cili kandidon edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor.  

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance të mëparshme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai u përball në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të enjten, i shoqëruar nga avokati Artan Hajdari. Ai është pjesë e listës prioritare të vetingut, për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI e ka certifikuar të saktë dhe në përputhje me ligjin deklarimin e pasurisë nga ana e subjektit të rivlerësimit. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar në këtë proces nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu konstatoi se gjyqtari Abdullai nuk kishte plotësuar të gjitha detyrimet ligjore për deklarimin e pasurisë.

KPK konstatoi deklarim të saktë për pjesët takuese në një apartament në Berat si dhe një sipërfaqe toke dhe një ullishte në Kutalli të Beratit, prona të cilat gjyqtari i ka deklaruar që në vitin 2003. Por hetimi administrative ka zbuluar se gjyqtari Abdullai nuk ka deklaruar investimet në një fond privat pensionesh të babait dhe nënës së tij.

Të dhënat e analizuara nga BIRN për gjyqtarin Abdullai tregojnë se pas deklaratës fillestare ai nuk ka deklaruar asgjë tjetër deri në vitin 2016, kur pjesë e deklarimit të tij është bërë edhe bashkëjetuesja me profesion notere.

Pasuria e bashkëjetueses u analizua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili konstatoi se burimi i këtyre pasurive nuk është i qartë.

Më saktësisht, bashkëjetuesja e gjyqtarit Bledar Abdullai ka deklaruar një apartament 118 metra katrorë dhe një garazh 20 metra katrorë në Tiranë, të blera respektivisht për 7.7 milionë lekë dhe 14 500 euro. Gjithashtu, ajo ka deklaruar edhe një apartament me sipërfaqe 98.3 metra katrorë në Golem me vlerë 50 mijë euro si dhe një automjet Toyota me vlerë 1.4 milionë lekë.

Hetimi administrativ i kryer nga KPK ka konstatuar se bashkëjetuesja e gjyqtarit ka përfituar apartamentin dhe garazhin përmes një kontrate shkëmbimi me të motrën. Komisioni konstatoi se më parë, ajo kishte lidhur fillimisht një kontratë porosie për blerjen e një apartamenti, një zyre dhe një garazhi në vlerën e 192 mijë eurove dhe se kishte paguar më shumë se 100 mijë euro në vitin 2008. Por kontrata e sipërmarrjes ishte ndryshuar me pretendimin se kompania nuk i kishte përmbushur detyrimet e saj.

Nga analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në përfundimin se partnerja e gjyqtarit Abdullai ka pasur mungesë burimesh financiare në vlerën e 900 mijë lekëve për transaksionin e mësipërm.

Si gjyqtari Abdullai ashtu edhe përfaqësuesi i tij ligjor argumentuan përpara trupit gjykues se bashkëjetuesja ka pasur të ardhura të mjaftueshme dhe aftësi paguese për pasurinë e mësipërme. Në fund të seancës dëgjimore, ai kërkoi konfirmimin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *