Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Bledar Abdullai shkarkohet nga vetingu

Gjyqtari i Tiranës nuk kishte deklaruar para të investuar nga prindërit në një fond investimi si dhe për mungesë burimesh ekonomike në lidhje me pronat e blera nga bashkëjetuesja e gjyqtarit.

Gjyqtari Bledar Abdullai gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 26 korrik 2018. Foto: LSA

Gjyqtari Bledar Abdullai i Gjykatës së Tiranës u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga  Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Vendimi u dha më 30 korrik 2018. Abdullai nuk kishte deklaruar asgjë në deklaratat vjetore të pasurisë nga viti 2004 deri në vitin 2016, vit në të cilin deklaroi për herë të parë pronat e bashkëjetueses së vet me vlerë afro 19 milionë lekë. [Link skeda]

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 26 korrik se burimi i krijimit të pasurisë së bashkëjetueses ishte i paqartë dhe se Abdullai nuk kishte deklaruar para të investuara nga prindërit e tij në një fond investimi.

Gjyqtari u prezantua gjatë procesit me avokatin Artan Hajdari dhe të dy patën kërkuar konfirmimin në detyrë.

Abdullai iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës me përparësi në kohë për shkak se kishte kandiduar për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucionit të ri që do të ketë për detyrë të rendisë kandidatët për gjykatë të lartë si dhe të kryejë emërimet e gjyqtarëve në gjykatat e ulëta dhe promovimet e tyre në gjykatat e apelit.

Nga lista me 14 kandidatë për KLGJ nga radhët e gjyqtarëve, Abdullai ishte i njëmbëdhjeti. Në dy ditët e ardhshme pritet që të dalin në seancë edhe tre kandidatët e mbetur, gjyqtarët Medi Bici, Brunilda Kadi dhe Dritan Hallunaj. Të 14 gjyqtarët e të gjitha niveleve kandiduan për 6 vende që do të mbajnë gjyqtarët në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Deri tani janë konfirmuar gjashtë, janë shkarkuar katër dhe është dorëhequr një prej kandidatëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *