Gjyqtari Bari Shyti pas vendimit të KPK. Foto:Edmond Hoxha.
KPK Lajme Vendi

Gjyqtari i Apelit Administrativ Bari Shyti, shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi se gjyqtari Bari Shyti kishte mungesë burimesh financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e pasurive zotëron. Ai u prit me protestë para seancës dëgjimore dhe u përball me një raport negativ të DSIK për figurën.

Gjyqtari Bari Shyti pas vendimit të KPK. Foto:Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Administrativ, Bari Shyti. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Shyti u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa(Bungo), me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjyqtari Shyti u prit me protestë teksa po hynte në seancën dëgjimore të martën, më 23 mars, kur disa qytetarë e akuzonin për korrupsion dhe kërkonin shkarkimin e tij. Pas shpalljes së vendimit, ai i kërkoi trupit gjykues të merrte masa për garantimin e sigurisë së tij në ambientet e ish-Pallatit të Kongreseve ku zhvillohen seancat dëgjimore të Komisionit, duke kujtuar se herën e kaluar kishte patur një “incident”.  Kryesuesja Genta Tafa(Bungo) i shpjegoi se masat e sigurisë garantohen nga Garda e Republikës dhe se duhej ta parashtronte kërkesën pranë këtij autoriteti.

Gjatë seancës dëgjimore u konstatua se Shyti rezultonte me bilanc negativ për pasurinë në vlerën totale 8.6 milionë lekë. Gjithashtu, ndaj tij kishte raport negativ për figurën nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, si dhe u identifikuan disa gjetje për profesionalizmin.

Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës. Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën Apelit Administrativ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *