Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Gjyqtari Hysni Demiraj u gjet nga KPK në “konflikt të hapur interesi”

Ish-kreu i Gjykatës së Apelit në Tiranë Hysni Demiraj u gjet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dy raste të konfliktit të interesit, përfshi një vendim në favor të përfaqësuesve të kompanisë prej të cilës bleu shtëpinë. Sipas vendimit të zbardhur për shkarkimin e tij 2 komisionerë dhanë dorëheqjen nga çështja. Demiraj kundërshtoi gjetjet e KPK.

Gjyqtari Hysni Demiraj pas shpalljes së vendimit të KPK-së. Foto:BIRN

Konflikti i interesit rezulton të ketë qenë tema kryesore e çështjes së vettingut ndaj kreut të shkarkuar të Gjykatës së Apelit në Tiranë Hysni Demiraj. Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se vetë hetimi i gjykatësit tashmë të shkarkuar pati një sërë peripecish, ndërsa dy komisionerë dhanë dorëheqjen për shkak të “konfliktit të mundshëm të interesit”.

Në vendimin e zbardhur rezulton se Demiraj u penalizuar për mos heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështjes me palë përfaqësues të kompanisë ku ai kishte blerë shtëpi dhe i një çështje ndaj njërit prej gardistëve të akuzuar për vrasjet e 21 janarit me të cilin rezultoi sipas një denoncimi të kishte pasur njohje.  Po ashtu e dyshuar për konflikt interesi ishte dhe shqyrtimi i një padie të ardhur nga Kruja.

Në fund KPK arsyeton se “Subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, rezulton i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale si edhe nga vlerësimi tërësor”. Në vendimin e zbardhur citohet se ai kishte cënuar paanësinë dhe besimin e publikut te drejtësia.

Ndërkohë po ashtu edhe trupa gjykuese që hetoi Demiraj pati probleme. Nga vendimi i zbardhur rezulton se megjithëse pas shortimit asnjë nga anëtarët nuk vuri në dukje konflikt të mundshëm interesi, dy prej tyre dhanë dorëheqjen.

Çështja ndaj Demirajt u përfundua nga një trupë gjykuese me kryesues Roland Ilia, relatore Pamela Qirko dhe anëtare Etleda Çiftja, ndërsa nga ajo u tërhoqën relatorja Firdes Shuli dhe zëvendësuesi i saj Olsi Komici.

Hysni Demiraj e ka filluar karrierën në fillim të viteve ’90 si hetues dhe më pas si prokuror në Tropojë. Në mesin e viteve ’90 ëshë emëruar gjyqtar në Gjirokastër, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2009, kur u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në vitin 2016 u zgjodh kryetar i kësaj gjykate, drejtimi i të cilës është shoqëruar me konflikt me anëtarë të tjerë të trupës gjykuese, një prej të cilëve me inicialet A.M. rezultoi një nga denoncuesit e tij kryesor ndaj tij.

Ndryshimet e trupës gjykuese

Sipas vendimit të zbardhur shorti për të filluar procesin e vettingut ndaj Demirajt u hodh në janar të vitit që shkoi. Në vendim nuk thuhet se cila ishte trupa gjykuese që u shortua, por saktësohet se asnjë prej anëtarëve nuk kishte konflikt interesi.

“U caktua me mirëkuptim kryesuesi, z. Roland Ilia, u deklarua mospasja e konfliktit të interesit nga asnjë anëtarë i këtij trupi, si dhe u vendos fillimi i hetimit administrativ, me qëllim kryerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin Hysni Demiraj”, thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Procesi i hetimit duket se ka vijuar normalisht deri në shtator 2018 kur një gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë, i identifikuar nga komisioni me inicialet A.M. bën denoncim ndaj kolegut Demiraj. Në të njëjtën ditë që protokollohet denoncimi relatorja Firdes Shuli bën kërkesë për dorëheqje për shkak “të konfliktit të mundshëm të interesit”.

Në vendimin e zbardhur nuk jepen shpjegime rreth kësaj situate. Aty rezulton se rolin e relatorit pas Shulit e ka marrë Olsi Komici, i cili po ashtu ka kërkuar dorëheqjen vetëm një muaj më vonë. Komici u zëvendësua nga Pamela Qirko, e cila përfundoi hetimin si relatore.

Konflikti i interesit

Hetimi ndaj Demirajt siç del nga vendimi nisi me një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Iformacionit të Klasifikuar (DSIK). Ajo e cilësoi gjyqtarin e shkarkuar të papërshtatshëm. Por në vendimin e zbardhur KPK arriti në një përfundim të ndryshëm duke e cilësuar atë të besueshëm.

Megjithatë ky konstatim nuk duket se ndryshoi shumë në fatin e çështjes. Komisioni ndërsa konstatoi se Demiraj nuk kishte kontakte me krimin e organizuar gjeti atë të cënueshëm sa i përket profesionalizmit dhe pasurisë duke rrëzuar raportin pozitiv të ILDKPKI.

Pasuria e vetme e paluajtshme në emër të gjyqtarit sipas KPK-së rezultoi me një sërë problemesh. Komisioni gjeti se apartamenti 141 metra katrorë dhe dhe garazh 29 metra katrorë ishin përfituar me çmim preferencial dhe se gjykatësi nuk qe në gjendje të justifikonte me burime të ligjshme krijimin e kësaj pasurie dhe as të provonte aftësinë e tij për të paguar dy hua të marra për këtë pasuri.

Nga hetimi Komisioni gjeti se Demiraj kishte blerë pasurinë me një çmim 412 euro për metër katrorë, ndërsa kontrata të tjera në të njëjtën godinë rezultuan të gjitha më të shtrejta. KPK po ashtu gjeti se ndryshe nga sa kishte deklaruar në vitin 2010 Demiraj kishte përfituar një sipërfaqe më të madhe garazhi, ndërsa çmimi i paguar kishte qenë më i ulët se ai i deklaruar fillimisht.

Komisioni pretendon në vendimin e zbardhur se këto ulje janë përfituar në vitin 2013 kur përfaqësues të kompanisë së ndërtimit kishin një çështje në Gjykatën e Apelit Tiranë, në të cilën Demiraj ishte gjykatës.

Nga hetimi KPK thotë se gjeti që çështja u zgjidh në favor të përfaqësuesve të kompanisë, ndryshe nga sa ishte vendosur në Gjykatën e Shkallës së Parë. “Subjekti ka finalizuar përfitimin e pasurisë së tij në korrik të vitit 2013, ndërsa ka gjykuar dhe është shprehur me vendim gjyqësor në shkurt të po këtij viti, në favor të njërës prej palëve ndërgjyqëse, që në linjë të drejtë janë përfaqësuesit e shoqërisë ndërtimore”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Demiraj e kundërshtoi këtë gjetje. Ai pretendoi se nuk kishte gjykuar çështje me palë kompaninë, por pranoi se kishte gjykuar çështje me palë të paditur përfaqësuesen e saj. Ai pretendoi po ashtu se çmimi nuk ishte preferencial se në atë pallat kishte kontrata të ngjashme, por KPK thotë se ai  nuk solli kopje të tyre.

KPK arsyetoi se “Paanësia e tij në këtë vendimmarrje është cenuar”. Në vendimin e zbardhur pasi ka hetuar gjithë dosjen Komisioni arrin në përfundimin se “në çështjen objekt gjykimi subjekti i rivlerësimit ka gjykuar duke qenë në konflikt të hapur interesi, përforcuar kjo me faktin se ai ka qenë ende debitor në shlyerjen e plotë të pasurisë së tij, apartament dhe garazh, ndaj njërës prej palëve të paditura, shtetasve D”, thuhet në vendim.

Gjatë seancës dëgjimore në të cilën pati edhe protesta ndaj tij, Demiraj i kundërshtoi gjetjet e KPK-së. “Unë jam kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pas 35 vitesh punë kam një gjysmë shtëpie dhe një post parkimi,” tha Demiraj. “Unë nuk kam shitur drejtësi dhe nuk kam futur duart në xhepat e shqiptarëve,” përsëriti disa herë ai.

Megjithatë KPK nuk qe e këtij mendimi. Komisioni theksoi se në këtë rast pala tjetër nuk kishte qenë në dijeni të këtij konflikti interesi dhe nuk ka pasur mundësi të kërkojë përjashtimin e tij, ndërsa theksohet se kishte dyshim të arsyeshëm se pas këtij vendimi Demiraj “ka përfituar pasurinë garazh në sipërfaqe më të madhe si dhe me çmim preferencial”.

Lirimi i njërit prej të arrestuarve për 21 janarin i denoncuar nga gjykatësi A.M po ashtu u pa si një konflikt i mundshëm interesi. Denocuesi i shkroi Komisionit se një prej gardistëve i arrestuar me akuzën e vrasjes gjatë protestës së opozitës më 21 janar, kur katër protestues humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u plagosën, u la i lirë nga Demiraj për shkak të njohjes që kishte me këtë të fundit.

“Njëri prej të pandehurve është liruar nga ky gjyqtar dhe Gjykata e Lartë e riktheu përsëri në burg. Korrupsioni ishte aq i hapur, sa ky i pandehur kishte qenë shofer i Prokurorisë Tropojë në kohën kur z. Hysni Demiraj ka qenë Oficer i Policisë Gjyqësore. Gjykimi është qartë i hapur në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt të plotë të interesit”, citohet denoncimi në vendimin e KPK-së.

Në mbështetje të këtij denoncimi rezultoi vendimi i Gjykatës së Lartë që e gjeti atë të marrë në zbatim të gabuar të Kodit të Procedurës Penale. “Gjykata e Apelit duket se i ka mëshuar themelit të çështjes, ndërsa çështja i takonte thjesht dhe vetëm caktimit të masës së sigurimit personal”, thuhet në vendim.

Një çështje civile në të cilën Demiraj ka qenë pjesë po ashtu u hetua me dyshimi e konfliktit të interesit. Komisioni gjeti se trupa gjykuese ku ishte anëtar Demiraj kishte vijuar gjykimin e çështjes edhe pas njoftimit se një prej palevë kishte vdekur dhe se dëshmia e trashëgimisë nuk ishte hapur. Komisioni arsyeton se çështja duhej të ishte pezulluar deri në hapjen e dëshmisë së trashëgimisë, por Gjykata e Apelit Tiranë ka vijuar shqyrtimi e saj duke u bazuar në certifikatat e gjendjes civile.

I pyetur për këtë çështje Demiraj duket se cënoi më shumë pozicionin e tij, ndërsa i paraqiti KPK-së deklaratën e njërës prej palëve ndërgjyqësuese që pretendonte se çështja ishte zgjidhur me pajtim.

“Komisioni, çmon se deklarata e marrë (në vitin 2018) pikërisht palës në gjykim (pavarësisht përfundimit të procesit gjyqësor), për të cilën edhe trajtohet shkelja e kryer, nisur nga funksioni që subjekti ushtron, krijon bindjen e një marrëdhënie me palën gjatë dhe pas gjykimit, fakt i cili rëndon pozitën e një funksioni të tillë”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.

Probleme të tjera të pasurisë dhe profesionalizmit

Ndërsa konflikti i interesit duke se vulosi fatin e Demiraj gjatë gjykimit të KPK, ai u penalizua edhe nga një sërë problemesh të profesionalizmit dhe të pasurisë. Komisioni gjeti se ai kishte qenë në pamundësi finaciare për të shlyer detyrimet e lindura prej blerjes së shtëpisë në vitin 2007.

Analiza finaciare gjeti atë me rreth 750 mijë lekë pamundësi për të paguar një hua 5 milion lekë të marrë nga një person i tretë edhe pse KPK pranoi të mos llogariste pagesë interesash. Komisioni që hetoi huanë e marrë gjeti se dhënësi i saj edhe pse kishte para në bankë nuk i kishte përdorur ato për këtë hua dhe nuk ishte në gjendje të dëshmonte burimin e ligjshëm të parave që kishte dhënë borxh Demirajt. Po ashtu u vu në dyshim edhe faktin se huaja që ishte marrë me interesa ishte paguar pa to.

“Për të gjithë arsyet e lartpërmendura, Komisioni, ka krijuar bindjen se subjekti edhe në marrjen e kësaj huaje është përfshirë në marrëdhënie pasurore preferenciale dhe se me veprimet/sjelljen e tij ka cenuar rëndë etikën e gjyqtarit, duke cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Po ashtu KPK gjeti se vëllai i subjektit nuk kishte pasur burim të ligjshëm të pasurive për të dhënë një hua 30 mijë euro në vitin 2013. “Përkundrazi, Komisioni, ka argumentuar se nuk provohet burimi i ligjshëm i krijimit të shumës 32.000 euro, shumë kjo e pretenduar se ka shërbyer si burim për huan e dhënë”, thuhet në vendimin e zbardhur.  KPK gjeti edhe se Demiraj nuk kishte pasur mundësi për të shlyer huanë e marrë nga vëllai.

Probleme u gjetën edhe në shqyrtimin e kriterit profesional përfshi mosdokumentimin audio të seancave gjyqësore. Sipas Komisionit seancat gjyqësore janë zhvilluar në sallë gjykimi, “por nuk është konstatuar në asnjë rast që ato të jenë dokumentuar me regjistrim audio, në funksion të transparencës dhe solemnitetit”.

KPK po ashtu vuri në dukje se ishin gjetur raste kur nuk tregohej e drejta e ankimit për palën në proces gjyqësor, mungonin akte për kalimin e çështjes në seancë dhe probleme të ngjashme që sipas Komisionit “janë evidente dhe kanë rezultuar të përsëritura në pesë dosje të kontrolluara”.

Komisioni thotë se Demiraj në parashtrimet e tij ka pranuar se “në raste të pakta është cenuar cilësia e arsyetimit të vendimit” dhe se “nuk janë përdorur të gjitha rekordet e gjuhës shqipe, pasi drejtshkrimi i saktë dhe përdorimi i duhur i shenjave të pikësimit është kërkesë themelore për të përfituar shkrim cilësor”, por kundërshtoi në tërësi gjetjet e Komisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *