Gjyqtari Durim Hasa në seancën e dytë në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Durim Hasa përballet me raport negativ të DSIK pas hapjes së hetimit

Gjyqtari i Beratit, Durim Hasa kundërshtoi si të pavërtetë një raport papërshtatshmërie të DSIK-së për pastërtinë e figurës si dhe dha shpjegime për kriterin e profesionalizmit në seancën e dytë dëgjimore me KPK.

Gjyqtari Durim Hasa në seancën e dytë në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari Durim Hasa i Gjykatës së Beratit dha shpjegime në seancën e dytë dëgjimore në KPK për një raport papërshtatshmërie të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK si dhe për kriterin e profesionalizmit.

Hetimi administrativ për këto dy kritere u çel pas kërkesës së gjyqtarit Hasa në seancën e parë të 19 prillit, ku ai kundërshtoi barrën e provës për kriterin e pasurisë.

Trupi gjykues që po kryen pocesin e rivlerësimit për gjyqtarin Hasa kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian.

Relatorja Çiftja tha në seancë se DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e subjektit me dyshimin për veprime të paligjshme; veprime korruptive dhe ndikim të paligjshëm në një rast për favorizimin e një të pandehuri.

Komisioni ka analizuar dy çështjet e trajtuara nga DSIK; e para për lehtësimin e masës së sigurisë së një të pandehuri dhe në një vendimarrje të dytë, ku Hasa ka dalë në pakicë duke qenë dakord me kërkesën e të pandehurit.

Relatorja Çiftja sqaroi se vendimarrja e Hasës për zëvendësimin e masës së sigurisë për të pandehurin B.I., nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Vlorë pas ankimit të kryer nga Prokuroria dhe është kthyer për rigjykim.

“Duket se subjekti ka caktuar masë sigurie më të butë kur nuk plotësoheshin kushtet,” tha Çiftja në seancë.

Për rigjykimin e të pandehurit A.M. i dënuar më parë për “vjedhje me dhunë” dhe “vjedhje me pasojë vdekje” në bashkëpunim, Hasa ka dalë në pakicë duke pranuar kërkesën për gjykimin e shkurtuar.

Çiftja tha se nga hetimi duket se ka pranuar të takojë të afërm të të pandehurit dhe se ka favorizuar për pafajësinë e vjedhjes me dhunë.

“Takimi është pranuar edhe nga vetë subjekti,” shtoi relatorja, ndërsa vijoi se nga hetimi i kryer prej Komisionit, duket se konfirmon veprimet e evidentuara nga DSIK.

Pasi falënderoi Komisionin për hapjen e hetimit dhe për dy kriteret e tjera, gjyqtari Hasa e cilësoi të pabazuar dhe të pavërtetë raportin e DSIK-së.

“Kur e kam lexuar atë raport, nuk jam ndjerë asnjëherë aq i poshtëruar, kur thuhet lehtësisht i ndikueshëm nga krimi i organizuar,” tha Hasa, duke shtuar se udhërrëfyesi i tij ka qenë gjithmonë vetëm ligji.

Ai deklaroi se gjyqet shqyrtoheshin me avokatë dhe se nuk i përkiste atij çfarë deklaronin palët me njëra-tjetrën apo me të tretë.

“Avokatët i bëjnë pushimet në Spanjë, në brigjet e Oqeanit Antlantik, ndërsa unë marr bukë me vete së bashku me fëmijët. Këto llafe të avokatëve nuk mund të më cënojnë,” shtoi gjyqtari.

Lidhur me konstatimin e DSIK për mundësinë e ndikimit të tij nga krimi, Hasa solli në vëmendje një vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që tha se e kishte dorëzuar në Komision. “Aty tregohet se çfarë përpjekjesh kanë bërë palët të më kontaktojnë që të mund të ndikonin tek unë dhe nuk kanë arritur të ndikojnë,” theksoi Hasa.

Lidhur me lehtësimin e masës së sigurisë, Hasa pretendoi se vendimi i tij ishte i drejtë. Sipas tij, një prej veprave penale për të cilat akuzohej ishte vërtetuar se nuk ekzistonte dhe se përgjegjësia penale e të pandehurit ishte zbutur.

Hasa dorëzoi si provë një praktikë të Gjykatës së Beratit, ku sipas tij situata kishte qenë e njëjtë dhe ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë.

Lidhur me vendimarrjen në pakicë për pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar, Hasa këmbënguli se ai kishte pasur të drejtë dhe jo kolegët.

“Ata janë gjyqtarë që u dridhen duart. Po ta shikosh vendimin, kam qenë unë gjyqtari me duar të palidhura. Unë nuk jam gjyqtar lehtësisht i korruptueshëm, por jam i pakorruptueshëm,” shtoi ai.

Ai shpjegoi se kur kishte ndodhur ngjarja, ishte në fuqi Kodi i Procedurës Penale i vjetër dhe se, sipas përcaktimeve ligjore, zbatohej ai ligj që lehtëson pozitën e të pandehurit. “Vendimarrja ime në pakicë nuk erdhi se isha i ndikuar, por për ego profesionale e vendosa kështu,” sqaroi Hasa. “E kam parë veten si organi që jep drejtësi, pastaj si organ i luftës kundër krimit,”shtoi gjyqtari.

Lidhur me kontaktin që kishte pasur me xhaxhanë e të pandehurit, subjekti sqaroi në seancë se nuk e dinte këtë gjë. Hasa shpjegoi se e njihte xhaxhanë kohë më pare, kur kishin jetuar në Skrapar dhe se e kishte mësuar se ai ishte xhaxhai i të pandehurit pasi ishin ulur të bisedonin, por theksoi se nuk kishte pasur asnjë ndikim në vendimarrje.

Gjetjet për profesionalizmin

Nga tre dosjet e dorëzuara nga vetë subjekti në kuadër të pocesit të vetingut, është konstatuar një rast kur gjykimi ka përfunduar për 10 muaj, nga 6 muaj që ka qenë afati. Nga 5 dosjet e shortuara, në një rast ka rezultuar se është zhvilluar dy herë seanca përgatitore dhe se një seancë ka filluar para orarit duke sjellë mungesën e palëve.

Hasa deklaroi se shqyrtimi i çështjes së parë kishte zgjatur 10 muaj për aryse shëndetësore dhe të pushimve verore. Për çështjen tjetër, ai tha se padia ishte përgatitur keq dhe se mund të ketë pasur seancë përgatitore për të sqaruar.

Nga ankesat e kryera ndër vite pranë ish-KLD-së dhe në Ministrinë e Drejtësisë nuk janë evidentuar probleme. Gjithashtu, nga 24 denoncimet e kryera nga publiku, Komisioni ka konstatuar indicie për verifikim vetëm në dy çështje.

Dy denoncuese kanë pretenduar se nga një dosje gjyqësore për çështje prone janë hequr aktet nga ana e sekretareve gjyqësore dhe prej subjektit të rivlerësimit dhe se janë zëvendësuar me dokumente të tjera të falsifikuara.

Denoncueset kanë kryer edhe kallëzim penal për këtë pretendim, për të cilin Prokuroria e Lushnjës ka vendosur mosfillimin – por Apeli i Vlorës e ka kthyer për shqyrtim me argumentin se nuk janë kryer hetime. “Konstatohen mangësi në aktet e dosjes gjyqësore”, pohoi Çiftja.

Hasa shpjegoi se i dukej i çuditshëm qëndrimi i denoncueseve, pasi ai kishte gjykuar një çështje ku gjyshi i tyre kishte fituar të drejtën e pronave dhe ai ishte trashëgimlënësi i tyre. “Edhe vendimi i apelit është i çuditshëm. Ai nuk ka kapacitetin tim, por do ketë qenë nën presion,” pohoi Hasa për gjyqtarin e Apelit.

Ai tha se në dosjen e dërguar në Apel nuk mungonin fletët, pas harta nuk ishte në format A4 dhe kur ishte fotokopjuar ishte hapur.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Durim Hasa kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 qershor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *