Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Dritan Hallunaj drejt konfirmimit në detyrë

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit nuk ka konstatuar probleme serioze gjatë procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Dritan Hallunaj.

Gjyqtari i Gjykatës për Krimet e Rënda, Dritan Hallunaj, gjatë nje seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, i cili ka nisur sot seancën dëgjimore ndaj tij. | Foto : LSA

Dritan Hallunaj, gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda prej vitit 2003, u përball të martën në seancë dëgjimore me trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të udhëhequr nga Pamela Qirko si kryesuese, Genta Tafa Bungo si relatore dhe Suela Zhegu anëtare.

Gjyqtari Hallunaj është shortuar si pjesë e listës prioritare të KPK-së, për shkak të kandidaturës së tij për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Procesi i rivlerësimit ndaj tij është kryer për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtari ishte prezent gjatë seancës dëgjimore dhe ka zgjedhur të mos përfaqësohet nga një përfaqësues ligjor.

Si pjesë e këtij procesi, KPK ka administruar raportet për subjektin nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas raportit të ILDKPKI subjekti ka bërë deklarim të saktë pasurie, nuk ka fshehje pasurie, ka burime të ligjshme dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.

KPK gjithashtu ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur mbi një numër pasurish të deklaruara nga gjyqtari, ku përfshihet një apartament 165 m2 në rrugën Nikolla Tupe – blerë në vitin 2005 për 49 mijë euro, me burim kursimet familjare dhe një kredi prej 5 milion lekë; një makinë Mercedes Benz me vlerë 1 milion lekë, likuditet në bankë me vlerë 40,344 euro dhe llogari rrjedhëse 1400 euro, dhuratë në formë prike nga vjerri në vlerën 3 milion lekë në vitin 2006.

Sipas KPK-së për apartamentin 165 m2 në rrugën Nikolla Tupe në lagjen e ish Bllokut në Tiranë, të blerë nga subjekti ‘Best Konstruksion’ gjyqtarit i është kaluar barra e provës për sa i përket çmimit nën vlerën e tregut dhe një kontratë paralele me kompaninë ‘Scutari’ Sh.p.k në dosjen e kredisë me vlerë 2.2 milionë lekë. Në komunikimin me KPK gjyqtari Hallunaj e ka justifikuar vlerën e ulët të pronës me faktin e të qenit okazion për shkak të vështirësive financiare të firmës gjatë kohës së shitjes dhe shtesat pa leje ndërtimi të pallatit ku ndodhet apartamenti – i cili nuk është regjistruar në hipotekë akoma. Hallunaj shpjegoi se pas transferimit nga Shkodra në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, fillimisht kishte lidhur një kontratë me kompaninë ‘Scutari’, por pas daljes në skenë të apartamentit të Best Konstruksion – që ishte më i leverdishëm, ai e kishte anuluar kontratën me kompaninë e ndërtimit ‘Scutari’.

KPK me tej ka hetuar mbi një automjet tip Benz Merecedes të blerë në vitin 2011, me të ardhura nga kursimet dhe shitjen e një automjeti tjetër të së njëjtës markë. Sipas KPK gjyqtari ka pasur pasaktësi në raportimin e çmimit të blerjes dhe shitjes së automjetit të parë Benz.

KPK ka hulumtuar gjithashtu mbi likuiditet bankare me vlerë 40,344 euro dhe llogari rrjedhëse 1500 euro në Bankën Kombëtare Tregtare, BKT. Sipas deklaratave të pasurisë ky likuiditet bankar është krijuar kryesisht nga një dhuratë në kesh me vlerë 30 mijë euro nga babai i subjektit. Burim për këtë shumë për personin e lidhur Ferid Hallunaj ka shërbyer dhënia ndaj një subjekti ndërtues të një sipërfaqe prej 109 m2 në shkëmbim të 30 mijë euro, nga një pronë prej 900 m2 të kthyer nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitin 1996.

Sipas KPK-së personi i lidhur Ferid Hallunaj nuk ka paguar tatimin në burim për këtë të ardhur. Gjyqtari Hallunaj e pranoi faktin e konstatuar nga KPK, duke nënvizuar se ky detyrim i drejtë ishte paguar një ditë para seancës dëgjimore dhe depozitoi provat shkresore pranë sekretarisë.

Në përfundim të hetim administrativ për pasurinë e gjyqtarit, KPK ka hetuar edhe një dhuratë prej 3 milionë lekë në formë prike nga babai i bashkëshortes së subjektit, të deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2006. Sipas KPK-së personi i lidhur B.LL, me profesion stomatolog ka pasur aftësi paguese për këtë dhuratë në kesh, pasi deri në vitin 2006 ka pasur të ardhura me vlerë 17 milion lekë. Gjithashtu ndaj B.LL është kaluar barra e provës për investime në pasuri të paluajtshme me vlerë 153 mijë euro, te cilat ai i justifikon me të ardhurat të ligjshme si stomatolog nga viti 1995.

Për sa i përket vlerësimit të pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është shprehur për ‘përshtatshmërinë’ e gjyqtarit Hallunaj në raportin e saj. KLD gjithashtu ka dërguar një raport pozitiv për aftësitë e tij profesionale. Edhe dosjet e vëzhguara nga KPK nuk kanë zbuluar probleme procedurale në çështjet e gjykuara nga gjyqtari Hallunaj.

Në përfundim të seancës Hallunaj vlerësoi komunikimin me trupën gjykuese dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Vendimi për gjyqtarin Hallunaj do të shpallet të mërkurën 1 gusht, ora 9:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *