Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Sokol Binaj konfirmohet në detyrë
Lajme

Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Sokol Binaj konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë gjyqtarin Binaj, pas kontrollit të ushtruar për të tre kriteret e rivlerësimit.  

Gjyqtari Sokol Binaj në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Sokol Binaj.

Trupa gjykuese e KPK-së që kreu rivlerësimin e gjyqtarit Binaj përbëhej nga Firdes Shuli kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Etleda Çifja anëtare.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të premten më datë 17 maj, relatorja Qirko u shpreh se Komisioni nuk kishte gjetur probleme me pasuritë e deklaruara; një apartament prej 62.9 m2 të blerë në vitin 1993 së bashku me të vëllanë dhe një automjet “Citroen C3”, blerë në vitin 2009 përmes një kontrate leasing. Sipas relatores, gjyqtari Binaj zotëron 100% të apartamentit pasi vëllai i ka falur pjesën e tij, ndërkohë që kredia për makinën rezulton të jetë shlyer.

Komisioni arriti në përfundimin se deklarimet e subjektit përputhen me gjetjet për të dyja pasuritë dhe analiza financiare e kryer ka rezultuar gjithashtu me bilanc pozitiv. Ndërkohë, lidhur me një apartament që i ka dhuruar e motra në vitin 2017, gjyqtari Binaj depozitoi pranë komisionit prova për justifikuar të ardhurat e saj.

Gjyqtari Sokol Binaj u vlerësua pozitivisht edhe për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin. Binaj ka punuar si gjyqtar deri në fillim të viteve ’90 dhe më pas ka dhënë dorëheqjen, për të punuar si konsulent për kompani të huaja. Në vitin 1992 gjyqtari Binaj është larguar drejt Italisë dhe sipas shpjegimeve që dha para Komisionit gjatë seancës dëgjimore, ai ka punuar si konsulent dhe më pas ka hapur një biznes makinash me qira në vendin fqinj. Ai punon prej 15 vitesh në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, ndërkohë që paralelisht me funksionin ka marrë pjesë në trajnimet e Shkollës së Magjistraturës në cilësinë e ekspertit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *