Gjyqtari i Apelit, Ervin Metalla shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ervin Metalla, pas gjetjeve se ai kishte kryer një sërë transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, ndërkohë që gjyqtari nuk mori përsipër edhe barrën e provës për pasuritë e vëllait.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla pas përfundimit të seancës dëgjimore në KPK. Foto:LSA

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla mungoi në seancën e shpalljes së vendimit të hënën, që i dha fund karrierës së tij prej më shumë se dy dekadash në gjyqësor. Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari tha se gjyqtari Metalla shkarkohet për shkak të problemeve me pasurinë e tij.

Hetimi administrativ, i cili kulmoi me seancën dëgjimore të zhvilluar më 18 korrik zbuloi se gjyqtari Ervin Metalla kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit.

Sipas relatores Xhensila Pine, gjyqtari Metalla ka blerë një apartament 96.8 metra katrorë dhe një garazh 22 metra katrorë në vitin 2007 në Tiranë. Pasi ka paguar këstet e kredisë për gati 4 vite, gjyqtari Metalla në vitin 2011 ia ka kaluar kredinë bashkë me pronësinë e apartamentit të vëllait, ndërkohë që vazhdonte të banonte vetë aty. Sipas relatores së çështjes, subjekti i rivlerësimit i ka kryer këto veprime me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga BKT, “kredi të cilën nuk mund ta përfitonte pasi kishte ndërkohë një shtëpi dhe një kredi tregtare”.

Kredia lehtësuese financohet nga buxheti i shtetit dhe përfitohet përmes kritereve të mirëpërcaktuara. Njëra prej këtyre kritereve është financimi i apartamentit në qytetin ku ushtrohet detyra, kusht i cili duket se i ka krijuar andralla shtesë gjyqtarit Metalla.

Hetimi administrativ ka zbuluar se kredia lehtësuese është disbursuar në llogarinë e një kompanie private ndërtimi dhe është shoqëruar me një kontratë porosie për një apartament në Durrës. Në vitin 2012, kompania e ndërtimit i ka kthyer mbrapsht paratë në vlerën e 4.9 milionë lekëve përmes llogarisë bankare të babait të subjektit të rivlerësimit.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti nuk ka deklaruar në vitin përkatës shumën prej 4.9 milionë lekësh dhe as kalimin e saj në llogarinë bankare të babait të tij.

“Subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar destinacionin e kredisë lehtësuese në kundërshtim me kriterin e strehimit vetëm në vendin e punës. Ai ka aplikuar në mënyrë të pasaktë dhe ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë lehtësuese, e cila financohet nga buxheti i shtetit,” tha relatorja Pine.

Për shkak të transaksionit të kredisë me të vëllanë Eugen Metalla si dhe shitjes së një makine te subjekti i rivlerësimit, KPK ka verifikuar edhe pasuritë e vëllait në cilësinë e personit të lidhur; një apartament 55.8 metra katrorë në Tiranë me vlerë 44 mijë euro, një apartament i dytë me vlerë 13 500 euro si dhe investime në vlerën e 101 mijë eurove në bono thesari për vitet 2013-2016.

Si në komunikimin e mëparshëm me KPK-në ashtu edhe në seancën dëgjimore, gjyqtari Metalla refuzoi të merrte përsipër barrën e provës për pasuritë e të vëllait, duke pretenduar se “nuk ishte person i lidhur” dhe se nuk kishte asnjë lidhje me pasuritë e tij.

Gjyqtari Metalla, i cili preferoi të mbronte veten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u mbrojt me argumentin se kishte aplikuar për kredi të butë që në vitin 2006, por dokumentimin e këtij fakti nuk e gjente askund përveç arkivës së tij personale.

“Ironikisht duket sikur unë i kam ndërtuar një kurth vetes sime për të përfituar kredinë lehtësuese,” tha Metalla, ndërsa këmbëguli fillimisht të fliste në këmbë. “Mendoni për një moment sikur kjo kredi të mos ishte marrë, unë do të kisha të njëjtin apartament në “Qytetin Studenti” që kam edhe sot,” shtoi ai më tej.

Pasi kredia dhe pronësia e apartamentit i kaluan të vëllait, gjyqtari Metalla tha se firmosi një deklaratë noteriale në prill 2011 se “nuk kishte në pronësi asnjë banesë”. Ndërkohë, ai nuk e quajti shkelje të kriterit të kredisë faktin se jetonte në Tiranë me argumentin se Tirana dhe Durrësi janë vetëm 30 minuta larg.

Kalimin e padeklaruar të 4.9 milionë lekëve nga BKT te kompania e ndërtimit “Lugano” në Durrës dhe më pas mbrapsht në llogarinë e të atit, gjyqtari Metalla e shpjegoi me faktin se kjo shumë kishte destinacion të dyfishtë; edhe për financimin e apartamentit edhe likujditet vetëm për një kohë të kufizuar.

Ndërkohë, zgjidhja e kontratës me kompaninë Lugano dhe lidhja e kontratës me kompaninë Kamberi në Tiranë përmbyll transaksionet e tij, për të cilat tha se deklaroi vetëm kontratën përfundimtare.

E pyetur nga relatorja Pine se cila kishte qenë arsyeja e përdorimit të llogarisë së babait për transfertën e parave, Metalla u përgjigj se ishin dy.

“I depozitova përkohësisht, pasi i druhesha faktit se BKT mund të më prishte kontratën dhe se isha i paqartë se si do t’i deklaroja. Gjithçka u regullua në vitin 2012: arsyet janë thjesht dhe vetëm teknike”.

Gjyqtari u ndal gjatë edhe te kërkesa e tij për ta përjashtuar nga barra e provës për pasurinë e të vëllait, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë marrëdhënie huaje apo dhurimi me të apo ndonjë lidhje me pasurinë e tij.

“Kam blerë vetëm një makinë prej tij, nuk ma ka falur. Ai e ka blerë 15 mijë euro dhe ma ka shitur 1.2 milionë lekë për shkakun e thjeshtë të amortizimit…,” tha Metalla.

“Unë s’kam asnjë lidhje me pasuritë e vëllait  tim. Ai ka 10 vjet biznes privat, ka galeri arti dhe bar kafe. Kërkoj që të mos e konsideroni person të lidhur me mua dhe mos më kaloni barrën e provës për të,” përfundoi ai.